Nga Mithat Dine (pjesë nga libri i tij )
… Rreshteri thirri me zë të lartë:
– Mos luaj nga vendi, se jeni të rrethuar, por më mirë është që të dorëzoheni!
Elezi u rrotullua me shpejtësinë e predhës nga ana që erdhi zëri, shtiu me zjarr andej dhe u shtri barkas. Krisi pushka e automatiku. Elezi vritet që në pushkët e para.
I stërvitur me të tilla situata të rrëmujshme, Beqiri Sina mori masa me gjakftohtësinë më të madhe, sepse e pa se ishte në një rrethim, nga ku ishte shumë e vështirë që të shpëtonin. Ai nxori granatat dhe ua hodhi ushtarëve në një drejtim, e pas tyre edhe dy bomba tymuese. Duke prerë si me sharë me automatikun e tij përpara nëpër tymin e bombave, çau rrethimin dhe doli jashtë. U vranë tre partizanë dhe u plagos një tjetër, por ai vet u plagos në këmbë.
Beqiri zbriti tatëpjetë në një brinjë, sepse malit lart nuk mundej të çante borën e madhe, por edhe prej gjurmëve të tij do të diktohej shumë lehtë nga ndjekja. Kaloi përmbi katund dhe u fut tek një katundar, për të mjekuar plagën e këmbës, që i kullonte gjak. E pastroi, e lidhi me një pece dhe sikur e mori pak veten. Vendosi që të dilte, për të mos e dëmtuar katundarin, por partizanët hynë në katund sapo bëri hapat e para. Katundari e fshehu shpejt në një mullar gjethi, derisa të largoheshin partizanët.
Në oborin e shtëpisë së katundarit, ku Beqiri mjekoi plagët, ngelën pika gjaku. E shoqja e katundarit të Lukanit kapi shpejt një pulë, i këputi kokën e hodhi pikërisht në vendin ku kishin rënë pikat e gjakut nga plaga e Beqirit, me qëllim që partizanët të mos dyshonin. Sapo partizanët hynë në obor iu ranë në sy njollat në shesh dhe pyetën se çfarë ishte ai gjak? E shoqja e katundarit iu tregoi pulën, që ende hidhej përpjetë nëpër obor. Ata dolën jashtë pa bërë asgjë.
Pas pak Beqiri doli nga mullari dhe mori rrugën drejt Qafës së Benës, i tronditur nga plaga dhe nga meraku se ndoshta partizanët mund ta kapnin në mes të fshatit. Por sapo u fut në rrafshin e Benës, partizanët e panë dhe iu derdhën nga pas, duke e qëlluar për gati një gjysmë ore. Beqiri mblodhi gjithë fuqinë fizike, që i kishte mbetur, për të hyrë në pyll dhe në mes të disa shkëmbinjve, sepse atë vend ai e njihte shumë mirë. I lodhur dhe me gjysmë shpirti, ai u fut në mes të atyre shkëmbinjve, por nuk pati kohë të shlodhej e të merrte sadopak frymë lirisht, sepse partizanët iu afruan.
Beqir Sina mbante gjithmonë me vete një pushkë me dy kollanë fishekë, një automatik nga ata të financës italiane dhe nagantin me shtatë fishekë. Shpesh herë e pyetnin pse ngarkohej kaq rëndë, e ai përgjigjej:
– Neve jemi të arratisur, – thoshte, – dhe kushte e malit na shtrëngojnë që të mbahemi gjithsesi. Kur na rrethojnë në afërsi, na duhet të përdorim bombat dhe automatikun. Kur na rrethojnë në largësi, ai që ka automatik është vetëm sa për numër, prandaj unë mbaj edhe pushkë për larg. Kurse revolen e mbaj me dy qëllime; e para për të luftuar fyt për fyt me kundërshtarin dhe e dyta, për të vrarë veten në rast nevoje.
