Uashington, 4 janar 2023 – Republikanët dështuan në disa raunde votimi këtë të mërkurë të zgjedhin kandidatin e tyre Kevin McCarthy në krye të Dhomës së Përfaqësuesve.
Ligjvënësit e Kongresit të ri u mblodhën për të dytën ditë me radhë për të zgjedhur kryetarin, por republikanët që kanë kontrollin e Dhomës u shfaqën sërish të përçarë.
Kundërshtarët e zotit McCarthy, nuk kanë ndryshuar mendim dhe ai nuk arriti të siguronte shumicën e votave për t’u zgjedhur në këtë post.
Aktualisht, republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve me një epërsi të ngushtë, prej vetëm 9 ligjvënësish ndaj demokratëve. Republikanët kanë 222 ligjvënës në këtë dhomë dhe zotit McCarthy i duhen 218 vota për t’u zgjedhur kryetar, në rast se të gjithë ligjvënësit e të dy krahëve marrin pjesë në votim dhe askush nuk abstenon.
Zoti McCarthy pati sërish kundër 20 ligjvënës. I ashtuquajturi “Grupi i Lirisë”, ku bëjnë pjesë anëtarët më konservatorë të grupit republikan janë vënë kundër zotit McCarthy. Shumë prej tyre, në javët e fundit shprehën pikëpamjen se zoti McCarthy nuk ishte aq konservator sa duhej për te udhëhequr republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve.
Disa republikanë i kanë kërkuar publikisht zoti McCarthy që të shqyrtojë mundësinë e tërheqjes, por ai është shprehur se nuk do të dorëzohet.
Seanca e të mërkurës e cila nisi në mesditë u zhvillua disa orë pasi ish Presidenti Donald Trump bëri thirrje që zoti McCarthy të zgjidhej në krye të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilit ai i është referuar si “Kevini im”. Zoti Trump shkruante në rrjetet sociale se “anëtarët republikanë duhet të votonin Kevinin, të mbyllnin çështjen dhe të siguronin fitoren”.
Nga ana tjetër, ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries nga Nju Jorku, mori mbështetjen e të 212 ligjvënësve demokratë. Por ai nuk ka asnjë shans të zgjidhet në krye të kësaj dhome nisur nga fakti që asnjë republikan nuk do ta ndihmonte atë të siguronte pragun e nevojshëm për t’u shpallur fitues, prej 218 votash.
Betimi i ligjvënsëve të rinj nuk mund të bëhet pa u zgjedhur më parë kryetari dhe për pasojë punimet e Dhomës së Përfaqësuesve përfshirë veprimtaritë e komisioneve mbeten të bllokuara.
(Zëri i Amerikës)