Ish-ministri i Brendshëm më jetëgjatë i Shqipërisë, u akuzua për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove
Knid Ndrenika
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u dërgua në Policinë e Tiranës dhe mandej te burgu 313 pasi Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e dënoi me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim të detyrës në lidhje me kushërinjtë e tij narkotrafikantë Habilaj nga Vlora.
Zoti Tahiri reagoi me një postim në tuiter duke e quajtur vendimin një padrejtësi të madhe:
“Ju dua shumë të gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo dite të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda! Është thjeshtë PADREJTËSI!”
Trupi gjykues vendosi “lënien në fuqi të vendimit i Gjykatës së Shkallës Parë për Krimet e Rënda në Tiranë me ndryshime si më poshtë: Mos zbatimin e nenit 59 për të pandehurin Saimir Tahiri. Vuajtja e dënimit me burgim për të pandehurin Saimir Tahiri fillon që nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi, dhe kryhet në një burg të zakonshëm”-thuhet në vendim.
Ish-ministri i Brendshëm më jetëgjatë i Shqipërisë, u akuzua për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, por u dënua nga gjykata për “shpërdorim detyre” me 3 vite shërbim prove.
Pas thuajse një dite të tërë në seancë gjyqsëore, Apeli i Posaçëm pasi e kishte rikthyer në rishqyrtim dosjen e ish-ministrit Tahiri për parregullsi në proces, vendosi ta heqë shërbimin e provës për ta dënuar me 3,4 vjet duke e dërguar menjëherë në burgun e sigurisë së lartë 313 në Tiranë.
Ish-ministri i Brendshëm u përmend nga hetimet e antimafias italiane në 2017 kundër narkotrafikantëve të vëllazërisë Habilaj për marihuanë dhe armë.
Ndonëse ish-Prokuroria për Krime të Rënda, sot Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar SPAK, kërkoi arrestimin e zotit Tahiri, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama nuk e lejoi.