Çështje të Emigracionit: Nga Kieran Both
Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Alejandro N. Mayorkas, deklaroi se Departamenti në fjalë ka lëshuar një rregullore përfundimtare e cila do të ruajë dhe forcojë linjën e veprimit që parashikon programi i “Ëndërrimtarëve” DACA (Deferred Action for Childhood Arrivals) për ata jo-nënshtetas që kualifikohen dhe që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë, duke shtyrë largimin e tyre nga vendi dhe duke u dhënë mundësinë që të marrin leje pune dy-vjeçare të rinovueshme. Që kur u krijua në 2012-ën, programi DACA u ka dhënë mundësinë mbi 800,000 të rinjve të qëndrojnë së bashku me familjet e tyre, në të vetmin vend që ata kanë njohur ndonjëherë si të tyrin. Anembanë vendit, ata që përfitojnë nga DACA janë doktorë dhe infermierë që merren me shëndetin dhe sigurinë shëndetësore të amerikanëve; disa janë mësues, që përpiqen me mish e shpirt t’u japin dije brezave të rinj; ata janë pjestarë të forcave tona të armatosura që kryejnë shërbimin në mbrojtje të atdheut; ata janë fqinjët, miqtë dhe të afërmit tanë.
“Sot, po ndërmarrim një tjetër hap për të bërë gjithçka që kemi në dorë për të ruajtur dhe forcuar DACA-n, një program ky i jashtëzakonshëm që ka transformuar jetën e kaq shumë Ëndërrimtarëve,” tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro N. Mayorkas. “Falë DACA-s, ne jemi pasuruar me njerëz të rinj që japin kaq shumë kontribut në komunitetet tona dhe në vendin tonë. Megjithatë, duhet që Kongresi të miratojë legjislacionin që ofron një zgjidhje të qëndrueshme për Ëndërrimtarët e rinj që nuk kanë njohur si të tyrin asnjë vend tjetër përveç Shteteve të Bashkuara.”
“DACA ka transformuar jetën e atyre që kanë përfituar prej tij dhe na ka bërë më të mirë dhe më të fortë si komb”, tha drejtori i Shërbimeve të Nënshtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së, Ur M. Jaddou. “USCIS-i ndjehet krenar për rolin e rëndësishëm që po luan në zbatimin e rregullores përfundimtare të DACA-s dhe është i përkushtuar që t’u sigurojë përfituesve të DACA-s mundësinë që të vazhdojnë të mbeten një pjesë jetike e komuniteteve të tyre dhe të kontribuojnë në këtë vend që është shtëpia e tyre.”
Rregullorja është vazhdim i linjës së veprimit të DACA-s dhe bazohet në praktika të qëndrueshme të USCIS-it. Rregullorja mbështet gjykimin e konsekuent nga ana e Departamentit – si dhe nga tre administrata presidenciale që nga momenti kur linja e lartpërmendur e veprimit doli për herë të parë – që ata që përfitojnë nga DACA nuk duhet të kenë prioritet kur vjen puna për t’u dëbuar nga vendi.
Fryt i një shqyrtimi të kujdesshëm si dhe një përgjigje e më shumë se 16,000 komenteve të marra nga opinioni publik gjatë periudhës së ofruar për këtë qëllim, rregullorja përfundimtare kodifikon linjën aktuale të veprimit të DACA-s me ndryshimet e kufizuara si dhe zëvendëson udhëzimet lidhur me linjën e veprimit të DACA-s, të paraqitura në memorandumin e vitit 2012 nga sekretarja e atëhershme e Departamentit të Sigurisë, Napolitano. Rregullorja përfundimtare:
- Ruan kriteret egzistuese të “pragut” që parashikon DACA;
- Mban procesin egzistues sipas të cilit ata që bëjnë kërkesë për DACA, mund të kërkojnë leje punësimi;
- Afirmon politikën e mëparshme sipas së cilës DACA nuk përbën një formë statusi të ligjshëm, por ata që përfitojnë nga DACA, ashtu si dhe persona të tjerë të cilëve u është shtyrë dëbimi nga vendi, konsiderohen “të pranishëm në mënyrë të ligjshme” për qëllime të caktuara.
Vendimi përfundimtar hyn në fuqi të hënën, më 31 tetor, 2022. Megjithatë, sipas këtij vendimi përfundimtar, DHS-së nuk i lejohet të aprovojë kërkesa fillestare për DACA dhe as lejen për punësim siç parashikon DACA. Duke qenë se kufizimet vënë DACA-s nga një vendim gjyqësor janë pranuar pjesërisht, DHS-ja për momentin, sipas rregullores përfundimtare të lartpërmenduar mund të aprovojë vetëm kërkesat për rinovim nën programin DACA.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]