Prishtinë, 8 dhjetor 2022 – Dhjetëra policë të Kosovës janë dërguar në “Lagjen e Boshnjakëve”, në Mitrovicën e Veriut. Ata kanë filluar patrullimin në rrugët e qytetit.
Pak orë më pare, Policia e Kosovës njoftoi se do të fillojë rritjen e pranisë së saj në veri të vendit.
Po ashtu, edhe ekipe të EULEX-it janë duke mbikëqyrur situatën në vazhdimësi në veri.
Në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it, raporton KALLXO.com.
Veprimet policore vijnë në veri të Kosovës si rezultat i tensioneve të shtuara në tri ditët e fundit, ku pati edhe disa shpërthime të “shock-bombave” dhe të shtëna me armëzjarri.
Një zyrë e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut është demoluar të martën në orët e vona. Aty u gjet gnjë ranatëdore e pashpëthyer, e cila më pas u shpërthye në mënyrë të kontrolluar.
Policia thotë prioritet i tyre është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, “ditëve në vijim do të rris prezencën në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”.
Ajo thotë se ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë objektivat kryesore të saj.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, tha Policia e Kosovës.
(r.m.)