Kiev, 16 nëntor 2022 – Forcat ukrainase kanë bërë përparime të rëndësishme javët e fundit, duke rimarrë qytetin e Khersonit. Por, ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov, thotë se moti do të ketë një rol të rëndësishëm në luftime.
“Nëse bie shi duhet të qëndrosh sepse nuk mund të përdorësh tanke apo mjete të tjera të blinduara. Nëse bie borë, situata është e njëjtë. Nëse nuk bie bore, por ka ngrica, mund të përdoren mjete me rrota. Pra në këtë fazë të luftës, gjithçka varet nga kushtet e motit, thotë Reznikov.
Ukraina duket e vendosur për fitore të tjera në terren.
“Dimri nuk do të na ndalojë në asnjë rrethanë. Kam thënë se për trupat tona është mirë të lëvizin më ngadalë, por nuk mund të qëndrojmë në një vend”, thotë Serhiy Haidai , Guvernator i Luhanskut
Pasi u detyruan të tërhiqen, forcat ruse tani kanë nisur të mbrohen. Ukraina thotë se në disa zona kanë shpërthyer mina dhe disa ura janë hedhur në erë.
“Përdorimi i rrugëve do të përcaktojë manovrat që do kryhen. Kështu do të jetë më e vështirë për secilën palë të lëvizë pa u pikasur sepse lëvizjet e tyre do të jenë shumë më të parashikueshme”, thotë Justin Bronk , Instituti “Royal United Services”
Kushte në terren do jenë shumë të vështira.
“Nuk ndihmon aspak moralisht, të ngrish në gropa dhe llogore në temperatura nën zero për një periudhë të gjatë, veçanërisht për trupat ruse, që shpesh kanë kufizime në dërgesat ushqimore dhe të veshmbathjeve”, thotë Justin Bronk , Instituti “Royal United Services”.
Me fillimin e dimrit, Rusia po godet infrastrukturën e Ukrainës duke përfshirë centralet elektrike dhe ujësjellësat. Për civilët, jeta po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
“Situata është aq e keqe sa po ha vetëm bukë dhe ushqim të konservuar. Tashmë është pothuajse dimër dhe është e frikshme”, thotë Anna Bilousova , banore në Mykolaiv .
Perëndimi duhet të ndihmojë kundër taktikave të Rusisë, thotë zoti Bronk.
“Nëse ne nuk e furnizojmë Ukrainën që ajo të forcojë ndjeshëm kapacitetin e mbrojtjes ajrore për t’iu kundërpërgjigjur raketave me preiçizion të lartë dhe municioneve të dërguara nga Irani, atëherë një numër i madh ukrainasish të tjerë do të bëhen refugjatë. Dhe shumë njerëz do të ngrijnë”, thotë Justin Bronk , Instituti “Royal United Services”.
Dimri do të ngadalësojë përparimin e të dyja palëve. Pyetja kryesore, që shtrojnë analistët, është se kush do të jetë i pozicionuar më mirë për të sulmuar kur bora të ketë shkrirë, në pranverë.
(Henry Ridgewell, Zëri i Amerikës)