Dialogu Kosovë-Serbi duket se është kthyer 23 vite mbrapa në kohë. Sulmet në veri të Kosovës tregojnë edhe një herë se Serbia nuk është e gatshme të përmbushë pikat e marrëveshjes, e cila do të sillte siguri dhe stabilitet në rajon, dhe, gjithashtu, nuk do të pengonte integrimin e dy shteteve në Bashkimin Europian, në OKB dhe në NATO.
Siç është bërë e ditur, serbët në veri të Kosovës, më 31 korrik, vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës që kanë të bëjnë me targat dhe me dokumentet serbe. SHBA dhe BE, dy garantët e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, e mbështesin dialogun mes Kosovës e Serbisë, për të lënë prapa konfliktet dhe mosmarrëveshjet e kohëve të vjetra.
Por, dialogu Kosovë-Serbi, në këto dy vite, ka kaluar nëpër sulme dhe akuza të dyanshme dhe ka treguar se asnjëra nga palët nuk është e gatshme të lëshojë pe dhe të arrijë një kompromis të përbashkët. E gjitha kjo është një lojë dhe farsë e Serbisë, e cila, jo vetëm që nuk e ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen bilaterale që do të sillte një përfitim të madh për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, por nuk e ka ndërmend ta njohë juridikisht as pavarësinë e Kosovës. Për pavarësinë e Kosovës dhanë jetën dhe gjakun djem të rinj që u shuan në lule të rinisë për liri, ndërsa Serbia duhet të japë llogari për të gjitha ato masakra mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Për të gjitha krimet serbe ndaj popullsisë kosovare duhet të mbahet një gjyq si ai i Nurembergut për krimet e nazizmit, ku të gjithë ata që janë fajtorë për gjenocidin ndaj popullit të Kosovës të japin llogari.
Sulmet e Serbisë ndaj veriut të Kosovës marrin spunto edhe nga lufta e “Carit” të Kremlinit ndaj Ukrainës. Rusia ka qenë gjithmonë në krah të Serbisë. Pas sulmit në Kosovë, Moska e deklaroi edhe një herë mbështetjen e saj të plotë për Serbinë, duke pretenduar se Serbia ka të drejtë të mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë.
Por, Serbia tashmë e ka të qartë se NATO do të ndërhyjë brenda 24 orësh, nëse i shpall sërish luftë Kosovës, ashtu siç veproi 23 vite më parë.
“Ballkani i Hapur”
“Ballkani i Hapur” apo i ashtuquajturi “minishengeni ballkanik” është një tjetër çështje që i fryn akoma më shumë zjarrit, duke mbajtur të ndezur konfliktin në Ballkan. Kryeministri Edi Rama është shumë i ftohtë ndaj mosmarrëveshjeve apo sulmeve që vijnë nga Serbia në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk dëshiron të cenojë marrëveshjen me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiq, për “Ballkanin e Hapur”. Në rrethanat në të cilat gjendet Ballkani,” minishengeni ballkanik” nuk do të mund të realizohet, sepse është projekt që favorizon Serbinë, por edhe Rusinë, aleaten e saj shpirtërore, si edhe vendet tjera fqinje.
Dua të rikujtoj për fakte se në vitin 2019, në Ohër, kryeministri Edi Rama, dhe kryeministrat e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, arritën një marrëveshje për projektin e ‘minishengenit ballkanik”, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, meqenëse Bashkimi Europian po e vonon integrimin e vendeve të rajonit. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje. Ajo u la jashtë, pasi Serbia dhe Bosnja e Hervegovina nuk e njohin Kosovën. Vetëkuptohet që nuk mund të ketë projekt rajonal të suksesshëm, derisa ka shtete që nuk e kanë mbyllur kapitullin e konflikteve midis tyre.
Kështu, Serbisë nuk i intereson njohja e Kosovës, ndërsa ajo, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme për realizimin e këtij projekti. Por, pa Kosovën nuk mund të ketë bashkëpunim ekonomik rajonal. Një projekt i tillë, me Serbinë në mes, duhet të rishikohet nga ekspertë të ekonomisë botërore, pasi, me shumë gjasa, ai do të shtojë më shumë mospajtimet në Ballkanin Perëndimor se sa do t’i zbusë ato. Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është përgjegjëse për masakrat e gjenocidin në Kosovë dhe ende nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur? Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është aleate me Rusinë, e cila po kryen krime të njëjta në Ukrainës?
Dihet që Serbia, nëpërmjet këtij projekti, synon të dalë në det. Ky është një pretendim i saj që kur Austro-Hungaria ia prishi këto plane. Nga ky projekt do të përfitonte edhe Rusia, e cila prej kohësh e dëshiron zgjerimin dhe shgtrirjen e ndikimit të saj në Ballkan, gjë që do të sillte edhe reagimin e SHBA-së, faktorit më të fushëm në botë.
Bashkëpunimi ekonomik Shqipëri -Kosovë
Shqipërisë dhe Kosovës do t’u interesonte më shumë bashkëpunimi ekonomik dy-palësh se projekti i “minishengenit ballkanik” ose “Ballkani i Hapur”. Nga “Ballkani i Hapur” do të përfitonin vetëm vendet fqinje, më së shumti Serbia. Shqipëria mund të eksportojë vetëm lëndë të parë, prandaj me projektin “Ballkani i Hapur” vetëmsa do të zgjeronte tregun për mallrat e shteteve tjera të rajonit, sidomos të Serbisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të fokusohen në bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve, në mënyrë që të fuqizohen ekonomikisht shqipëria dhe Kosova dhe jo të ndihmojnë fuqizimin ekonomik të të tjerëve. Që kur u ndërtua Rruga e Kombit u krijuan kushte për rrutjen e bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Por, që nga viti 2014, kur qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës e mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët, në të cilën u nënshkruan disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë bërë ndonjë hap serioz për forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Në shkëmbimet tregtare midis dy vendeve mbetën po ato barriera që ekzsitonin edhe para nënshkrimit të marrëveshjeve.
Paradoksi është se kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare.
Më vijnë në mendje fjalët e të madhit Faik Konica: “Heshtni, shtrohuni, bashkohuni! Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit”.
Shpresoj që dy shtetet shqiptare do të reflektojnë, do të bashkëpunojnë më shumë e më mirë dhe do të mbështesin njëri-tjetrin!