BOSTON – Para disa ditësh, më ra në dorë libri në fjalë i gazetarit të njohur, Shefqet Meko, i cili prej 13 vjetësh jeton në Minesota të SHBA-së. 19 shkrime, ese, mbresa e refleksione të autorit që zenë 150 faqe, i lexova shpejt, pa i mbushur dy ditët. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Stili lakonik i autorit, “gdhendja” e bukur e frazave ( disa shkrime duken si proza poetike) e, mbi të gjitha mesazhet që përcjellin shkrimet, të bënin që librin mos e lëshonje nga dora.
Shefqeti ka qënë gazetar i Radio Tiranës, kur mori vendimin për të ardhur në Amerikë, në vitin 1999. Dikush mund të pyesë: pse e la Atdheun? Me punë ishte mirë. Me të ardhura jo keq. Shpjegimin e kësaj ikjeje , e bën vetë Shefqeti në faqet e para të librit , te shkrimi me titull” Shpjegim për ikjen time”, që është edhe një nga më të bukurit .” Unë jam një i ikur nga vëndi im. I ikur nga Shqipëria. Nga vëndi që e desha dhe më donte, nga vëndi që më dha ëndëra e pasione, që ma morri rininë nëpër aksione dhe mbrëmje tematike, por më dha dije e më mënçuroi, më poqi, më sprovoi , më torturoi , më dha bukë e më la të uritur , por gjithmonë më dha shpresë”. Ikjet kanë qënë një dëshirë e hershme e Shefqetit. Ato zenë fill kur ishte fëmijë dhe kalonte kodrën për të parë se çfarë kishte më tutje. “Ikje, joshje, dëshirë për aventura, dhe sërish kthehesha në shtëpinë me plitharë , ku shijonte aq shumë buka me djathë apo përsheshi me dhallë”. Ikjet vazhdojë për t’u shkolluar në Shkodër e Tiranë e pastaj me punë po në Tiranë. Por, ikja më e madhe ishte ajo nga Atdheu në vitin 1999. Si për shumë shqiptarë edhe për ikjen e Shefqetit nga Shqipëria, ndikuan e ngjarjet e vitit 1997.”Nuk do të kisha ikur prej vëndit tim , por ngjarjet tronditëse të vitit 1997, e tronditën thellë vetëdijen time. Nuk pendohem për ikjen time , sepse këtu jetoj më mirë, ndonëse qesh më pak. Ikja ime nuk lëndon askënd. Ikanakët vijnë dhe ikin. Marrin me vete shumë mall dhe brenga” shprehet autori. Te ky zë i Shefqet Mekos, është zëri i mijra e mijra emigrantëve shqiptarë, që lanë atdheun pas vitit 1990, për një jetë më të mirë, pasi nuk i mbante dot “djepi” që i përkundi. Veç ky “djep” i ndjek ata kudo ku janë, e nuk u ndahet edhe në ëndra , ashtu si nuk i ndahet edhe autorit të këtyre rradhëve.
