Dy anije të Forcave Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen e zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë, që u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri Peleshi, i cili ka postuar në rrjete sociale pamjet nga misioni për të shuar zjarrin, ndërsa më tej sqaron se zjarri ka rënë jashtë ujërave tona fillimisht, por tashmë operacioni po kryhet në territorin tonë, 5 milje larg Porto Palermos.
Ndërkaq, në operacionin që po drejtohej nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e forcës tonë detare.
“Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det.
Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos.
Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117. Më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija”, shkruan Peleshi.
Ndër të tjera, vijon ende të dalë tym nga trageti dhe mbeten rreth 14 persona të zhdukur. Kjo është bërë e ditur nga numërimi i personave të tjerë që kishin hipur në varkat e shpëtimit. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon ende për të gjetur pasagjerët e zhdukur ndërsa 2 mësohet se janë bllokuar brenda anijes.
Në bordin e anijes ndodheshin 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit. Sapo është përfshirë nga flakët, kapiteni i tragetit ka kërkuar dhe urdhëruar braktisjen e saj dhe pasagjerët hipën menjëherë mbi varkat e shpëtimit.Në vendngjarje mbërritën menjëherë tre anije të rojës bregdetare greke, rimorkiatorë dhe anije të tjera që ndodheshin pranë. (TCh)