Diplomatët evropianë: Anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga pesë anëtarët e përhershëm të KS

Bruksel, 6 mars 2023 – Kosova nuk do të kërkojë anëtarësim në Kombet e Bashkuara pa pajtimin eksplicit të pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së – Francës, Britanisë së Madhe, Amerikës, Rusisë dhe Kinës.

Kështu thuhet në një dokument që e posedon gazeta “Nova”, i cili është hartuar nga diplomatët që po punojnë në udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes evropiane për Kosovën e Serbinë. Në këtë mënyrë po bëhen përpjekje që të gjendet zgjidhje për kundërshtimin e Serbisë që të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe OKB-në, gjë që interpretohet si njohje joformale e pavarësisë.

Pëlqimi i Serbisë për pranimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare parashikohet në pikën 4 të projektmarrëveshjes dhe është kundërshtimi kryesor i Serbisë. “Nova” ka marrë përgjigjen e diplomatëve evropianë për këtë kundërshtim të Serbisë, e cila do të jetë pjesë e Udhërrëfyesit për zbatimin e marrëveshjes.

Njohja si kusht për anëtarësim në BE

Në dokumentin e titulluar “Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – Zbatimi i nenit 4”, thuhet se ky propozim është frymëzuar nga Traktati Themeltar i dy Gjermanive i vitit 1972 dhe se nuk bëhet fjalë për njohje reciproke, por për bashkëjetesë paqësore dhe për bashkëpunim.

“Republika Federale e Gjermanisë nuk e njohu kurrë Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe anasjelltas. Megjithatë, Traktati Themelor i vitit 1972 bëri të mundur që dy Gjermanitë të pranonin realitetin e ekzistencës së tjetrës. Kjo u mundësoi vendeve perëndimore që të zhvillojnë marrëdhënie me Republikën Demkratike të Gjermanisë. Nëse Serbia dhe Kosova kanë ambicie për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, së shpejti do të ndodhë normalizimi i plotë përmes njohjes reciproke. Tash për tash, bashkëjetesa përmes bashkëpunimit dhe marrëdhënieve paqësore është e vetmja gjë që kërkon bashkësia ndërkombëtare nga Serbia dhe Kosova, pavarësisht prej dallimeve midis tyre”, thuhet në dokumentin që diplomatët evropianë kanë përgatitur si shtojcë të Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjes Evropiane.

Sa u përket mosmarrëveshjeve rreth pikës 4 të marrëveshjes, në dokument thuhet:

“Autoritetet serbe thonë se fakti që Serbia nuk e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB përbën shkelje të qëndrimit themelor të Serbisë për të mos e njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur. Sipas mendimit të tyre, anëtarësimi në OKB është ekskluzivisht për shtetet sovrane dhe të pavarura, prandaj pëlqimi nënkupton njohje indirekte. Kjo nuk është domosdoshmërisht kështu”, thuhet në dokument.

Në favor të kësaj merren shembuj nga Ukraina dhe Bjellorusia, si edhe rasti i Izraelit.

Vetëm me pajtimin e pesëshes së përhershme të KS

Më tutje, theksohet se Serbia duhet të jetë e vetëdijshme për kufizimet e saj dhe se kundërshtimi i saj nuk është domosdoshmërisht pengesë për pranimin e Kosovës në OKB.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB varet ekskluzivisht nga pëlqimi formal i pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kosova nuk do të aspirojë anëtarësimin në OKB pa pëlqimin e qartë të pesëshes së përhershme”, thuhet në dokument.

Në këtë mënyrë, siç thonë diplomatët evropianë, pranohet se Rusia dhe Kina janë lojtarë të rëndësishëm gjeopolitikë, gjë që shpreh një gjest simbolik për Moskën dhe Pekinin. Ata besojnë se në këtë mënyrë zbjutet ndjeshmëria e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe theksojnë se Kosova nuk fiton asgjë nëse aspiron të bëhet anëtare e OKB-së pa pajtimin e pesëshes së përhershme.

Në përfundim thuhet se Serbia, me qasjen e saj konstruktive, po afrohet me Perëndimin, por edhe se ajo mund të ketë pasoja serioze.

Do të humbni edhe Kosovën edhe Perëndimin

“Sa i përket pikës së fundit, Serbia duhet të jetë e vetëdijshme se në ndryshimin e rrethanave gjeopolitike dhe tensioneve në rritje mes Perëndimit dhe Lindjes, është e mundur të arrihet një marrëveshje për stabilizim shumë shpejt. Anëtarësimi i Kosovës në OKB mund të përfundojë me këtë marrëveshje. Në atë skenar, Serbia do të humbiste gjithçka, përfshirë Kosovën dhe mbështetjen shumë të nevojshme nga Perëndimi. Kjo shtesë e thjeshtë e marrëveshjes, e cila nuk thotë asgjë tjetër veçse të dukshmes, mund të bëhet polica e sigurimit të Serbisë”, thuhet në dokument.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë. Aleksandar Vuçiq, në takimin e tyre në Bruksel, më 27 shkurt, janë pajtuar me tekstin e propozimit të Bashkimit Evropian.

Nënshkrimi i marrëveshjes pritet të bëhet pasi të jetë arritur pajtim për planin e zbatimit të saj.  Takimi i radhës i Kurtit e Vuçiqit është paralajmëruar të mbahet me 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)