Beqiri kishte zënë një vend të përshtatshëm edhe për t’u mbrojtur edhe për të pasur nën kontroll lëvizjet e kundërshtarëve, por ata e mbulonin Beqirin si me numrin e tyre të madh ashtu edhe me të shtënat e tyre nga të katër anët. Lufta e këtij trimi zgjati që nga agimi deri në orën tre mbasdite. Partizanët sulmo e Beqiri prit, duke i futur në thepin e martinës së tij, që këndonte si qyqe e vetme kundër qindra të tjerave dhe duke përhapur zërin e saj të tmerrshëm përmes grykës së Selishtës.
Vdekjen ai e kishte parasysh, sepse e shihte që nuk kishte shpëtim. Gjashtë orë e ca zgjati lufta e tij me partizanët deri kur iu mbaruan fishekët, ndërsa ata vazhdimisht sulmonin duke thirrur: “Me dorë ta zëmë tradhtarin!”. Beqiri e hodhi pushkën kur iu mbaruan fishekët e saj dhe rroku automatikun. Sapo partizanët nisën një sulm të ri, ai iu ngrit në këmbë ballë për ballë një aspiranti, një rreshteri dhe dy partizanëve, tërhoqi këmbëzën automatikut dhe duke prerë si me kosë, iu thirri: “Kështu e zini ju të gjallë Beqir Sinën”. Ata që të katër e përqafuan, duke e gërvishtur me thonjtë e tyre të kuqe e të pajetë, tokën nën këmbët e Beqirit.
Partizanët e ndërprenë sulmin e tyre për pak minuta sapo panë shokët e tyre, që shkuan në atë jetë, por prapë e përsëritën edhe më të ashpër. Ata hodhën bomba me shumicë dhe e qëllonin pa ndërprerë me automatikët e tyre, derisa Beqiri u plagos në kofshë. Ai ndryshoi vend dhe ua zbrazi edhe karikatorin e fundit në fytyrë. Ata e panë pisk dhe për pak minuta përsëri e ndërprenë pushkën.
Beqiri tani kishte mbetur vetëm me shpresën e nagantit me shtatë fishekë, kundër qindra armëve kundërshtare, që i ishin drejtuar dhe shënonin pa pushim kundër tij. Ai u mundua të ndalonte gjakun, që i kullonte rrëke nga plaga, por kjo ishte e pamundur, sepse nuk kishte me çfarë ta lidhte e ta mjekonte, ndërsa dëgjoi një zë që e thirri:
– Dorëzohu, Beqir, se nuk kemi për të vrarë!
– Unë po të dorëzohem, – iu përgjigj Beqiri, – por le të afrohet tek unë vetëm komandanti për të më marrë, se jam i plagosur, por ai të vijë vetëm, se përndryshe do t’iu vras.
Kapteri, i cili me vrasjen e aspirantit kishte mbetur komandant, duke menduar se do të merrte një dekoratë dhe do të ngrihej në gradë për kapjen e Beqir Sinës të gjallë, u ngrit në këmbë dhe me automatikun në dorë nisi t’i afrohej atij. Duke kapërcyer disa pengesa gurësh e shkurresh, dhe duke i dërdëllitur Beqirit të mos shtinte, se nuk do ta pushkatonin, por se po vinte për ta marrë në dorëzim, kapteri u afrua mjaft. E atëherë Beqiri ia numëroi katër plumba në gjoks me nagantin e tij. Kapteri u shtri sa gjatë e gjerë në këmbët e tij, e Beqirit i ngelën veçse tre fishekë në revole, nuk kishte si të luftonte më, prandaj ia ktheu gjoksit të vet grykën e nagantit.
Partizanët e gjetën Beqirin të vrarë dhe me gishtin në këmbëzën e revoles të drejtuar nga gjoksi i tij. Trupin e tij e dërguan në Peshkopi. Kështu përfundoi jeta e trimit me zë Beqir Sina, i cili deri në frymëmarrjen e fundit gjithçka ia kushtoi Atdheut të dashur, Idealit Kombëtar, që është Nacionalizma Shqiptare, duke mbajtur lart sedrën e tij tradicionale burrnore dibrane, duke i qëndruar besnik Kanunit të Lekës. Deri në vdekje ai nuk diti se si është zmbrapsja përballë çfarëdo pengese dhe vështirësie, por e bëri fli jetën e tij, për hir të nacionalizmit shqiptar, duke iu futur tmerrin kuqalashëve ndërkombëtarë.