Banjallukë, 7 korrik 2023 – Presidenti i entitetit Republika Sërpska, Millorad Dodik, ka nënshkruar ligjin kundërthënës sa i përket vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, njoftoi kabineti i tij.
Sipas ligjit të dekretuar, vendimet e përfaqësuesit të lartë më nuk do të publikohen në këtë entitet.
Dodik nënshkroi legjislacionin pavarësisht faktit që përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, me vendimin e tij të 1 korrikut ka shfuqizuar të gjithë procedurën legjislative për këtë çështje.
Ligji u miratua nga Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska në qershor. Përveç këtij ligji, Parlamenti i entitetit po ashtu ka miratuar një ligj që thotë se nuk do të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës.
Zakonisht, ligjet hyjnë në fuqi tetë ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, por Parlamenti i entitetit ka votuar që ligjet të hyjnë në fuqi një ditë pas publikimit të tyre.
Klubi i Boshnjakëve në Këshillin e Popujve në Republikën Sërpska më 4 korrik tërhoqi veton ndaj dy legjislacioneve, sepse sipas vendimit të Schmidt këto “ligje më nuk ekzistojnë”.
Para nënshkrimit të dekretit, që i bën ligjet e plotfuqishme, ato duhet të miratohen nga Këshilli i Popujve, që është një mekanizëm për të mbrojtur interesat vitale kombëtare të etnive që jetojnë në Bosnje: serbët, boshnjakët dhe kroatët.
Dodik, një prej iniciatorëve të nismave kundërthënëse ligjore, më herët ka thënë se entiteti i Republikës Sërpska nuk do të pranojë vendimet e Schmidt.
Zyrtarët nga Republika Sërpska, të udhëhequr nga Dodiku, vazhdimisht kanë kontestuar legjitimitetin e Schmidt, që kur ai mori mandatin, pasi që emërimi i tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara u kundërshtua nga Kina dhe Rusia.
Shtetet e tjera të Këshillit të Sigurimit kanë thënë se nuk është e nevojshme që ky trup të votojë për emërimin e përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë.
(REL)