Një homazh të veçantë përcjell autori në faqet e këtij libri për baballarët shqiptarë. Këtë mesazh, e nis nga babai i tij , i ndjeri Feim Meko , nga fshati Pretushë i Pogradecit, i cili “ e treti jetën për të mbetur i ndershëm e i nderuar” dhe e përcjell për gjithë baballarët tanë. Ata mbajtën jo vetëm peshën kryesore të familjeve por edhe peshën e Atdheut.”Ishin një brez i sakrifikuar por mbetën sa të sinqertë , aq edhe të mashtruar. Ata u zhgënjyen edhe nga ideali i komunizmit , pasi prisnin të hanin me “lugë floriri” por nuk hëngrën as me “lugë alumini”. Shumë prej tyre i plasën në burgjet nga që nuk ju bindën ligjit të hekurt, të tjerë u lënduan e u kërcënuan, madje mbetën edhe pa varr “ shprehet autori për baballarët tanë. Mirënjohja për babain e vet dhe gjithë baballarët shqiptarë, është mesazhi kryesor që përcjell autori në këtë ese. Mesazhi tjetër është që t’u ngjajmë atyre, të jemi punëtorë e të ndershëm si ata, të jemi bujarë e fisnikë, të dashur por edhe të rreptë kur e do puna, por mbi të gjitha të duam Shqipërinë. Për të kujtuar e respektuar më shumë baballarët tanë , ai hedh idenë që në Shqipëri të ketë një ditë për baballarët , ashtu siç ka në Amerikë. Eseja për babanë, mbyllet me një mesazh domethënës :” Sa të shtrenjtë bëhen baballarët kur ikin! Por, sa mirë është t’i duash e t’i respektosh ata sa janë gjallë!”. Duke lexuar këtë meditim të Shefqetit për babanë e tij dhe baballarët tanë, për nga bukuria dhe mesazhet që përcjell, do ta krahasonja me poemën e bukur” Baballarët” të Dritëro Agollit. Janë këto dy këngë të bukura për baballarët tanë, njëra në poezi e tjetra në prozë.
Vështrimi mbi jetën e komunitetit shqiptaro-amerikan në Minesota, ose bërja e një “skaneri” për këtë komunitet, është një synim tjetër i autorit. Ai vlerëson mjaft nga shqiptarët e këtushëm , të cilët me ambicjen e tyre , kanë lënë emër e janë bërë dikushi në realitetin e ri amerikan. Ndër shqiptarët që kanë lënë gjurmë në Minesota, ai përmënd studiuesin dhe dijetarin shqiptar , Arshi Pipa, i cili ka dhënë leksione të gjuhës shqipe në Universitetin e Minesotas. Përmënd doktorin e shquar , Maltin Repishti, të cilin e quan “pjesë të krenarisë kombëtare”. Flet edhe për Gazmend Xhelilin, i cili kur u martua, ftoi në dasëm gjithë shqiptarët e Minesotës. Një model i veçantë i shqiptarëve patriotë, bujarë dhe të kudondodhur në Minesota, është edhe Hiqmet Abedini, me origjinë nga Ohri, i mbijetuar në diktatin sllav , i cili ka një dashuri magjike për Shqipërinë e shqiptarët. Ai ka ndihmuar sa e sa shqiptarë të këtushëm. Autori i librit e quan atë “sinonim i mirësisë”. Por, ndërsa entusiazmohet nga shqiptarët që kanë bërë emër, ai edhe trishtohet që hapi i shqiptarëve këtu, nuk është si i disa komuniteteve të tjera si danezë, suedezë, norvegjezë, skocezë, grekë e gjermanë. Ai konstaton se disa shqiptarët këtu , janë e keqja e vetvetes, janë mosmirënjohës dhe sa kalojnë lumin , të thonë “të dhj…..kalin”. “ Nuk mjafton të jemi patriotë por duhet të jemi edhe njerëzorë. Nuk duhet të kërkojmë e të gjejmë cenet e njëri tjetrit, por meritat e njëri-tjetrit.”. E , megjithatë, autori nuk e sheh këtë si një fatkeqësi por si një proces në këtë rrugëtim të gjatë, për t’u bërë një komunitet dinjitoz e me vlerë. Ai e ngre zërin për një shkundje të këtyre shqiptarëve pasi Ameriaka , ky shtet model i demokracisë , të jep mundësi për të qënë pjesë e zhvillimit , për t’u bërë i gjallë , që të ndihet zëri dhe kontributi yt. Një kontribut të veçantë për pasqyrimin e vlerave të dy kombeve, shqiptarë e amerikanë, të trashëgimisë dhe kulturës shqiptare në Minesota, jep Instituti Shqiptaro-Amerikan për Mardhëniet dhe Kontributet, i themelurar dhe drejtuar nga Shefqet Mekua. Nëpërmjet veprimtarive të tij , ky Institut po bëhët një qendër komunikimi jo vetëm për shqiptarët e Minesotas por edhe për mjaft amerikanë , miq të Shqipërisë e shqiptarëve.
