Dhoma e Ulët e Parlamentit të Italisë e miraton marrëveshjen Rama – Meloni

Romë, 24 janar 2024 – Dhoma e Ulët e Parlamentit italian e ka miratuar marrëveshjen e Kryeministres Giorgia Meloni me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për strehimin e përkohshëm të migrantëve që aplikojnë për azil në Itali, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo marrëveshje është një prej marrëveshjeve kryesore të kryeministres Meloni për të ndarë barrën e migrantëve me pjesën tjetër të Evopës.

Marrëveshja, e cila u miratua me 155 vota ‘për’, 115 vota ‘kundër’ dhe dy abstenime, tani dërgohet në Senat, ku e kanë shumicën forcat e krahut të djathtë të Melonit.

Giogria Meloni dhe Edi Rama e nënshkruan këtë marrëveshje në nëntor të vitit të kaluar. Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë në dy qendra që do të ndërtohen deri në 36.000 migrantë, derisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.

Italia për një kohë të gjatë ka kërkuar solidaritet nga shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket ndihmës për t’u përballur me dhjetëra mijëra migrantë që arrijnë në këtë shtet çdo vit.

Shqipëria po shpreson që t’i bashkohet bllokut evropian dhe Italia ka qenë një mbështetëse e fuqishme e integrimit evropian të Tiranës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbështetur marrëveshjen, të cilën e ka cilësuar si një nismë të rëndësishme dhe një ide kreative për të menaxhuar çështjen e migrimit.

Por, grupet për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim me marrëveshjen, duke argumentuar se Italia po shmang obligimet e saj ndërkombëtare. Opozita italiane e qendrës së majtë e ka cilësuar marrëveshjen si një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.

Në dhjetorin e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pezulloi ratifikimin e marrëveshjes, pasi tha se do të bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë së paktit. Por, Rama është shprehur i bindur se Kushtetuesja nuk do të gjejë shkelje në këtë marrëveshje.

(r.m.)