Nga Shefqet A. Saliu
A jeni kurioz të dini kush ka qenë Kryeministri i dytë – i tretë – dhe i katërt i shtetit shqiptar, pas Ismail Qemalit?
Ishte Turhan Pashë Përmeti
Ishte i biri i Jahja Beut dhe u lind me 19 dhjetor 1846., në një familje të mëdha në qytezën e Përmetit. Rrënjët e tyre, nga linjë mashkullore, rrjedhin nga familjet e dëgjuara të Frashërllinjve, Sulejmanbellinjve dhe të Vilakëve, degë këto që kanë nxjerrë shumë njerëz të shquar. Nga ato familje që i dhanë historisë shqiptare një kontribut të çmuar në shekuj dhe që u ngrit në rang pashallarësh. Ata Ishin të lidhur, me krushqi edhe me familjet e dëgjuara Vlora dhe Libohova.
Turhan Pashë Përmeti në medresetë e Janinës mësoi arabisht dhe persisht, kurse në gjimnazin Zosimea[1] u diplomua duke marrë njohuritë themelore të shkencave. Më pas ka vazhduar Fakultetin e Drejtësisë në Athinë, ndërsa nga disa pedagogë privatë mori njohuri mbi të drejtën kombëtare, të drejtën romake, mbi historinë e hartimit dhe të nënshkrimit të të gjitha marrëveshjeve, duke filluar nga Paqja e Vestfalisë (1648) e deri te Kongresi i Vjenës në vitin 1815, si edhe njohuri mbi ekonominë ndërkombëtare.
Ai arriti të zotëronte osmanishten, arabishten, persishten, greqishten, frëngjishten, italishten, dinte edhe shqip.
Ngjiti shpejt shkallët e karrierës në administratën e Perandorisë Osmane, dhe u bë një diplomatët i shquar i saj, funksionar i lartë i ministrisë së Punëve të Jashtme.
Turhan Pashë Përmeti shërbeu si ambasador në Madrid, vali në Gjirit (Kretë 1895-1896), në kohën kur në ishull arrin kulmin kryengritja e 24 majit 1896, që çoi në humbjen e ishullit nga Perandoria Osmane; ministër i Punëve të Jashtme e ministër i Vakëfeve etj.
Ai dërgohej nga Stambolli pothuajse në të gjitha misionet në Evropë. Por, ka përfaqësuar Perandorinë Osmane si delegat i saj edhe në Konferencën e Dytë të Paqes në Hagë, duke mbajtur titullin Pasha i Perandorisë Osmane.
Turhan Përmeti u emërua Kryeministër dhe ministër i Jashtëm në kohën e Princ William Frederick Vid-it, në 15 mars të vitin 1914-të. Ishte Kryeministri i dytë në historinë shqiptare, që pasoi Ismail Qemalin, në një periudhe kohore, shumë të vështirë për njohjen e shtetit shqiptar.
Nga prapaskenat e Esat Toptanit u detyrua të jepte dorëheqjen, por Vidi e caktoi përsëri Kryeministër. Punoi me përkushtim të madh.
Në ditët e para të qeverisjes tij si Kryeministër Përmeti i dha një intervistë korrespondenti special të gazetës ‘La Tribuna’ në Shqipëri, Durrës. ku thuhet:
‘Kryeministri shqiptar deklaroi se ka synimin e vendosur të zbatojë një program të rimëkëmbjes ekonomike të Shqipërisë duke filluar me zgjidhjen e problemeve kryesore, pra hapjen e porteve dhe ndërtimin e rrugëve, sepse në mungesë të mjeteve të komunikimit, Shqipërisë i mungon jeta aktive. Duhet t’i tregojmë botës, shtoi shtetari i shquar, se Shqipëria është e aftë të punojë për rimëkëmbjen e saj dhe zhvillimin e brendshëm.
Prandaj do të na duhet të rrisim (përmirësojmë) kushtet e bujqësisë, të aktivizojmë prodhimet, të transformojmë kënetat.
Duke folur për politikën e jashtme, Turhan Pasha pohoi se Shqipëria duhet të bëhet një element paqeje dhe moderimi në Ballkan.
Ai përfundoi duke uruar që i gjithë kombi shqiptar të mblidhet rreth ministrisë kombëtare, në mënyrë që ta mbështetesë në detyrën e mundimshme që ka marrë dhe të meritojë kështu simpatinë e Evropës.’[2]
Qeveria e tij detyrën vazhdoi ta kryente deri më 3 shtator, kohë kur Princ Vidi u largua nga Shqipëria dhe qeveria e Përmetit pushoi së qeverisur .
Turhan Pasha Përmeti i besohet portofoli i Kryeministrit përsëri (për herë të tretë) nga Kongresi i Durrësit më 25 dhjetor 1918, ndër kohët më të turbullt dhe vendimtare për kombin shqiptar, por ai paçka se në moshë të vjetër bëri maksimalen e tij të mundshme.
Në Konferencën e Paqes në Paris, që u hap në shkurt 1919, shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar zyrtarisht, sepse Fuqitë e Mdha nuk e kishin njohur qeverinë që shqiptarët kishin krijuan në Durrës, megjithatë aleatët pranuan një delegacion, me Turhan Pashë Përmetin në krye.
