Nga Avokati Kieran Both
Në Shtetet e Bashkuara, Dita e Falenderimeve (Thanksgiving Day) është një festë kombëtare. Në vitin 1621, pionierët e Plymouth-it dhe konfederata e disa tribuve amerikanësh autoktonë, Wampanoag, festuan së bashku festën e të korrave të vjeshtës. Kjo njihet sot si një nga festimet e para të Ditës së Falenderimeve në koloni. Për më shumë se dy shekuj, ditët e falenderimeve festoheshin nga shtete dhe koloni në mënyrë individuale. Kjo gjë vazhdoi deri në vitin 1863, kur në kulmin e Luftës Civile, presidenti Abraham Lincoln shpalli Ditën Kombëtare të Falenderimeve e cila u vendos të festohej çdo nëntor.
Në shtator 1620, një anije e vogël me 102 pasagjerë, që mbante emrin Mayflower, la brigjet e Plymouth-it, Angli. Mes pasagjerëve kishte një larmi separatistësh fetarë në kërkim të një vendi të ri ku të mund të praktikonin lirisht besimin e tyre si dhe personash të tjerë të joshur nga ideja e mirëqënies dhe perspektiva për të patur tokën e tyre në “Botën e Re”. Pas një udhëtimi përmes oqeanit, aspak të rehatshëm dhe të mbushur me rreziqe të papritura, që zgjati 66 ditë, anija lëshoi spirancën në afërsi të majës së Cape Cod-it, shumë më në veri të destinacionit për ku ishin nisur, gryka e lumit Hudson. Një muaj më vonë, anija Mayflower kapërceu gjirin e Massachusetts, ku Pelegrinët, emri me të cilin njihen tashmë, filluan punën për të ndërtuar një fshat në Plymouth. Gjatë të gjithë dimrit të parë aty, shumica e kolonistëve qëndruan në anije, të pambrojtur dhe u sëmurën nga skorbuti dhe sëmundje ngjitëse. Pranvera e parë në New England gjeti gjallë vetëm gjysmën e pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit që qenë nisur me anijen Mayflower. Në mars, kolonët që kishin mbetur dolën në breg, ku për habinë e tyre patën një vizitë nga një anëtar i tribusë Abenaki që i përshëndeti në anglisht.
Disa ditë më vonë, ai u kthye me një tjetër vendas amerikan, Squanto-n, anëtar i tribusë Pawtuxet që kishte qenë rrëmbyer dikur nga një kapiten anijeje anglez dhe ishte shitur si skllav përpara se t’ia mbathte në Londër dhe të rikthehej në vendlindje me një ekspeditë eksploratorësh. Squanto u mësoi pelegrinëve, të drobitur nga sëmundjet dhe mungesa e ushqimit, si të kultivonin misrin, si të nxirrnin lëngun e pasur me sheqer dhe kripëra minerale nga druri i panjës, si të zinin peshk në lum dhe të shmangnin bimët helmuese. Ai i ndihmoi gjithashtu pelegrinët të bënin aleancë me tributë lokale të konfederatës së Wampanoag-ut, aleancë që do të zgjaste për më shumë se 50 vjet e cila fatkeqësisht mbetet një nga të vetmit shembuj të harmonisë mes kolonistëve europianë dhe vendasve amerikanë.
Në nëntor të vitit 1621, kur të korrat e para të misrit të mbjellë nga pelegrinët dolën të bollshme, guvernatori William Bradford organizoi një festë ku ftoi dhe aleatët vendas amerikanë të kolonisë së sapokrijuar, mes të cilëve dhe kryetarin (The Chief) Massasoit të konfederatës së Wampanoag-ut. Festa zgjati tre ditë.
Sipas historianëve, mendohet se shumica e pjatave që u shërbyen aty ka të ngjarë të jenë përgatitur duke përdorur specie dhe metoda gatimi tradicionale të vendasve amerikanë. Duke qenë se pelegrinët nuk kishin furra pjekjeje dhe rezervat e sheqerit të anijes Mayflower në nëntor të vitit 1621 duhet të ishin shumë të pakta, mes ushqimeve që u shërbyen nuk kishte torta, kekra apo ëmbëlsira të tjera, që janë në qendër të festave që bëhen në ditët tona.