Mesazhet domethënës, të ndjekin faqe pas faqe të librit. Varrimi në Shqipëri i një vajze 12 muajshe , e lindur në Amerikë nga një çift shqiptarësh, Detar e Liljana Refatllari, le mbresë te autori, pasi sheh te këta njerëz të thjeshtë, një mesazh atdhedashurie ”një gur në themelet e mosharresës shqiptare”. Megjithëse një ngjarje e rëndë për çiftin e ri, ajo ka brenda shqiptarizmin. Mesazhe njerëzore, bazuar në traditën shqiptare të respektit për të vdekurit, ka edhe në shkrimin me titull ” Pse nuk erdhët në varrimin tim?”. Është “zëri” i një nëne shqiptare, Nadire Miminit, e cila vdiq në Amerikë por u varros në fshatin Bllacë të Pogradecit. Është tronditës fati i kësaj nëne të cilën e la burri nuse të re më dy fëmijë dhe u arratis në Amerikë, pasi nuk e duronte dot regjimin komunist. Ajo i rriti me lot e dhimbje fëmijët e saj por me nder. Pas agimit të demokracisë, bashkë më fëmijët e saj tashmë të rritur, erdhi në Amerikë dhe u bashkua me burrin. Por, një ditë ajo ndrron jetë dhe sipas amanetit, varroset në Bllacë me shumë nderime nga fshatarët e thjeshtë. Vetëm pushtetarët vendorë, nuk denjuan të marrin pjesë në varrim e të pinin një kafe sipas zakonit shqiptar. Ndaj kjo nënë i “akuzon” pushtetarët duke u “thënë” ndër të tjera:” Ju fshiheni pas “punëve të mëdha” por harroni se vuajtjet tona , sollën kohë të reja”.
Duke “udhëtuar” në faqet e librit të “ikanakut” shqiptar”takon”një sere personazhesh. Një nga ata është gazetari zvicera, Hans Muller. Ai niset nga Zvicra, për të takuar mikun e vjetër Shefqet Meko e familjen e tij si dhe komunitetin shqiptar në Minesota. Tek sheh progresin që kanë bërë shqiptarët këtu, në takimin e organizuar për nder të tij, ai shprehet:”Jam i entusiazmuar nga progresi që kini bërë. Vetëm duke rruajtur fort të mirën, kombet e vërteta begatojnë dhe ruajnë vlerat e veta”.Dhe, shqiptarët i përgjigjen: ”Njerzit e mirë si ju, sikur na i shtojnë të mirat”. Kjo vizitë, është një mesazh kujtese se vlerat e mira, bashkohen një ditë, sado larg që të jenë bartësit e tyre”.
Hapësirat e demokracisë amerikane, e cila ka në themel ligjin, një fushë tjetër ku autori hedh shikimin e tij . Vlerat e kësaj “miniere “ të çmuar, autori kërkon t’i përcjellë edhe te lexuesi shqiptar. Në Amerikë , ka një gërshetim të demokracisë, ligjit dhe parasë. Përballë çdo sjellje të keqe ( nësë nuk është krim) të kërcënon gjoba e “kripur”e cila të bën që t’i thëresësh mëndjes. Këtu nuk ka “hije” të madhi ose hije “shefi”. Këtu nuk bëhet fjalë që t’i përkasësh x partie që të punësohesh, siç ndodh në Shqipëri. Partia dhe shefi më i madh, është ligji, janë vlerat që mbart sejcili. Amerika është punë, është prakticitet jo “ëndër në beze”. Por, përballë të drejtave dhe lirisë që gëzon, sejcili duhet të gjejë hapësirën e vet , duke mos cënuar ligjin. Sigurisht edhe këtu që është vëndi më demokratik në botë, demokracia nuk është perfekte . Siç shprehet autori , vetë amerikanët janë kritikët më të mëdhenj të demokracisë së tyre”. Duke bërë paralele me vëndin tonë, autori thekson se qeveria amerikane, nuk i kërkon qytetarëve të vet të deklarojnë kombësinë apo besimin fetar. Ato janë çështje private të sejcilit qytetar.
