DEVITO MBUSH 80: GJYSHJA NGA KALABRIA DHE BATUTA ME SHVARCENEGERIN SI BARIU I DHIVE NGA SHQIPËRIA

Nga Ruben Avxhiu

Aktori i njohur komik amerikan Danny Devito mbush sot 80 vjeç.

Po e kujtoj pak këtu me pjesën nga një intervistë për një podkast, ku tregon për gjyshen e tij nga këndi në fund të Kalabrisë – që si shpjegon ai – përballë detit ka Shqipërinë.
Vetëm në fund të jetës, kur ajo dergjej në shtrat, Danny kishte mësuar se gjuha që fliste gjyshja nuk ishte italisht por një variant i shqipes: “Ajo fliste Geg”, ka thënë ai. (Videon e keni në fund të tekstit.)

FILMA DHE TV
DeVito mund të njihet më shumë nga brezi i sotëm prej serialit televiziv “Është gjithmonë mot me diell në Filadelfia” (It’s Always Sunny in Philadelphia), por famën në publikun amerikan e fitoi me serialin televiziv “Taxi” (1978-1983).
Ai ka luajtur në filma si “One Flew Over the Cuckoo’s Nest” (1975), “Terms of Endearment” (1983), “Twins” (1988), “The War of the Roses (1989)”, “Pulp Fiction” (1994) etj.
Filmi im i preferuar është “Other People’s Money” (1991), por kërkon pak njohje të kontekstit socio-ekonomik amerikan për t’u shijuar si duhet.

BATUTA ME SHVARCENEGERIN PËR BARIUN SHQIPTAR
Prej origjinës së tij shqiptare ka kontribuar me një nga batutat komike të filmit “Twins” (Binjakët), ku luan personazhin Vincent, vëllain binjak të Julius që luhet nga Arnold Schwarzenegger: “Nuk do të të prezantoj me mamanë time nëse vishesh si bari i dhive nga Shqipëria”
I lindur në New Jersey, në vitin 1944, Danny DeVito është një nga aktorët më të shkurtër në botë. Vetëm 1.47 m, për shkak të një sëmundjeje të rrallë, ai megjithatë ka fituar famë me rolet që ka luajtur. Kontrasti në gjatësi si dhe në natyra ishte thelbi i humorit në filmin e lartpërmendur “Binjakët”.
Gëzuar edhe 100 Devitos! Lavdi barinjve të Shqipërisë.

VIDEOJA për gjyshen shqiptare: https://www.illyria.com/danny-devito-ashtu-si-eliza-dushku-permend-shqiperine-ne-nje-nga-filmat-e-tij/
Shkrimi për batutën te filmi “Twins”: https://www.youtube.com/watch?v=A3Ac64JmBA8&t=38s