Gjatë Revolucionit Amerikan, Kongresi Kontinental caktoi një ose më shumë ditë falenderimi në vit. Në vitin 1789, George Washington-i lëshoi deklaratën e parë zyrtare për Ditën e Falenderimeve nga ana e qeverisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, përmes së cilës i bëri thirrje amerikanëve të shprehnin mirënjohjen që lufta për pavarësi e vendit kishte përfunduar mirë dhe që Kushtetuta e SHBA-së ishte ratifikuar me sukses. Në vitit 1817, New York-u do të bëhej i pari mes disa shteteve që e ktheu zyrtarisht në festë të përvitshme Ditën e Falenderimeve. Në kulmin e Luftës Civile, Abraham Lincoln-i, iu lut të gjithë amerikanëve t’i kërkonin Zotit “të merrte nën kujdesin e tij të ngrohtë të gjithë ata që lufta e përvuajtshme civile i ktheu në vejusha, jetimë, vajtues në zi dhe të vuajtur” si dhe “të shëronte plagët e kombit”. Ai caktoi si Ditë të Falenderimeve të enjten e fundit të nëntorit. Kjo festë u festua çdo vit në atë ditë deri në vitin 1939, kur Franklin D. Roosevelt e përshpejtoi me një javë për të nxitur shitjet me pakicë gjatë periudhës së Depresionit të Madh.
Në shumë familje amerikane, festimi i Ditës së Falenderimeve e ka humbur ndjeshëm rëndësinë fetare që kishte në fillimet e tij; tashmë është bërë një festë që ka në qendër të saj gatimin dhe ndarjen e një ushqimi të bollshëm me miq dhe të afërm. Gjeli i detit, që përbën ushqimin bazë në çdo tavolinë që feston Ditën e Falenderimit dhe është kthyer thuajse në sinonim të festës, mund, por edhe mund të mos ketë qenë mishi që u servir në atë festë të parë të Pelegrinëve në vitin 1621.
Megjithatë, sot, thuajse 90 përqind e amerikanëve hanë gjel deti në Ditën e Falenderimeve. Mes ushqimeve të tjera tradicionale që serviren mund të përmendim gjellën me të cilën mbushet gjeli, purenë e patateve, salcën me boronicë të kuqe si dhe tortën me kungull. Zakonisht, në Ditën e Falenderimeve njerëz të ndryshëm dhe komunitete dalin vullnetarë që të mbledhin ushqime si dhe shtrojnë dreka falas për ata që nuk kanë mundësi të festojnë këtë ditë.
Pjesë përbërëse e festimeve janë bërë dhe paradat e organizuar nëpër qytete e qyteza kudo në Shtetet e Bashkuara. Parada më e madhe e Ditës së Falenderimeve është ajo që organizohet që prej vitit 1924 nga Macy’s, një ndër dyqanet më të mëdha të New York City-t. Aty parakalojnë banda muzikore, interpretues të ndryshëm, njerëz të njohur hypur mbi makina parakalimi, tullumbace gjigande në formën e personazheve të ndryshme të filmave me kartona për fëmijë.
Duke filluar nga mesi i shekullit të 20-të, ndoshta dhe më herët, filloi tradita e “faljes” nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të jetës së një ose më shumë gjelash deti të Ditës së Falenderimeve, duke bërë që shpendët të cilëve u “falej jeta” të mos therreshin, por dërgoheshin në një farmë ku rrinin deri sa u vinte fundi i natyrshëm. Një numër guvernatorësh të SHBA-së bëjnë gjithashtu çdo vit të njëjtin ritual të faljes së jetës së gjelit të detit.
Disa prej amerikanëve autoktonë si dhe shumë të tjerë nuk janë dakort me mënyrën se si u është paraqitur Dita e Falenderimeve publikut amerikan në përgjithësi dhe fëmijëve të shkollave në veçanti. Sipas tyre, narrativa tradicionale e shtrembëron të vërtetën mbi marrëdhëniet mes pelegrinëve dhe popullsisë Wampanoag duke i paraqitur ato marrëdhënie më të ngrohta se ç’kanë qenë në të vërtetë.
Informacioni i përfshirë në këtë artikull u përshtat nga: Thanksgiving 2021, History.com, October 27, 2009, https://www.history.com/topics/thanksgiving/history-of-thanksgiving (Marrë më November 24, 2021)
U urojmë me gjithë zemër të gjithë lexuesve tanë dhe stafit të palodhur të gazetës “Illyria” ta kalojnë sa më gëzueshëm Ditën e Falenderimeve 2022.