Disa këshilla nga Emigracioni për paraqitjen e formularëve

Avokati Kieran Both

Për ju Avokati Kieran Both

Plotësoni formularin me saktësi.

  • Mos harroni të nënshkruani formularin në hapësirën e caktuar posaçërisht për këtë gjë. Çdo formular i panënshkruar do të refuzohet dhe do të kthehet mbrapsht.
  • Përdorni versionin më të fundit (aktual) të formularit. Formularët mund t’i shkarkoni nga faqja jonë e internetit, t’i plotësoni në mënyrë elektronike dhe më pas t’i printoni për t’i dërguar me postë. Nëse keni nevojë për ndihmë në shkarkimin dhe printimin e formularëve, lexoni udhëzimet tona.
  • Mos dërgoni me postë një formular të cilin e keni dorëzuar tashmë në mënyrë elektronike.
  • Nëse i shkruani përgjigjet me dorë, përdorni bojë të zezë. Sigurohuni që gjithçka që shkruani në formular të jetë e qartë në mënyrë që kur të procesojmë formularin tuaj, informacioni që keni dhënë të mund të lexohet qartë. 
  • Sigurohuni që data kur ka dalë versioni i fundit i formularit dhe numrat e faqeve të jenë të dukshëm në fund të faqeve të printuara dhe që të gjitha faqet e plotësuara të jenë nga i njëjti version i formularit.
  • Nëse ndonjë nga faqet e formularit mungon ose është plotësuar nga një version tjetër i formularit, mund t’jua refuzojmë formularin. Plotësoni të gjithë formularin përveç rastit kur formulari ju udhëzon të kapërceni një ose më shumë pjesë apo pika të tij. Nëse nuk i plotësoni të gjitha pjesët e formularit, mund t’jua hedhim poshtë kërkesën për mungesë informacioni të plotë.
  • Nëse bëni ndonjë gabim, mbushni nga e para një formular të ri. 
  • Mos përdorni stilolaps evidencues ose korrektor të lëngshëm apo në formë shiriti. Skanerët që përdorim nuk do të lexojnë siç duhet informacionin në gri të lehtë, atë të theksuar me stilolaps evidencues ose të korrigjuar me lëng apo shirit korrektues.
  • Nëse po paraqisni më shumë se një formular, shkruani emrin tuaj, datën e lindjes dhe “numrin A” (nëse e keni një të tillë) me saktësi dhe në të njëjtën mënyrë në secilin formular (përveç rasteve kur keni ndryshuar në mënyrë ligjore emrin ose datëlindjen dhe po jepni prova për këtë). 

Paguani tarifën e saktë. 

Do të refuzojmë formularët e paraqitur me tarifa të pasakta ose të mangëta. Përdorni llogaritësin e tarifave për t’ju ndihmuar të gjeni tarifën e saktë.  Nëse po paraqisni disa aplikime, peticione ose kërkesa, ju rekomandojmë të dërgoni pagesa veç e veç për secilin aplikim, peticion ose kërkesë, pasi përndryshe, nëse bëni një pagesë të përbashkët për të gjitha dhe një nga aplikacionet, peticionet ose kërkesat refuzohet, refuzohen automatikisht dhe të gjitha të tjerat.

Përgatisni si më poshtë paketën me aplikimin, peticionin ose kërkesën tuaj

Ju rekomandojmë të përgatisni paketën tuaj duke renditur elementët e saj përbërës si më poshtë:

  • Çeku ose urdhër-pagesa ose Formulari G-1450. Autorizim për transaksione me kartë krediti. Nëse paguani me çek ose me urdhër-pagese, shkruani aty emrin e formularit që po paraqisni dhe “numrin tuaj A” ose një formë tjetër identifikimi që aplikohet kur bëhen pagesa me çek ose urdhër-pagesë. Nëse po paguani me kartë krediti, shihni faqen tonë të internetit “Pay with a Credit Card”
  • Formulari G-1145 i kërkesës për njoftim nëpërmjet internetit. “Request for e-Notification” (nëse ka të tillë). 
  • Formulari G-28 nëse e dërgoni nëpërmjet avokatit.
  • Formularin që po dorëzoni. 
  • Formularët shtesë nëse ka të tillë. 
  • Dokumentacioni mbështetës:

Paraqisni të gjitha dokumentat ose dëshmitë e renditura në udhëzimet që përmban formulari:

