Banja Llukë, 5 dhjetor 2024 – Presidenti i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, Republikës Sërpska, Milorad Dodik, e ka quajtur “provokim të hapur” dhe “fyerje për të gjithë serbët” vizitën e paralajmëruar të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Sarajevë.
Dodik, në një postim në platformën X, ka thënë se vizita e Kurtit nuk i kontribuon stabilitetit rajonal.
“Kjo vizitë është një provokim i hapur, një fyerje për të gjithë serbët dhe konfirmim se Sarajeva po përdoret si platformë për zbatimin e politikave që nuk kanë të bëjnë asgjë me paqen, bashkëpunimin dhe respektimin e të drejtave”, ka shkruar Dodik.
Ai i ka akuzuar autoritetet e Bosnjës e Hercegovinës në Sarajevë se janë “instrumentalizuar” kundër serbëve dhe Serbisë.
“Vizita e Albin Kurtit, njeriutqë është përgjegjës për faktin se seërbët në Kosovë janë populli më i rrezikuar në Evropë, tregon edhe një herë se sa shumë është instrumentalizuar Sarajeva kundër serbëve dhe Serbisë”, ka thënë ai.
“Derisa Kurtin, personin përgjegjës për sulme të shumta ndaj popullit serb dhe ndaj faltoreve ortodokse, e presin me respekt në Sarajevë, mua, presidentin e zgjedhur të serbëve në Bosnjë e Hercegovinë, më gjykojnë për shkak se nuk respektoj ligjet që nuk janë miratuar me vullnetin e popullit, por në kancelaritë dhe kuzhinat e atyre që sot qëndrojnë prapa këtyre provokimeve”, ka shtuar Dodik.
Ai ka paralajmëruar se Republika Sërpska “nuk do të heshtë ndaj këtyre provokimeve dhe gjithnjë do të mbrojë dinjitetin e popullit serb”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të arrijë në Sarajevë të enjten në mbrëmje. Të premten, më 6 dhjetor, ai do të marrë pjesë në një konferencë të organizuar nga Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur “Krug 99”, ku do të diskutohet për marrëdhëniet rajonale.
Bosnja e Hercegovina dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën, për shkak të kundërshtimit të entitetit serb, Republikës Sërpska. Kohë më parë Kosova i ka hequr në mënyrë të njëanshme vizat për shtetasit e Bosnjës e Hercegovinës, në bazë të një marrëveshjeje rajonale për lëvizje të lirë. Por, Sarajeva nuk po e zbaton këtë marrëveshje, sepse ajo kundërshtohet nga përfaqësuesi serb në presidencën trepalëshe të Bosnjës e Hercegovinës.
(r.m.)