Dervishaj: Presidenti do t’i drejtohet Prokurorisë. Kuvendi i ka manipuluar provat

Tiranë, 7 shkurt 2022 – Këshilltari i Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Bledar Dervishaj, tha se Presidenti do t’i drejtohet prokurorisë për çështjen e manipulimit të provave nga Kuvendi i Shqipërisë.

Pas përfundimit të seancës së Gjykatës Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit për shkarkimin e Presidentit Meta, Dervishaj deklaroi se Kuvendi ka depozituar prova të manipuluara për të rrëzuar argumentet e presidentit.

“Sot u mbyll seanca e iniciuar në mënyre të padrejtë nga Kuvendi. Për fat të keq u provua dhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike, depozitoi prova të manipuluar vetëm që të rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh nga Kuvendi i Shqipërisë, imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organe të tjera”, u shpreh Bervishaj.

Ai paralajmëroi se Presidenti Meta do t’i drejtohet Prokurorisë së Shtetit lidhur me manipulimin e provave nga Kuvendi.

“Presidenti ka vendosur t’i drejtohet Prokurorisë lidhur me këtë çështje”, tha Dervishaj.

Duke shprehur pritjet lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai tha se pret qëky vendim  të jetë i bazuar në kushtetutë dhe në ligj.

“Ashtu sikundër është në të drejtën e Kuvendit që të fillojë një procedure hetimore parlamentare për këtë fakt që ne evidentuam, edhe e drejta e gjykatës është të marrë një vendim por që të jetë i bazuar në kushtetutë dhe ligj”, tha këshilltari Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Bledar Dervishaj.

Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim në seancën e sotme. Ajo paralajmëroi se vendimi i arsyetuar do të publikohet në faqen zyrtare të gjykatës pas 30 ditësh.

“Gjykata Kushtetuese deklaron mbylljen e seancës plenare dhe tërhiqet për të marrë vendim. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda 30 ditëve nga marrja e vendimit”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha.

(r.m.)