Uashington, 20 qershor 2021 – Njëzet qershori është një ditë caktuar nga Kombet e Bashkuara në nderim të refugjatëve në mbarë botën.
Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UNCHR, thotë se Dita Botërore e Refugjatëve është “një rast për më shumë ndjeshmëri dhe mirëkuptim” mbi gjendjen e refugjatëve dhe aftësinë që ata kanë për t’u rimëkëmbur e për të rindërtuar jetën e tyre.
“Sot u bashkohem njerëzve anembanë globit në përkujtimin e Ditës Botërore të Refugjatëve, një ditë kur ne njohim guximin dhe humanizmin e miliona njerëzve të detyruar të largohen nga dhuna, persekutimi dhe lufta”, tha Presidenti Joe Biden, përmes një deklarate të dielën.
“Në këtë ditë, ne riafirmojmë angazhimin tonë të shenjtë për të lehtësuar vuajtjet përmes ndihmës humanitare dhe dyfishimit të përpjekjeve tona për të arritur zgjidhje të qëndrueshme për refugjatët – përfshirë edhe përmes zhvendosjes. Ne gjithashtu zotohemi të angazhohemi në përpjekje diplomatike për t’u dhënë fund konflikteve të vazhdueshme që detyrojnë refugjatët të kërkojnë një strehë të sigurt diku tjetër”, thuhet në deklaratën e publikuar të dielën nga Presidenti Jo Biden.
Sipas një raporti të UNHCR-së sot numri i refugjatëve në botë është më madh sesa ka qenë ndonjëherë, pavarësisht nga kufizimet dhe mbylljet e vendosura mbi popullatat dhe vendet për shkak të pandemisë COVID-19.
UNHCR u shpreh përmes një deklarate se “numri i njerëzve që u larguan nga luftërat, dhuna, persekutimi dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në vitin 2020 u rrit në gati 82.4 milionë, një “rritje prej 4% në krahasim me numrin rekord të vitit 2019 me 79.5 milionë të zhvendosur”.
“Ajo që është mjaft tronditëse”, tha për “Zërin e Amerikës” ndihmës Komisionerja e Lartë i UNHCR-së Gillian Triggs, “është se gjatë 10 viteve të fundit është dyfishuar numri i njerëzve që janë refugjatë ose të zhvendosur me forcë. Rreth 48% janë fëmijë ose të rinj, kështu që ne kemi vërtet gjenerata fëmijësh të ndarë nga vendet e tyre të origjinës.”
UNHCR i bën thirrje botës të kujtojë se, “Pas çdo numri qëndron një person që është detyruar të lërë shtëpinë e tij dhe një histori zhvendosjeje, shpronësimi e vuajtjesh. Ata e meritojnë vëmendjen dhe mbështetjen tonë jo vetëm me ndihma humanitare, por në gjetjen e zgjidhjeve për gjendjen e tyre të vështirë”.
Dita Botërore e Refugjatëve u shënua për herë të parë më 20 qershor 2001, duke përkujtuar 50 vjetorin e Konventës së vitit 1951 në lidhje me Statusin e Refugjatëve. Fillimisht u njoh si Dita e Refugjatëve Afrikanë, para se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ta përcaktonte atë zyrtarisht si një ditë ndërkombëtare në dhjetor të vitit 2000.
(Zëri i Amerikës)