Prishtinë, 22 qershor 2021 – Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se vendi i tij i hedh poshtë me vendosmëri absolute diskutimet për ndryshime kufijsh në rajonin e Ballkanit.
Zoti Di Maio e ka shprehur bërë qëndrim të Italisë të martën, në një fjalim të mbajtur në Kuvendin e Kosovës.
Ai i ka cilësuar si “provokime” dhe si “thirrje okulte” diskutimet për ndryshim kufijsh.
“Vetëm një perspektivë konkrete evropiane është në gjendje të shfuqizojë rifillimin e nacionalizimit dhe aventurizmin e caktuar politik, që do të donte të kthente Ballkanin 30 vjet pas”, ka theksuar ai.
Shefi i diplomacies italiane ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të punojë për kthimin e besueshmërisë në politikën e zgjerimit.
Ai ka thënë se Evropa duhet ta përfundojë procesin e zgjerimit.
“Evropa nuk mund të thotë se është e bashkuar në një çati, për aq kohë sa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë e Bashkimit Evropian”, ka theksuar ai.
Di Maio ka folur edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se është e nevojshme që në Ballkan të mbyllen të gjitha çështjet e hapura dhe i ka inkurajuar politikanët e të dyja shteteve që të çojnë përpara procesin e dialogut.
Kryediplomati italian ka përcjellë mesazhe qetësuese për udhëheqjen e Kosovës.
“Kosova nuk ka asgjë për t’u frikësuar nga ky proces, pasi pavarësia dhe sovraniteti i saj territorial nuk janë në diskutim”, ka theksuar ai.
“Që të mund të shikoni përpara, nevojitet një vizion politik dhe forcë për të bërë gjeste konkrete pajtimi. Mbi të gjitha identifikimi i personave të pagjetur gjatë konflikteve të mëparshme dhe kthimi i mbetjeve te familjet e tyre, janë një domosdoshmëri morale dhe akt urgjent për kthimin e dinjitetit për viktimat”, ka deklaruar ai.
Para ministrit italian, Luigi DiMaio, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se pala kosovare është e hapur për takime dhe e gatshme për dialog që do të çonte në njohjen e ndërsjellë.
“Kosova është sinqerisht e interesuar për gjetjen e zgjidhjes së këtij problemi, por zgjidhje mund të jetë vetëm njohja e pavarësisë sonë, të cilën e njohin shumica e shteteve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, 22 nga 27 vende anëtare të BE-së, 26 nga 30 vende anëtare të NATO-s, dhe në të gjitha këto, edhe Italia”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se njohja e Kosovës e ndihmon edhe Serbinë dhe ka shtuar se Serbia duhet të çlirohet “nga mentaliteti“sundues dhe spastrues, të trashëguar nga Millosheviqi”.
(r.m.)