Deputetja britanike: Grupi i sulmuesve në veri – milici e pajisur mirë

Londër, 24 shtator 2023 – Deputetja britanike, Alicia Kearns, e ka dënuar ashpër sulmin e grupit të armatosur serb ndaj Policisë së Kosovës në veri, ku u vra një zyrtar policor dhe u lënduan dy të tjerë. Ajo e ka cilësuar këtë si sulm të orkestruar ndaj forcave të rendit në Kosovë.

Deputetja Kearns ka thënë se Policia e Kosovës duhet ta garantojë sundimin e ligjit pa pasur kërcënime për dhunë,.

“Situata nuk ka ende fund për shkak të këmbimeve të zjarrit në Manastirin e Banjskës. Pamjet fillestare sugjerojnë se sulmuesit janë milici e financuar dhe e pajisur mirë, përfshirë me pajisje të blinduara. Duhet të ketë llogaridhënie dhe ata duhet të përballen me drejtësinë. Të shpresojmë se nuk do ketë më të plagosur”, ka shkruar ajo në Twitter.

Në fillim të muajit korrik, deputetja Kearns pati thënë se në veri të Kosovës “armët po kontrabandohen në autoambulanca dhe më pas po ruhen në objektet e kishave”.

Misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë, KFOR, pati thënë se nuk ishte gjetur asnjë provë për pretendimet e deputetes Kearns, ndërsa autoritetet e Kosovës i patën nisur hetimet.

(r.m.)