Shkup, 3 shtator 2024 – Parlamanenti i Maqedonisë së Veriut nuk e miratoi mocionin e mosbesimit ndaj Kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, të ngritur nga partia nacionaliste ‘E Majta’. 21 deputetë të partive opozitare se ‘E Majta’ dhe LSDM votuan pro, ndërsa 72 deputetë votuan kundër.
Nisma nuk u mbështet as nga ligjvënësit e Frontit Evropian të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim në opozitë, por ata nuk morën pjesë në votim; u larguan nga salla para se nisma të hidhej në votim.
‘E Majta, e akuzonte zotin Gashi për shkeljen e rregullores së punës së parlamentit dhe për nxitjen e disa skandaleve. Partitë shqiptare e cilësuan nismën për interpelancë (mocion mosbesimi) si të motivuar mbi baza etnike.
Kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev theksoi se kryetari i parlamentit nuk e respekton gjuhën dhe flamurin maqedonas; se ka shkelur parimin sekular të shtetit duke organizuar një lutje fetare në parlament (me rastin e përkujtimit të përvjetorit të gjenocidit të Srebrenicës); se ka ndërhyrë kundër ligjeve në rastin e kontrollit në aeroportin e Shkupit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ka keqpërdorur shërbimet zyrtare dhe policore me pjesëmarrjen e tij në një dasmë në Kosovë.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit nismën për mocionin kundër tij e vlerësoi si përpjekje për thellimin e ndasive në shoqëri, për heqjen dorë nga rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian dhe nga anëtarësimi në NATO. Zoti Gashi iu përgjigj me kundër-akuza partisë ‘E Majta’ për qëndrimet e saj, “albanofobe dhe islamofobe”.
”Ne të gjithë flasim me zë të lartë për BE-në; qytetarët flasin për bashkëjetësën. Të gjithë themi se jemi këtu bashkë në të mirë dhe në të keqe, ndërsa vetëm kjo parti (E Majta) flet kundër tri shtyllave themelore të shoqërisë sonë: orientimin tonë euro-atlantik, përkushtimin tonë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe përkushtimin tonë për harmoni ndëretnike. Është shumë keq kur luan në kartën e nacionalizmit të gjykimit të tjetrit pa i dëgjuar të gjitha faktet dhe argumentet”, tha zoti Gashi.
Ai nuk qëndroi në seancën plenare me arsyetimin se nuk dëshironte që me praninë e tij të ndikonte tek rrjedha e debatit, teksa u bëri thirrje ligjvënësve që të votonin sipas bindjeve individuale.
Lidhja Social Demokrate e opozitës i dha mbështetje interpelancës ndaj zotit Gashi, duke e akuzuar atë për rastin në aeroportin e Shkupit dhe udhëtimin me veturë zyrtare në një dasmë në Kosovë, me ç’rast e gjithë kolona e krushqëve kishte kaluar kufirin Maqedoni – Kosovë pa iu nënshtruar kontrollit të dokumenteve personale në pikën kufitare të Bllacës.
Ligjvënësit e Frontit Evropian që hodhën mjaft kritika për punën e kryetarit të parlamentit, e kundërshtuan nga ana tjetër interpelancën, duke e cilësuar atë si të motivuar mbi baza etnike.
“Konstatojmë dhe jemi të mendimit se motivi për këtë interpelancë nuk ka të bëjë me punën e kryetarit të parlamentit, por ka të bëjë me përkatësinë e tij etnike”, tha Talat Xhaferi, deputet i BDI-së.
Por, zoti Xhaferi sikur se edhe disa kolegë të tij të Frontit Evropian, theksoi një sërë vërejtjesh për punën e kryetarit të parlamentit për shkak të mosrespektimit të vazhdueshëm, sipas tij, të procedurave të vendosura me rregulloren e punës së parlamentit.
Kryeministri dhe kryetari i partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski e ka quajtur “sjellje të papjekur dhe të krisur” të Lidhjes Social Demokrate, BDI-së dhe të Majtës duke shtuar se nuk ka asnjë bazë për interpelancë ndaj kryetarit te parlamentit, Afrim Gashi.
Interpelanca në Maqedoninë e Veriut është ekuivalente me mocionin e votëbesimit. Shumica parlamentare ka 76 deputetë nga 120 sa ka githsej parlamenti i vendit.
(Zëri i Amerikës)