  • Dokumentet mbështetëse duhet të jenë në anglisht ose të shoqëruara nga përkthimi i plotë në anglisht, të cilin përkthyesi e ka certifikuar si të plotë dhe të saktë. Përkthimi në anglisht duhet të shoqërohet me vërtetimin përkatës nga përkthyesi ku shkruhet që ky i fundit është kompetent për të përkthyer nga gjuha e huaj në anglisht.
  • Paraqisni kopje të lexueshme të dokumenteve zyrtare. Me kopje të lexueshme nënkuptohen kopje të qarta dhe jo të zbehura; që nuk kanë vija ose shirita të lënë nga toneri; nuk janë as me kokë poshtë, as të shtrembëra për ndonjë arsye; teksti që përmbajnë nuk është i errët ose nuk mungon për shkak të ndonjë flete letre të palosur; dhe nuk kanë faqe që janë tërësisht të palexueshme.
  • Mos i dërgoni dokumentat origjinalë nëse diçka e tillë nuk ju kërkohet në mënyrë specifike në udhëzimet e formularit ose nga rregullorja në fuqi. Nëse së bashku me formularin dërgoni dokumente origjinale, pavarësisht se nuk jua kanë kërkuar, USCIS-i mund t’i shkatërrojë këto dokumenta. Dokumentat origjinale nuk do t’ju kthehen automatikisht.
  • Të gjithë formularët dhe dokumentet mbështetëse që keni paraqitur duhet të jenë të shkruara vetëm nga njëra anë, në format letre standart me përmasa  8 1/2 x 11 inç. 
  • Ju lutemi mos paraqisni dokumente provë duke përdorur media dixhitale, albume fotografike, albume me foto të ngjitura, të cilat nuk mund të procesohen dhe do t’ju kthehen mbrapsht.
  • Kur jepni foto ose të bashkangjitura të tjera, vini emrin tuaj në krye të faqes ose në pjesën e pasme të çdo fotografie. Nëse dërgoni foto origjinale me formularin tuaj, ato mund të bëhen pjesë e arkivës ose mund të shkatërrohen.
  • Mund t’i vini numra faqeve të dokumentave shoqërues dhe të përfshini aty dhe numrin total të faqeve që bashkëngjiten (për shembull, “faqe 1 nga 11”)
  • Shënoni në zarf dhe në letrën shoqëruese natyrën e kërkesës që po paraqisni. Për shembull, Aplikim për herë të parë ose Kërkesë për Ndreqje Statusi (Formulari 1-485). 
  • Shënoni në zarf dhe në letrën shoqëruese numrin e formularit. 
  • Mos përdorni staples të mëdhenj. Në vend të tyre, përdorni lidhëse metalike ose kapëse të mëdhaja dokumentash për të mbajtur së bashku aplikimet voluminoze. Vlerësohet veçanërisht shpimi i të gjithë dokumentacionit të paraqitur me dy vrima në pjesën e sipërme pasi e bën më të lehtë futjen në skedar. 
  • Etiketat (tabs) ngjitëse ndihmojnë në gjetjen e dokumentave që janë listuar si të bashkangjitur. Për arkivim të lehtë, vendosini në fund të faqes, jo anash. 
  • Nëse po dërgoni më shumë se një çështje në një zarf, ndajini qartë çështjet njëra nga tjetra duke i lidhur me lidhëse plastike ose lidhëse metalike siç u përmend më lart.
  • Nëse po e riparaqisni pakon në përgjigje të një kërkese për dokumenta shtesë (RFE), ju lutemi vendosni në fillim të paketës njoftimin që ju kërkon paraqitjen e dokumentave shtesë.
  • Kur adresoni paketën, sigurohuni që keni shkruar adresën e plotë që jepet në faqen e internetit të USCIS-it, duke përfshirë dhe rreshtin ku shkruhet Attn:, pasi ndihmon që të garantohet procesimi nga ana jonë i aplikimit, peticionit ose kërkesës që keni paraqitur.
  • Dërgoni formularët tuaj me postë në adresën e listuar në faqen e internetit të formularit përkatës. Mund t’i dërgoni formularët tuaj nëpërmjet shërbimeve postare USPS, FedEx, DHL ose UPS.
  • Ju inkurajojmë të ruani një kopje të pagesës suaj, së bashku me çdo numër gjurmimi të dhënë nga korrieri, për ta patur ju vetë në mënyrë që të mund të verifikoni statusin e dorëzimit të saj. Nëse aplikimin, peticionin ose kërkesën tuaj e dërgoni me postë në vendin e gabuar, ne mund ta refuzojmë me motivacionin që nuk është paraqitur në mënyrën e duhur dhe mund t’jua kthejmë mbrapsht që ta dërgoni nga e para.

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]