Dick Marty pohon se është kërcënuar nga shërbimet sekrete serbe për të fajësuar shqiptarët

Gjenevë, 11 prill 2022 – Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka pohuar se ai është kërcënuar me vdekje nga elementë të shërbimeve sekrete serbe.

Në një intervistë për median zvicerane RTS, më 10 prill, Marty ka thënë se më 18 dhjetor 2020 ka pranuar një telefonatë nga policia, e cila e ka njoftuar se është i rrezikuar dhe se do të vendoset nën mbrojtje të lartë policore.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, të më likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë”, ka thënë ai, transmeton Zëri i Amerikës.

Zoti Marty ka treguar se shtëpia e tij është e pajisur me kamera sigurie dhe ka një dhomë të sigurt në rast nevoje, ndërsa policia është e vendosur në afërsi të vendit ku jeton. Ai ka treguar gjithashtu se kur del në publik duhet të veshë jelek antiplumb.

Marty ka thënë se atij i është ofruar edhe ndryshimi i identitetit dhe adresës, por nuk ka pranuar.

“U jam mirënjohës njerëzve që më ofrojnë mbrojtje, por është e qartë se kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Nuk ka të bëjë vetëm me mua. Të gjithë ata që janë në kërkim të së vërtetës, meritojnë jo vetëm mbrojtje, por edhe drejtësi”, ka thënë Marty.

Marty i ka akuzuar autoritetet zvicerane se nuk kanë ndërmarrë asnjë hap apo veprim diplomatik me Beogradin në lidhje me situatën në të cilën është gjendur.

Dick Marty ka qenë autor i një raporti për Këshillin e Evropës, i cili përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë

Raporti ka çuar në një raport të prokurorit amerikan, Clint Ëilliamson, i cili i konsideron të mirëqena pjesën më të madhe të akuzave të Martit për krime lufte të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pa përfshirë akuzat për trafikim të organeve njerëzore.

Mbi bazën ekëtyre akuzave, në vitin 2015 u themelua Dhomat e Specializuara të Kosovës apo,siç njihet, Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë.

Kjo gjykatë nisi procesin e parë gjyqësor në shtator të vitit 2021. Aktualisht në këtë gjykatëpo  zhvillohen dy procese gjyqësore: procesi ndaj Salih Mustafës, ish komandant i njësisë së shërbimit sekret të UÇK-së dhe procesi kundër  kryetaritdhe nënkryetarit të  organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati  dhe Nasim Haradinaj. Mustafa akuzohetpër krime lufte dhe  krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë, kurse Ngucati e Haradinaj akuzohen për përpjekje  për pengim të punës së Gjykatës Speciale dhe rrezikim të dëshmitarëve të prokurorisë.

 Në njësinë e paraburgimit të kësaj gjykate, në pritje të fillimit të proceseve gjyqësore, ndodhen edhe katër ish-udhëheqësit më të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në pritje të fillimit të procesit gjyqësor është edhe Pjetër Shala, ish-pjesëtar i UÇK-së i akuzuar për krime lufte, i cili ndodhet në paraburgim.

(r.m.)