Distria Krasniqi shkon në gjysmëfinale në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”

Paris, 28 korrik 2024 – Xhudistja nga Kosova, Distria Krasniqi, ka shkuar në gjysmëfinale në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”, në kategorinë deri në 52 kilogramë. Atë e ndan vetëm një fitore nga medalja e dytë olimpike.

Distria e kaloi pa luftë rrethin e parë. Në rrethin e dytë ajo e mposhti me Ippon xhudisten nga Indonezia, Maryam March Maharani. Në çerekfinale ajo e mundi po me Ippon xhudisten nga Izraeli Gefen Primo.

Në duelin e gjysmëfinales ajo do të përballet me xhudisten italiane Odette Giuffrida. Me këtë xhudiste Distria i ka zhvilluar 10 duele. Prej tyre i ka fituar gjashtë dhe i ka humbur katër.

Kosova po merr pjesë në Lojërat Olimpike “Parisi 2024” me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletikë dhe dy notarë.

Të shtunën, boksierja Donjeta Krasniqi e shënoi fitoren e parë në kategorinë deri në 60 kilogramë. Në dujelin e dytë që do të zhvillohet të hënën, më 29 korrik, ajo do të përballet me kolumbianen Angie Valdes.

Deri më tani, Kosova i ka fituar tri medalje olimpike, të tria të arta dhe të tria në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi ia kishte sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike, nga “Rio 2016”. Dy medaljet tjera të arta i kishin sjellë në Kosovë xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

(r.m.)