Bruksel, 15 maj 2024 – Në Bruksel, për të shtatën me herë me radhë, kryenegociatorët e të Kosovës dhe Serbisë dështuan të arrijnë një marrëveshje lidhur me përdorimin e dinarit serb për pagesa me para në dorë në zonat e banuar me shumicë serbe në Kosovë.
Para takimit të sotëm i dërguari evropian për bisedimet mes palëve Miroslav Lajçak, tha se u ka paraqitur palëve një dokument kompromisi në një përpjekje për të tejkaluar dallimet, por pa dhënë hollësi se për çfarë propozimi bëhet fjalë.
Bashkimi Evropian shprehu keqardhjen për dështimin e sotëm të bisedimeve ndërsa vlerësoi se “nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje kompromisi në të ardhmen”.
Një zëdhënës i bllokut tha se përgjatë takimeve, Bashkimi Evropian paraqiti ide dhe propozime dhe palët arritën të tejkalojnë disa nga dallimet e tyre, duke përfshirë pajtimin “për themelimin e një entiteti të ri biznesi sipas ligjeve të Kosovës, që do të kryente shpërndarjen e përkohshme të ndihmës financiare nga Serbia”.
Por, pavarësisht se BE-ja paraqiti një propozim kompromisi për të përshtatur qëndrimet e palëve, ato nuk arritën të pajtohen për disa çështje thelbësore “përfshirë shtrirjen e veprimtarive të njësisë së re, fushëveprimin e përfituesve të këtij entiteti, dhe ndihmën financiare nga Serbia për institucionet e mbështetura prej saj në Kosovë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një komunikatë pas takimit.
Belgrade-Pristina Dialogue: the latest meeting on dinar issue proved that the Parties were not able to compromise on the remaining open issues.🇪🇺 regrets this and assesses that there is no readiness of 🇽🇰 & 🇷🇸to find a compromise agreement going forward. https://t.co/bbgscSUqFL
— Peter Stano (@ExtSpoxEU) May 15, 2024
akimi i fundit, tha zëdhënësi, dëshmoi se palët nuk janë në gjendje të gjejnë një zgjidhje kompromisi dhe nuk ka gatishmëri për të gjetur një marrëveshje të tillë në të ardhmen.
Duke theksuar se mungesa e një pajtimi ka pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe një burim i vazhdueshëm shqetësimesh, zëdhënësi tha se Bashkimi Evropian si lehtësues “mbetet i gatshëm të organizojë një takim tjetër për këtë temë sapo palët të sinjalizojnë gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme të ndërsjellë”.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë akuzuan njëri tjetrin për dështimin e bisedimeve.
Kryenegociatori serb Petar Petkoviç, tha se Prishtina refuzoi gjashtë propozime të Beogradit, ndërsa theksoi se “do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje dhe dera e bisedimeve nuk është e mbyllur për ne, meqë pa zgjidhje është më e vështirë për serbët në Kosovë”.
Ndërsa kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha se qasja e Serbisë flet për dy qëllime: “qëllimin e parë e kanë t’i legjitimojnë strukturat paralele, pra sipas tyre zgjidhja duhet të kërkohet në kalimin nga një sistem paralel ilegal në një sistem paralel legal. Domethënë një sistem ku nuk ka kurrfarë interference ndërmjet qytetarëve të komunitetit serb dhe atyre shqiptarë. Zgjidhja sipas tyre është në një sistem i cili e siguron edhe më tej mungesën e plotë të transparencës, rregullimi i së cilës ka qenë një nga qëllimet kryesore të rregullores së Bankës Qendrore”, tha zoti Bislimi.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila hyri në fuqi me 1 shkurt, përcakton se euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë. Rregullorja nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
Çështja e dinarit është shndërruar edhe në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
(Zëri i Amerikës)