Dirigjenti

Nga dr. Agim Z Dobruna

Nuk ka alegori (personifikim) më të qartë të pushtetit se veprimtaria e dirigjentit. Çfarëdo që ai bën, hedhë dritë mbi natyrën e pushtetit. Ky është në të vërtetë thelbi i esesë së nobelistit Elias Canetti. Dirigjenti qëndron në këmbë në një vend të ngritur, në ndërkohë që orkestra para dhe publiku pas shpine i japin atij pushtet absolut. Ai jep urdhra me një shkop që mban në dorë. Me një lëvizje të lehtë zgjon dhe gjallëron befas këtë apo atë zë, ndërsa zërat e tjerë heshtin. Ai në këtë mënyrë ka pushtet mbi jetën dhe vdekjen e zërave. Një zë i vdekur prej kohësh mund të ringjallet me urdhër të tij. Kështu larmia e zërave të instrumenteve mishëron larminë e njerëzve. Ai ka në dorë partiturën (ligjin) e tërë, për dallim nga anëtarët e orkestrës, të cilët e kanë vetëm pjesën e vet. Kjo e bën atë të gjithëdijshëm madje me pushtet absolut.

Ai është mësuar që të gjithë ta shikojnë dhe kjo i jep pushtet. I kthyer me shpinë nga publiku ai e imponon pushtetin mbi të si një heshtje varri. Sapo të ketë përfunduar, ai kthehet nga publiku, i cili ngjallet dhe është i detyruar ta duartrokasë. Hyn e del në skenë me duartrokitje deri në urdhrin e radhës, si brohoritja e lashtë për fitimtarin.

Ai ka një vështrim të mprehtë dhe e di çfarë bën e çfarë duhet të bëj secili instrumentist. Ai përfaqëson tërë veprën muzikore dhe përderisa zgjatë koncerti ai është mbreti i botës. Populli shqiptar është i pafat me liderët e vet, ndërkohë qe është në pritje të liderit (dirigjentit ) jo në kuptimin e një lideri autoritar, por të një autoriteti moral, që instrumentisti (individi), orkestra (familja), publiku (populli) t’i binden pa kushte në interes shtetëror e kombëtar.

Pushteti

Pushteti është fuqi. Pushteti politik është fuqi legjitime e institucionalizuar. Si duket, që nga lashtësia ai kushtëzohet me dy elemente që sot përkthehen si shkopi e karrota. Në traditën shqiptare thuhet se nëse dëshiron ta kuptosh dikë më mirë, jepi pak pushtet.

Në librin “Pushteti i të Papushtetshmëve” të Vaclav Havel, më kishte bërë shumë përshtypje mekanizmi shtytës (motori) i efikasitetit të pushtetit në botën e shteteve socialiste, pra shkopi e karrota.

Në disa diktatura ku prona private nuk i ishte nënshtruar shtetit, pushteti ushtrohej përmes brutalitetit të policisë. Ndërsa në diktatura tjera si ajo e socializmit shqiptar ku shteti ishte bërë punëdhënësi i vetëm dhe çdo pronë private ishte ndaluar, pushteti ushtrohej nëpërmjet kushtëzimit të punësimit. Këtyre dy elementeve kryesore iu bashkëngjitej një si dekor: pasioni revolucionar, heroizmi, shpirti i sakrificës dhe entuziazmit.

Personifikimi i pushtetit është politikani. Në shumicën e studimeve psikologjike politikanët në të vërtetë në rininë e tyre kanë pasur dëshirë të bëhen aktorë. Kjo tregon për nevojën e tyre për vëmendje, që është një nga karakteristikat kryesore të narcizmit. Ato madje janë përzierje e karaktereve narciste, makiaveliste, paranojake deri te psikopatia. Elementet kryesore të këtyre karaktereve janë nevoja për vëmendje dhe madhështia deri në ekzibicionizëm , të cilëve kur nuk u shkojnë punët mirë kërkojnë fajtorë kujdestarë (armiku i jashtëm dhe ai i brendshëm). Ata përherë kanë nevojë për një “kokë turku”. Ata janë gënjeshtarë shumë bindës, mashtrues, kërkojnë besnikëri nga të tjerët ndërsa vet nuk janë besnikë. Karakteri makiavelist i tyre ilustrohet me domosdonë e fitores, pastaj bisedojmë. Ose “qëllimi arsyeton mjetin”. Nuk çajnë kokën për etikë e moral. Karakteri paranojak i tyre ka të bëjë me mosbesim të përhershëm ndaj bashkëpunëtorëve e miqve. Ata kanë ego të tepruar dhe janë pjesë e aferave kriminale, financiare, seksuale dhe janë gënjeshtarë të përhershëm dhe të papërmirësueshëm.

Çdo ngjashmëri me politikanë real të rajonit NUK është tërësisht rastësore.

Dr. Agim Z. Dobruna është stomatolog nga Prishtina