“Vitet e një gazete” një shkrim tjetër interesant në faqet e këtij libri. Është fjala për gazëtën “ Studenti i bujqësisë”, organ i Komitetit të Rinisë të ish Institutit të Lartë Shtetëror të Bujqësisë ( sot Universiteti Bujqësor) Për 10 vjet , Shefqeti ka qënë kryeredaktor i saj , prandaj “sado që të kalojnë vitet , ato ruajnë magjinë e tyre”. Në faqet e kësaj gazete, shprehën talentin e tyre një numër studentësh , të cilët më von u bënë gazetarë të njohur si Ilir Kadia, Xhevdet Shehu, Martin Leka, Marash Mirashi, Robert Papa, Sokol Muho, Gjovalin Gjeloshi, Jakup Gjoçaj, Feti Zeneli, Gëzim Llojdia e plot të tjerë para tyre si Abdurahim Ashiku, Fiqiri Shahinllari, Qemal Sakajeva, Namik Dokle, Veli Hoxha, Pasho Baku, Xhevdet Bashllari, etj. Universiteti Bujqësor, petagogët e studentët e tij si dhe gazeta “Studenti i bujqësisë”, e krijuar në fillim të vitit 1969, kanë dëshmuar vlera për shoqërinë shqiptare. Studentët e këtij instituti, ishin ndër të parët që ju bashkuan lëvizjes për demokraci në fillim të viteve ’90. Lëvizja e tyre u pasqyrua në mënyrë dinjitoze nga kjo gazetë me kryeredaktor Shefqet Mekon, pavarësisht se disa herë ju “tërhoq veshi”nga eprorët. Siç shprehet ai ” gazeta mbijetoi përmes çensurës dhe dëshirës për të thënë sa më shumë”.
Ndër shkrimet e fundit që mbyll faqet e këtij libri, është ai me titull” Shihemi në Tiranë”. Është një zë i brëndëshëm që e thërret jo vetëm Shefqetin por të gjithë ne që kaluam shumicën e jetës në këtë qytet, për t’u kthyer një ditë atje , pasi “Tirana është qyteti më i bukur për ne të ikurit. Është qyteti ku sapo hedh hapin e parë , dikush të thërret me emër. Dikush të fton për një kafe a për një birrë. Aty “mbytesh”në “detin” e miqve, shprehet autori. Jnë fijet e lidhjes me Atdheun, që nuk ka forcë që t’i shkëputë.
Në këto rradhë, prekëm sado pak vlerën e librit të ri të “ikanakut” Shefqet Meko, i cili është munduar të ecë me dinjitet në rrugën e jetës. Më shumë dinjitet, më shumë kulturë e vlera njerëzore, më shumë mirëqënie, aspiron ai për bashkëkombasit e vet, kudo që janë. Sigurisht duke e lexuar librin, ai do “shijohet” si duhet. Botimi në fjalë, tregon se “ikanaku” Shefqet Meko, megjithëse në Amerikë nuk ushtron profesionin e gazetarit, pena e tij nuk është “ ndryshkur” aspak , përkundrazi është bërë më e mprehtë, siç e tregojnë edhe mjaft shkrime të tjera të tij , të botuara vitet e fundit në gazetat shqiptare në Tiranë apo në Amerikë. Kjo na bën që t’i themi Shefqetit: ”Presim edhe libra të tjerë prej teje!”.
Shkurt, 2013