Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj në respekt të ditës së mësuesit.
Dija dhe shkolla janë binomi më i nevojshëm i një kombi nga të cilat merr zhvillim dhe përparim jeta njerzore, sepse siç thoshte i Madhi At Gjergj Fishta: “vetëm shkolla bijvet t’nierit u ep m’sime të mbara” prej së cilës konsolidohet edhe egzistenca e vazhdimsisë së tij.
Në shekuj është dëshmuar se nevoja për dije, shkrim e këndim në gjuhen e nënës ka qenë një sfidë e vazhdueshme e popujve e në veçanti e shqiptarëve të cilët punuan me mish e me shpirt për të kultivuar ndër breza arsimin dhe dijen në mënyrë që të mbronin identitetin e vet të vazhdimsisë që nga lashtësia deri në ditët tona.
“DITURIA ËDHTË FORCA NGA E CILA ARRIHET ÇDO FITORE” ndaj edhe pushtuesit dhe sunduesit e huaj bënin çmos për ta ndaluar arsimin dhe gjuhen shqipe në mënyrë që populli të humbiste identitetin e vet autokton. Kjo ka bërë që bijtë më të ndritur të këtij kombi të punojnë me vetmohim për të përhapur dritë me shkrim e këndim në trojet etnike e në veçanti ato të veriut ku metritat më të mëdha u takojnë klerikëve françeskan të cilët e nisën me formulën e pagzimit dhe e përfunduan me idealet e shenjta “për fe e atdhe”. Ata ditën të mbjellin farën e atdhedashurisë në zemrat e shqiptarëve, me fjalë, me vepra e me mendime, siç thoshte edhe At Anton Harapi: “Mos të rime tue njehsue e tue theksue çka na dallon, por ma fort të ngrehim për çka na bashkon.. Ne kemi historinë, kemi idetë, ndjesitë jetësore, zakonet, kangët e shpresës, shpirt dhe interesa të përbashkëta. Kemi gjuhen dhe të tjera visare të nevojshe nëpër të cilat ne jemi një, në mënyrë të pandashme qysh prej fillesës së jetës”.
Me këto mendime e pikpamje për jetën e malsorëve klerikët françeskan dhanë edhe kontribute të çmuara në arsimim, kështu mësuesit e parë shqiptar në trevat e veriut mësimet fillore i morën pranë kishës ose në shkollat e hapura prej tyre në qytetin e Shkodrës. Pas këtyre studimeve ata u bënë edhe pishtarët e parë që mësuan shkrim e këndim në shkollat laike të malsisë ku do veçoj ato në Malësinë e mbetur jashtë kufijve të trungut etnik, nën Malin e Zi. Në vitin 1914, me t’u formuar komunat: Tuz, Rapshë, Traboin dhe Grudë e më vonë ajo e Vranjes, në të njëjtën kohë u hapën edhe shkollat e para në gjuhën shqipe.
Me 1916 në Triepsh, Priften, Dinoshë, Tuz dhe Hot do të hapen shkollat shqipe me mësues nga fshati Arbanasi afer Zares (Dalmaci-Kroaci), në mësin e tyre ishin edhe Josip Rela dhe Josip (Zef) Duka.
Sipas dokumentave zyrtare mes të dy luftërave botërore nuk ka patur shkolla shqipe Hot, Grudë, Triepsh dhe Kojë. Ato u hapen vetëm mbas luftës së dyte botërore. Edhe pse cilësohemi si pakica etnike sot në Malësinë e Mait të Zi, veprojnë katër shkolla tetëvjeçare (Tuz, Skorraq, Stjepov dhe Dinoshe) dhe gjimnazi në Tuz dhe vetëm në Tuz janë 4 shkolla fillore:
Shkollat fillore ,,Mahmut Lekiq”
Shkolla fillore ‘’29 nëntori”- Dinoshë
Shkolla fillore ‘’Gjergj Kastrioti – Skenderbeu’’
Shkolla fillore ‘’Bashkimi’’,
ndërsa arsimi i mesëm në gjuhën shqipe realizohet në Gjimnazin e Tuzit.
Vlen të theksohet se kontributi i arsimtarëve të parë të njëkoshëm me RILINDASIT TANË, në përhapjen e gjuhës shqipe, sa vjen e po venitet pasi pa sforcime, imponime apo edhe arsyetime bie në sy mungesa e respektit dhe vlersimit të gjuhes shqipe në komunitetin shqiptar në Tuz, fenomen ky që shihet rerëndomtë tek malsorët të cilët sa vjen e më pak komunikojnë në shqip duke i dhënë rëndësi parsore gjuhes sllave si begeni për tu dukur apo akoma më keq si një tendencë për të mos u identifikuar si shqiptar. Pak e nga pak asimilimi kulturor po na mbyt si etnitet, si malsor e shqiptar në truallin e vet. Kjo është e pa falshme ndaj u bëj thirrje malësorëve me gjak të pastër shqiptari ta duan, ta nderojnë dhe ta kultivojnë me fanatizëm gjuhën e nënës në familjet e tyre, kudo ku ata jetojnë e veprojnë në kohë e në hapsirë, në çdo cep të kësaj bote.