Deputetja britanike thotë se një shtet i aleancës “Five Eyes” ka kryer hetime për sulmin në Banjskë

Londër, 10 janar 2024 – Deputetja britanike Alicia Kearns, ka deklaruar se edhe një vend tjetër, pjesë e  aleancës “Five Eyes”, është duke i kryer hetimet për sulmin terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, por që nuk po i bën publike të gjeturat.

“Unë e di që një vend tjetër – një vend i Five Eyes – ka me të vërtetë një hetim të tërë, por ata nuk janë të gatshëm t’i publikojnë ato rezultate. Kështu që, unë mendoj se në Mbretërinë e Bashkuar duhet të dalin me rezultate duke shpjeguar saktësisht se çfarë ndodhi atë ditë sepse Vuçiq ende thotë se ajo që ndodhi atë ditë, nuk ka ndodhur”, ka thënë zonja Kearns, gjatë raportimit të Sekretarit të jashtëm britanik, David Cameron, para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtm të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar.

Deputetja Kearns ka thënë se NATO nuk e mori parasysh shqetësimin e shpehur prej saj vitin e kaluar, kur kishte paralajmëruar se në Kosovë po kontrabandohen armë nga Serbia, të cilat po vendoseshin në kisha.

Kearns ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet të dalin me përgjigje për Banjskën meqë ndaj Kosovës.kanë vendosur masa ndëshkuese pa arsye.

“Në këtë fazë asnjë qeveri nuk ka ardhur të thotë kjo është ajo që ka ndodhur, këta janë ata që i kanë armatosur, nga kjo ka ardhur…Jam e interesuar të di pse s’ka pas një përgjigje nga BE-ja dhe veçanërisht nga SHBA, që kanë vendosur masa ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.

“Five Eyes” është një rrjet i inteligjencës i krijuar pas Luftës së Dytë Botërore midis Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re.Këto vende punojnë në bashkëpunim në çështjet e inteligjencës, duke bashkuar burimet e tyre dhe duke ndarë informacione të ndjeshme për të garantuar sigurinë kolektive dhe për të luftuar kërcënimet globale.

(r.m.)