Aty u diskutuan intensivisht kufijtë jugorë të Shqipërisë dhe Kryeministri përmetar dha një kontribut të çmuar. Gjatë negociatave me austro-hungarezët, me Italinëdhe veçanërisht me SHBA-të, ai hodhi poshtë kërkesat greke, bashkë me Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës, e të tjera dhe shumë patriotë të shquar. Dhe të gjithë bashkë bënë më të mirën e mundshme.
Qeveria e tij mbaroi funksionin, më 29 janar 1920, me fillimin e Kongresit të Lushnjës dhe me qeverinë e Sulejman Delvinës, ku ministra ishin disa nga ish-ministrat e qeverisë tij të 1918-ës, si Mehmet Konca, Mihal Turtulli etj.
Po përse në gjithë atë vorbull u caktua pikërisht Kryeministër Turhan Pashë Përmeti?! Ka gjasa ngaqë ishte një diplomat i shquar, me aftësi të rralla menaxhimi për zgjidhjen e situatave të vështira. Ai ishte bërë i njohur në Perandorinë Osmane, arriti në pozitën e një personaliteti të njohur nga brigjet e Atlantikut e deri në Rusi, nga Deti i Veriut dhe deri në thellësi të Orientit Islam, në Jemen e në Iran.
Ismail Qemali në “Kujtimet e tij” shprehet qartë se, “ishte kjo njohje ndërkombëtare që ai gëzonte dhe, personaliteti i tij i fuqishëm si menaxhues situatash të vështira, cilësitë e spikatura, që e vendosën Turhan Pashën në qendër të zgjedhjes së tij si Kryeministër të një shteti të ri, por problematik që po lindte në zemër të Europës”.
Si nëpunës i Perandorisë ishte i pranuar për Stambollin, i cili ende kishte shumë ndikim në tokat shqiptare; po ashtu, falë shërbimit diplomatik në San Petërburg, kishte njohje personale me carin e Rusisë, madje kishte fituar edhe miqësinë e tij.
“Si koleg i ministrit të Jashtëm austro-hungarez, Berthold, kur të dy ishin diplomatë të lartë në San Petërburg, ishte ky i fundit që e rekomandoi pranë Fuqive të Mëdha që të ishte Kryeministër i Principatës Shqiptare të Princ Vidit”.
Vidi ishte fryt i kompromisit të sallave të konferencave, Turhan Pasha ishte produkt i njohjeve të tij me krerët më të fuqishëm botërorë, veçse jo brenda sallave të diplomacive.
Vidi ishte Princi i kompromisit të zhurmshëm, kurse Turhan Pasha njeriu i kompromisit të heshtur.
Të dy krijonin balancën e duhur mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa Vidi ishte me plot kuptimin e fjalës fasada europiane e Shqipërisë së re postosmane, ashtu siç e kërkonin Fuqitë e Mëdha, Turhan Pasha, ndonëse i kaluar në moshë, ishte caktuar që me përvojën e tij të gjatë të ndihmonte sadopak menaxhimin e situatës së vështirë në Shqipëri
Nga memorandumet që u përcillte Fuqive të Mëdha, Turhan Pashë Përmeti do të bëhej një nga mbrojtësit më inteligjentë të tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Me një gjuhë të mirësjellshme diplomatike, Turhan Pashë Përmeti ka sensibilizuar opinionin evropian në kohën e Konferencës së Paqes në Versajë edhe për çështjen e Kosovës dhe tokave të tjera shqiptare, që u aneksuan nga Serbia, Mali i Zi dhe Greqia.
Kur zhbirilonte rrjedhën e historisë dhe përplasjen e fatit të Shqipërisë në dallgët e interesave të Fuqive të Mëdha, ai krijuar një bindje kritike edhe për Perandorinë Osmane dhe rolin e saj negativ për shqiptarët.
Nga fotografitë e pakta që kanë shpëtuar, krijohet edhe portreti i njeriut me shumë përvojë në shërbimet diplomatike: një mesoburrë i thinjur, me trup të lidhur, me fytyrë të vrenjtur e që pi i thelluar duhan.
Turhan Pasha vdiq në Neuilly, Francë, më 18 shkurt 1927. Njoftimi për vdekjen e tij u bë nga legata shqiptare e Parisit.
Disa bashkëkohës të Turhan Pashë Përmetit ishin kritikë ndaj tij, duke argumentuar se, për shkak se ai nuk ishte lidhur që herët me çështjen kombëtare shqiptare më parë, nuk ishte shumë në dijeni të nevojave të shqiptarëve…
Shefqet A. Saliu
[1] – Gjimnazi Zosimea në Janinë ishte më i njohuri gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe ndiqej gjashtë vjet. Në këtë gjimnaz, greqishtja mësohej 12 orë, latinishtja 4 orë e gjysmë, ndërsa frëngjishtja 3 orë në javë. Njihej si një shkollë klasike, në të cilën i kushtohej kujdes i veçantë retorikës, letërsisë së vjetër greke e romake, si dhe shkencave të natyrës. Kishte profesorë të ngritur, të aftë dhe një bibliotekë të pasur. Aty u shkolluan Kristoforidhi, Vreto, Naimi, Samiu, Abdyli, Ismail Qemali etj.
[2] – Nga Aurenc Bebaj, Francë: “Stamboul” ka botuar, të shtunën e 21 marsit 1914, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Turhan Pashës dhënë asokohe korrespodentit special të “La Tribuna” në Durrës në lidhje me rimëkëmbjen e Shqipërisë. Këtë artikull historik Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka dërguar për publikim në gazetën shqiptaro-amerikane ILYRIA, NY, nga ku është mare referenca.