Dërgohen për gjykim në mungesë edhe tre të pandehur për krime lufte në Kosovë

Prishtinë, 30 dhjetor 2024 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës njoftoi se ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër të pandehurve D.G, Zh.C dhe Z.Sh dhe ka prtopozuar gjykimin e tyre në mungesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special.

Sipas Prokurorisë, D.G., ngarkohet se si shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, s’ka marrë veprim për të parandaluar, ndaluar apo raportuar në hierarki vrasjet, plagosjet dhe djegien e civilëve për së gjalli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Për të pandehurin D.G. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e personit zyrtar- me gradë Kolonel – Shef i Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjilan, në periudhën janar-korrik 1999 epror dhe mbikëqyrës ndaj të gjithë vartësve të tij dhe me kontroll efektiv ndaj tyre dhe territorit të Komunës së Gjilanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ka qenë në dijeni ose është dashur të jetë në dijeni dhe nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar, ndaluar apo për të raportuar në hierarki lidhur me vrasjet, plagosjet, djegien për së gjalli të viktimave civile shqiptare, marrjen peng, rrahjet, maltretimet, torturat fizike dhe psikike, plaçkitjet, dëbimin e popullatës civile shqiptare, në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.

Andaj, me këtë ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 të LP të RSFJ-së.

Kurse, Zh.C., ngarkohet se bashkë me pjesëtarë të tjerë, të armatosur kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë, njërin prej tyre e kishin djegur për së gjalli.

“Për të pandehurin Ž.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë luftës në Kosovë, konkretisht në regjionin e Gjilanit, si pjesë e grupit kriminal, në bashkëkryerje me D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J., si edhe me pjesëtarë tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, kanë marrë pjesë në vrasjen e tetë ( civileve shqiptarë, e konkretisht dy nga këto viktima i kanë vendosur në grumbull drunjësh, ku njëri nga ta është djegur për së gjalli, kishin rrahur, maltretuar, torturuar, plaçkitur, dëbuar popullatën civile shqiptare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, thuhet në njoftim.

Me këtë, ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Kurse, i pandehuri i tretë Zh.C., ngarkohet se në cilësinë e mjekut nuk ia ofroi ndihmën e duhur mjekësor një personi që ishte plagosur nga grupi kriminal, vetëm për faktin se ishte shqiptar, e si pasojë viktima ndërron jetë.

“Ndërkaq për të pandehurin Ž.C. ekziston dyshimi i bazuar mirë se në cilësinë e mjekut të Spitalit Regjional në Gjilan, me datë 05/04/1999, nuk ofron ndihmën e duhur mjekësore viktimës N.R, i cili ishte plagosur nga grupi kriminal si më lartë, vetëm për faktin se i njëjti ishte i përkatësisë nacionale shqiptare, të njëjtin e urdhëron që të largohet sa më shpejt nga Spitali, e si pasojë e këtij veprimi viktima ndërron jetë në orët e vona të së njëjtës ditë”, njofton PSRK-ja.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 të LP të RSFJ-së.

(BetimipërDrejtësi)

Comment

*