Prishtinë, 25 dhjetor 2021 – Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, nga mesha solemne e Krishtlindjes, bëri thirrje për dashuri ndaj atdheut, jetës, të ardhmes.
Ai u bëri thirrje besimtarëve edhe të gjithë qytetarëve që të përballen me realitetin dhe të punojnë për një të ardhme më të mirë.
“Ne jemi njerëz të kësaj kohe, ne jemi njerëz të këtij vendi. Le ta duam vendin tonë, le ta duam jetën tonë, le ta duam të ardhmen tonë dhe mos të mos hezitojmë për të sakrifikuar, sepse vetëm frikacakët ikin nga realiteti”, tha ipeshkëvi Gjergji, në meshën solemne të Krishtlindjes, në Katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë.
Imzot Gjergji shprehu dhembje për të rinjtë që janë të detyruar të largohen nga vendi për të kërkuar një jetë më të mirë jashtë vendit.
“Në vendin tonë, në zemrat e shumë njerëzve, dyshimi, dëshpërimi dhe pashpresa kanë krijuar një hapësirë të madhe boshllëku, ku frika, pasiguria dhe zhgënjimi, si një virus, po na brengos përbrenda. Si pasojë, të rinjtë tanë po e shohin të ardhmen e tyre diku tjetër, ku duan të sigurojnë jetë më të mirë për vete dhe të gjejnë një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre”, u shpreh ai.
Ai tha se njerëzit janë të prirur të kërkojnë te të tjerët dhe te vetja e tyre përgjegjësinë për mungesës e perspektivës në atdhe.
“Dikush mendon që është politika ajo që na ka vjedhur të ardhmen dhe na ka lënë pa shpresë, disa të tjerë vazhdojnë të këmbëngulin se është Qeveria ajo që nuk arrin t’i kryejë përgjegjësitë e veta, kyrse disa të tjerë ia lënë fajin Evropës se po na mban të izoluar, pa viza dhe me yll në ballë, sikur do të thoshte ‘populli i fusnotës’”, theksoi ai.
Ipeshkvi i Kosovës ngriti alarmin edhe për degradimin e vlerave humane dhe të institucionit të familjes.
“Në familjet tona ka përditë e më pak dashuri, harmoni dhe mirëkuptim, sepse vendin e tyre e kanë zënë mosmarrëveshja, dyshimi dhe keqkuptimi. Dhe, që është më e tmerrshmja, divorci është bërë zgjidhje, kurse besnikëria martesore problem. Mjerisht, edhe vendimet fatale të individëve që bëjnë vrasje ose vetëvrasje. Në këtë situatë nuk është e mundur që të mos e pyesim veten si është e mundur që kur nuk ishim e kur nuk kishim nuk na mungonte shpresa, feja dhe dashuria”, theksoi ai.
Imzot Gjergji foli edhe kundër abortit. Ai e kritikoi ashpër Kuvendin e Kosovës që të premten pasdite e miratoi Ligjin për Abortin.
“… lere që e quajnë të drejtë, por, për turpin e tyre dhe për të na fyer ndoshta të gjithë neve, parlamenti ynë e gjeti bash sonte që ta miratonte Ligjin për Abortin. Megjithatë, ne nuk e humbim shpresën tonë dhe këmbëngulim që të jemi ata që besojnë dhe shpresojnë dhe që i binden fesë, që e duan jetën“, theksoi Gjergji.
Mesha solemne e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Tereza” në Prishtinë u mbajt me një prani të kufizuar të besimtarëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
(r.m.)