Mitrovicë, 29 dhjetor 2022 – Dy kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dudës”, në pjesën Mitrovicën Veriore, janë djegur gjatë natës së kaluar.
Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës, pas raportimit të medies. Në njoftimin e policisë thuhet se të enjten në mëngjes “është raportuar se në lokacionin e quajtur Shkëmbi i Dudës në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë”.
Sipas policisë, zjarri ka shkaktuar dëmeve të konsiderueshme materiale dhe ekipet e ekspertizës kanë filluar hetimet pët zbulimin e shkakut të zjarrit.
Sipas portalit Kossev, djegia e kamionëve nuk ishte raportuar fare në polici, e cila ka marrë vesh për ngjarjen pas raportimit të medies.
Dy kamionët që janë djegur gjatë natës së kaluar ishin vendosur në barrikadën te “Shkëmbi i Dudës” më 27 dhjetor.
Djegia e këtyre kamionëve ndodhi pikërisht në ditën kur pritet largimi i barrikadave që e kishin bllokuar qarkullimin në rrugët kryesore në katër komunat e pjesës veriore të Mosovës: Mitrovicë Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Të mërkurën, në mbrëmje vonë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë pajtuar për heqjen e barrikadave pasi kanë marrë garanci për plotësimin e kushteve të vendosura prej tyre.
Vuçiq ka paralajmëruar se largimi i barrikadave në pjesën veriore të Kosovës do të nisë të enjten në mëngjes dhe do të zgjasë 24 deri 48 orë.
(r.m.)