Bruksel, 18 gusht 2022 – Në Bruksel ka përfunduar rundi i parë i takimit trepalësh midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Siç mëson Radio Evropa e Lirë, në Bruksel janë duke u mbajtur takime dypalëshe midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësuesit e BE-së, me qëllim që liderët të takohen sërish gjatë ditës.
Në ndërtesën e BE-së ku po zhvillohet dialogu ka arritur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Borrell pret fleksibilitet nga Kosova dhe Serbia
Ndërkaq, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më herët gjatë 18 gushtit tha se është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve, teksa palët po takohen në Bruksel në rundin e ri të dialogut.
“Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë dëshmuar sërish se është koha të lëvizim drejt normalizimit të plotë. Pres që të dy liderët të jenë fleksibil dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët”, shkroi Borrell në Twitter.
I am convening this morning the High-level Belgrade-Pristina Dialogue meeting.
— Josep Borrell Fontelles (@JosepBorrellF) August 18, 2022
Recent tensions in the north of Kosovo have demonstrated yet again that it is time to move forward towards full normalisation. I expect both leaders to be open and flexible to find common ground. pic.twitter.com/T0AhjKd1D3
Ky reagim i tij erdhi pasi ai zhvilloi takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u pasua me takimin trepalësh.
Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Ndërkaq, Vuçiq tha se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se nuk beson fare se do të ndodhë kjo.
“Fillimi i bisedës me Josep Borrell për problemet thelbësore në Kosovë. Shpresoj për një lloj zgjidhjeje, edhe pse nuk e besoj fare”, ka shkruar Vuçiq.
Started a conversation with @JosepBorrellF about the essential concerns in Kosovo and Metohija. While I am hopeful for some kind of a solution, I remain sceptical. pic.twitter.com/9sktMnKn0S
— Александар Вучић (@predsednikrs) August 18, 2022
Pas takimit trepalësh, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, në rast se Borrell e Lajçak e vlerësojnë të nevojshme.
Më herët, në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi trepalësh do të fokusohet në rrugën përpara në dialog dhe në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit, gjatë takimit do të trajtoheshin çështjet aktuale, me synim uljen e tensioneve mes palëve.
Takimi i sotëm është thirrur nga kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.
Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë vitin e kaluar, por takimet nuk kanë pasur ndonjë rezultat.
(r.m.)