Nga Ruben Avxhiu

Këtë vit, Dita e Pavarësisë së Kosovës rastis në të njëjtën ditë me Ditën e Presidentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo festë amerikane, e cila në SHBA festohet të hënën e tretë të muajit shkurt, nisi si festë për të nderuar presidentin e parë dhe babain e kombit amerikan George Washington, por më vonë ka marrë një kuptim më të gjerë dhe nderon rolin e presidentëve amerikanë në historin e vendit.
Zyrtarisht në letër njihet ende si Dita e Washington-it, sepse një përpjekje për ta kthyer në Ditën e Presidentëve për të festuar njëkohësisht edhe ditëlindjen e George Washingtonit (23 shkurt) dhe atë të presidentit Abraham Lincoln (12 shkurt) nuk mori dot votat e mjaftueshmë në Kongresin Amerikan. Megjithatë, në të gjithë deklaratat zyrtare dhe në kalendare shënohet si Dita e Presidentëve.
Meqë këtë vit po rastis me festën e pavarësisë së Kosovës, ia vlen të kujtojmë dhe të nderojmë edhe ne, disa presidentë amerikanë që drejtpërdrejt ose tërthorazi kanë pasur rol në pavarësinë e Kosovës.

Do ta filloja me Presidentin Woodrow Wilson, që luajti një rol të madh që kombi shqiptar të kishte shtetin e tij, populli më i vogël në numër që arriti mëvetësinë në Europën Lindore, pas Luftës së Parë Botërore. Kjo nuk ka lidhje me Kosovën, madje kufijtë e Shqipërisë lanë jashtë Kosovën dhe troje të tjera etnike shqiptare, por pa Shqipëri nuk do të kishte Kosovë. Ai ishte guri i themelit të sovranitetit shqiptar.
Do ta vijoja me Presidentin George HW Bush dhe Paralajmërimin e tij të famshëm të Krishtlindjes, në dhjetor 1992, kur i deklaroi Sllobodan Millosheviqit, diktatorit serb të Jugosllavisë, se nëse përdorte dhunën ushtarake dhe hapte vatër lufte në Kosovë, Shtetet e Bashkuara do të ndërhynin.

Një nderim të veçantë meriton Presidenti Bill Clinton, i cili në vitin 1999, siguroi pajtimin e të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe urdhëroi bombardimin e Serbisë, për të shpëtuar popullin e Kosovës nga katastrofa humanitare. Ky operacion ushtarak mbaroi me çlirimin e Kosovës dhe kthimin në atdhe të mbi një milion shqiptarëve të dëbuar me dhunë.

Nderimi i fundit është për Presidentin George W Bush, i cili paralajmëroi publikisht pavarësimin e Kosovës me deklaratën e tij “Enough is enough!” gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2007. Nën drejtimin e tij SHBA qe ndër vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës si dhe ndërmori një fushatë mbarëbotërore, duke përdorur fuqinë e saj të madhe diplomatike për të bindur vende anembanë botës demokratike që ta njihnin Kosovën si shtet të pavarur.

Nderim për këta njerëz që besuan te ideali amerikan, te një Amerikë si e quajti Presidenti Ronald Reagan, një “Qytet që ndriçon majë kodrës”. Nën drejtimin e George Washingtonit, amerikanët vendosën të mos ishin më një koloni e Anglisë, por një shtet i pavarur, duke frymëzuar popujt në mbarë botën që të kërkonin lirinë e tyre, fundin e kolonializmit dhe vetëqeverisjen. Zjarri që ndezi pavarësia amerikane me presidentin e parë vloi i pashuar edhe në imagjinatën e shqiptarëve gjatë shekullit 20, qendresa e të cilëve në ish-Jugosllavi ishte heroike. Ndonëse në kushte të pabarabarta, megjithë kompromiset e mëdha të kohës, e sakrificat e ditura, sot kemi një shtet të pavarur me emrin Republika e Kosovës. Është gati gjysma e botës sonë shqiptare. Simbol i mbijetesës së një ëndrre të pashuar.
Gëzuar pavarësinë e Kosovës!


