Nga Ruben Avxhiu
Është Sulltan Nevruzi, po fillon Muaji i Shenjtë i Ramazanit, po vjen Pashka për Katolikë e Ortodoksë, festa më e madhe e të krishterëve, po vjen Pashka e hebrejve. Nga njëherë mblidhen shumë festa fetare në të njëjtën periudhë të kalendarit dhe askund nuk vijnë më natyrshëm bashkë sesa mes shqiptarëve.
Ky komb ka mbijetuar dhe do të vazhdojë të mbijetojë vetëm nëse di të ruajë harmoninë e bashkëpunimin pavarësisht prej besimit fetar, nëse mëson të shijojë mozaikun shumëngjyrësh në vend që të lakmojë uniformitetin e mërzitshëm të kombeve të tjera, që të mburret me zemërgjerësinë e tij në vend që të imitojë pasigurinë e atyre që kanë frikë nga larmia.
Shqiptarët shumë gjëra i kanë bërë keq në histori. Shpesh fati ka qenë i pamëshirshëm por edhe ne kemi pasur fajet tona. Mirëpo, një gjë e kemi qendisur bukur. Këtë punën e fesë.
Na gjeti koha e daljes në skenë të kombeve, të ndarë në shumë fe e besime, e ditëm të merremi vesh e të ndërtojmë një shtëpi të përbashkët. Falëm, duruam, pranuam e kuptuam, aty ku popuj më të pasur, më të mëdhenj e fuqishëm, më të organizuar e të shkolluar nuk mundën.
Si çdo e mirë edhe kjo është delikate. Edhe kjo është e brishtë dhe në rrezik. Edhe kjo nuk ka funksionuar gjithmonë në mënyrë të përkryer e vjen me ca bishta e me ndonjë teprim. Dikur madje e shpallëm Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë. Por edhe në mes të tërbimit, i prishëm kultet të të gjitha feve. Edhe në çmenduri kishte një lloj harmonie. Edhe urrejtja na erdhi e balancuar, ndëshkuan priftin edhe hoxhën.
Bektashinjtë ta gëzojnë Nevruzin se i kam shumë xhan të gjithë (me Baba Rexhebin e Detrotit çoç binim andej nga Gjinokastra), myslimanët kudo ku e mbajnë agjërimin ta kenë sa më të lehtë. Festa të bukura e mendje të hapura të gjithëve.