Dita e tetë e agresionit rus në Ukrainë, Zelensky zotohet se ukrainasit do të rezistojnë

Kiev, 3 mars 2022 – Të enjten, kur agresioni rus ndaj Ukrainës hyri në javën e dytë, trupat ruse kanë vazhduar pa ndërprerë me sulme raketore dhe artilerike ndaj kryeqytetit, Kiev, dhe qyteteve kryesore të Ukrainës.

Por, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u zotua se ukrainasit do të rezitojnë dhe do të përballojnë të gjitha sulmet e Rusisë.

“Ne jemi një popull që brenda një jave i kemi shkatërruar planet e armikut”, tha Zelenskyy, të enjten.

“Ata nuk do të kenë paqe këtu. Nuk do të kenë ushqim. Nuk do të kenë këtu asnjë moment të qetë”, theksoi Zenensky.

Por ndërkohë trupat ruse kanë vazhduar sulmet dhe bombardimet e objekteve strategjike dhe objekteve të shërbimeve civile në Ukrainë.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të enjten se Kharkivi, Chernihivi dhe Mariupoli mbeten ende në duart e Ukrainës, pavarësisht sulmeve raketore e artilerike të pandërprera.

E paqartë mbetet situata në Kherson, ku trupat ruse kanë hyrë në qytet. Të dy palët pretendojnë se e kontrollojnë qytetin.

Një zyrtar i lartë amerikan i Mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara besojnë se Rusia i ka shkrepur mbi 450 raketa ndaj objekteve të sigurisë dhe objekteve civile në Ukrainë, që nga fillimi i agresionit, të enjten e kaluar.

Ditën e tetë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës pritet të zhvillohet radundi i dytë i bisedimeve për një armëpushim eventual. Delegacionet e dy vendeve pritet të paraqesin qëndrimet e udhëheqjes së shteteve të tyre lidhur me kërkesat dhe propozimet e paraqitura nga të dykja palët në takimin e parë, para tri ditësh.

Takimi i parë nuk dha kurrfarë shprese  se palët do të merren mesh për armëpushim dhe për vendosje të paqes. Pala ukrainase bëri të ditur se ka kërkuar që forcat ruse të ndërpresin operacionet ushtarake dhe të tërhiqen nga gjithë territori i Ukrainës. Ndërkaq  pala ruse kapërcjellë tri  kushtet e vëna nga Presidenti Vladimir Putin: njohja e sovranitetit  rus  në Krimenë e okupuar në vitin 2014, çmilitarizimi i Ukrainës dhe neutraliteti ushtarak i Ukrainës.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë dhe për krijimin e korridoreve humanitare.

“Kjo luftë duhet të ndalet tani. Unë bëj thirrje për një armëpushim të menjëhershëm. Unë bëj thirrje për krijimin e menjëhershëm të korridoreve humanitare”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Borrell ka thënë se Bashkimi Evropian po e mbështet Moldavinë, e cila po pret që nga Ukrainë të arrijnë mbi 20.000 fëmijë të evakuuar nga lufta.

(r.m.)