Dështon plani për takim të përbashkët të përfaqësuesve të Kosovës e të Serbisë

Bruksel, 22 shkurt 2022 – Të martën në Bruksel, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë zhvilluar takime të veçanta me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, por nuk kanë pasur një takim të përbashkët.

Ende nuk ka informacione përse ka dështuar plani për një takim trepalësh, siç ishte paralajmrëruar. Në të kaluarën, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë kanë pasur takime të veçanta me përfaqësues të BE-së, e pastaj kanë pasur edhe një takim të përbashkët.

Të martën, Lajçak është takuar së pari me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, e pastaj me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq.

Pas takimeve, Lajçak ka thënë se në takime kidhte pasut bisedime “intensive” për një sërë temash konkrete, por nuk ka treguar se cilat kanë qenë këto tema.

Sipas burimeve diplomatike, të martën duhet të diskutohej për çështjen e të pagjeturve, për çështjen e targave të automjeteve dhe për çështjen e energjisë.

Por, para takimit me Lajçakun, Petkoviq ka thënë se do të kërkojë të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në territorin e Kosovës.

Takimet e kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë me z. Lajçak ishin cilësuar si një “test” për gatishmërinë e palëve për organizimin e një takimi të nivelit të lartë, më saktë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim, por BE shmang takime që do të përfundonin pa ndonjë rezultat, siç ka ndodhur deri më sot.

Më herët, zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se “zhvillimi i një takimi të tillë do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme”.

Burime brenda BE-së thonë se organizimi i takimit Kurti – Vuçiq varet nga përafrimi i qëndrimeve lidhur me disa prej çështjeve më të rëndësishme për të dyja palët. Por, deri më sot, palët insistojnë të shtrojnë në tryezë tema që vetëmsa i largojnë.

Sipas praktikës, në tryezën e bisedimeve mund të shtrohen vetëm temat për të cilat pajtohen të dy palët. Asnjëra palë nuk mund ta imponojë ndonjë temë e çështje, në qoftë se për këtë nuk pajtohet pala tjetër.

(r.m.)