Dodik pas vizitës së drejtorit të CIA-s në Sarajevë: “Kurrë nuk e kemi kontestuar sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH”

Banja Llukë, 21 gusht 2024 – Presidenti i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, e ka komentuar vizitën e drejtorit të CIA-s, William Burns, në Sarajevë.

Në një status në platformën X, Dodik e vendos vizitën e shefit të CIA-s në Sarajevë në kontekst të “luftës kundër terrorizmit”

“Lufta kundër terrorizmit është obligim i gjithë botës së lirë. Në këtë kontekst vizita e drejtorit të CIA-s, William Burns, në Bosnje dhe Hercegovinë është domethënëse”, ka shkruar ai.

Dodik ka thënë se Republika Sërpska është e përkushtuar në këtë luftë dhe e mirëpret çdo bashkëpunim në këtë fushë. Ai ka thënë madje se ky entitet nuk synon shkëputjen nga Bosnja e Hercegovina.

“Republika Sërpska asnjëherë nuk e ka kontestuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës e Hercegovinës në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe shkëputja nuk ka qenë kurrë politikë e jona. Por, Republika Sërpska ka të drejtë të luftojë politikisht për statusin e saj, sipas kartës së Marrëveshjes së Dejtonit”, ka thënë Dodik.

Drejtori i CIA-s, William Burns, u takua të martën në Sarajevë me zyrtarë të inteligjencës, me anëtarë të Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Elmedin Konakoviq.
Një zyrtar i qeverisë amerikane tha se vizita e z. Burns në Sarajevë ka të bëjë me shqetësimet për retorikën secesioniste dhe veprimet e Qeverisë së Republikës Sërpska dhe Presidentit Milorad Dodik.
Denis Beqiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, tha se vizita e drejtorit të CIA-s në Sarajevë është “konfirmim i mbështetjes së fortë të SHBA-së për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës”.
(r.m.)