Diplomati estonez Aivo Orav emërohet ambasador i ri i BE-së në Kosovë

Bruksel, 26 korrik 2024 – Këshilli i Bashkimit Evropian ka emëruar diplomatin estonez, Aivo Orav, përfaqësues të posaçëm të BE-së në Kosovë.

Orav do ta marrë detyrën më 1 shtator 2024 dhe do të ketë mandat fillestar prej dy vjetësh.

“Orav do të ketë rol udhëheqës në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, paqësore, demokratike dhe multietnike, e cila bashkëpunon me rajonin. Ai po ashtu mbështet perspektivën evropiane të Kosovës dhe afrimin me BE-në. Ai do të monitorojë, ndihmojë dhe lehtësojë përparimin në fushën politike, ekonomike dhe prioritetet evropiane”, tha BE-ja.

Shefi i ardhshëm i zyrës së BE-së në Kosovë ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka qenë shef i delegacionit të Bashkjimit Evropian në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi.

Orav, i cili aktualisht është përfaqësues i përhershëm i Estonisë në BE, e zëvendëson hungarezin Tomas Szunyog që e ka ushtruar këtë detyrë prej vitit 2020.

(r.m.)