Don Lush Gjergji: Ne shqiptarët e kemi vllazërinë të dyfishtë – na bashkon atdheu

Intervistoi: Selajdin Gashi

Intervistë ekskluzive e Don Lush Gjergjit për portalin Shqip.de

“Bibla dhe Kurani kanë shumë elemente të përbashkëta, por edhe shumë dallime. Studiusit e Biblës dhe Kurani pohojnë se diku 75% në Kuran gjenden motivet, ngjarjet, personalitetet biblike, kuptohet, aty-këtu në kontekste të ndryshme”, thotë Don Lush Gjergji në një intervistë për Portali Shqip.de.

Kush është Don Lush Gjergji dhe çfarë funksioni ushtroni në hirarkinë e kishës katolike shqiptare?

Don Lush GJERGJI, prift katolik shqiptar i Ipeshkvisë Prizren – Prishtinë (Kosovë), i lindur më 21 mars 1949 në Stubëll të Epërme. Shkollën fillore, katër vitet e para, i kreu në vendlindje, vitin e pestë në Viti, tri vitet e fundit në Zhegër. Gjimnazin klasik në Dubrovnik (1963-1967), vitin e parë të filozofisë në Split (1967-1968), ndërsa vitet tjera dhe magjistrimin në filozofi, diplomimin në teologji po ashtu në Romë në Universitetin Papnor “Urbaniana” (1968-1973).

Paralelisht në Universitetin shtetëror të Romës «La Sapienza» ka studiuar dhe doktoruar psikologjinë në vitin 1975 me temën “La donna albanese” (Gruaja shqiptare), që është botuar pjesërisht edhe në gjuhën shqipe “Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri”.
Vite me radhë redaktor dhe kryeredaktor i revistës fetare-kulturore “DRITA”, si dhe i shtëpisë botuese katolike ”DRITA” me seli në Ferizaj, më vonë në Prizren, tani në Prishtinë.
Ka shërbyer në këto famulli: në Ferizaj (1975-1993), në Binçë (1993-2006), në Prizren (2007-2009). Aktualisht është në pension, pasi i ka mbushur 70 vjet, bashkëpunëtor në Residencë të Ipeshkvisë Prizren – Prishtinë me seli në Prishtinë.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Gazetarëve dhe Publicistëve Katolik të Evropës dhe anëtar i Akademisë Evropiane.
Ka botuar 67 tituj të ndryshëm me karakter psikologjik-shoqëror, katekistik, monografik, përshpirtëri, në veçanti 17 libra kushtuar jetës, veprës dhe përshpirtërisë së Shën Nënës Tereze.
Shkruan në gjuhën shqipe, italishte dhe kroate.
Veprat e Don Lush Gjergjit janë të botuara në shumë gjuhë:
Shqip (32);
Italisht (16);
Kroatisht (19);
Anglisht (10);
Frëngjisht (3);
Spanjisht (5);
Sllovenisht (5);
Gjermanisht (3);
Polonisht (6);
Hungarisht (2);
Rumanisht (1).

Si keni vendosur t`i përkushtoheni besimit fetar?

Shembulli i mirë i meshtarit Don Dedë (Dominik) Ramaj, dhe i klerikëve tjerë, burgimi i tij dhe përndjekja që i bëhej Shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste dhe ateiste, sidomos katolikëve gjatë përiudhës famëkeqe të Aleksandër Rankoviqit, edukimi i mirë kombëtar dhe fetar në familje, pastaj edhe në rreth më të gjerë, në vendlindje, në Stubëll, historia e paraardhësve tanë të përndjekur nga Perandoria turko – otomane, si shqiptare dhe katolikë, “Martirët e Karadakut (1846 – 1848), janë disa ndër shkaqet kryesore të thirrjes dhe misionit tim meshtarak. Me pak fjalë: ishte thirrja dhe nisja e Zotit, nevoja e kohës, Kishës dhe Popullit, dhe psa dyshim, pranimi, pëlqimi im, që me shpirt dhe me zemër t’i kushtohem së pari Zotit, pastaj Kishës Katolike në Popullin Shqiptar, çdo, njerit.
Këto ishin dhe mbesin gjithnjë motivet dhe frymëzimet bazike për përcaktimin tim jetësor – prift katolik, sipas shembullit të shumë figurave të ndritshme historike, nevojave dhe imperativit të kohës.

Jeni njohësi më i mirë i biografisë dhe veprimtarisë së Nënës së shenjtë, Nënës Terezë. Kur keni dëgjuar për herë të parë për Nënën e Madhe?

Kam dëgjuar shumë herët, në fëmijëri, nga nëna ime e ndjerë Dile lind. Berisha – Gjergji, pastaj nga halla ime Mrika Gjergji, që ishte murgeshë shtëpiake, dhe e kishte njohur Gonxhe Bojaxhiun në fëmijëri dhe në rini, dhe më tregonte edhe për historikun e thirrjes së saj misionare. Po ashtu historiani i njour Dr. Don Gaspër Gjini, në pretkun e tij më 13 qershor 1963, në Binçë, në stilin e tij brilant, pothuaj tërë pretkun ia kushtoi Bijës, Motrës dhe Nënës Tereze, “mrekullisë së bamirësisë së Zotit, në Kalkutë dhe në botë”, si dhe fletushka në ciklostil i ipeshkvisë së atëhershme të Shkupit “Zani i Zojës Cërnagore”, Viti I, 1962, f. 15 – 17, që ishte shkrimi i parë në gjuhën shqipe për Nënën Tereze, që e ruaj edhe sot si një “thesari apo testamenti” të çmuar dhe të dashur. Këto njohuri dhe rrethana zgjonin në mua kureshtje dhe dëshirë që të takohesha me “Nënën e ëndrrave” të mia.

Cilat ishin përshtypjet e para kur u takuat?

Takimi im i parë me Nënën Tereze ndodhi në Romë, më 29 mars 1969, kur unë isha student i filozofisë në Universitetin Papnor “Urbaniana – Propaganda Fide”. Ajo kishte ardhur në Romë me ftesë të Papës Pali VI. Përshtypjet e mia ishin shumë të thella dhe të paharrueshme, me një dëshirë dhe premtim: nëse Zoti më jep jetë, unë do ta studioj jetën e saj, preadhjen, familjen, arsyet pse ajo me familje nga Prizreni, e lindur në Shkup, bëhet murgeshë e rendit irlandez të “Motrave të Loretos”,… Pse dhe si ajo shkoi në Kalkutë, Bengali, Indi, pastaj në mbarë botën… Këto dhe shumë pyetje tjera ishin shtytëse dhe frymëzuese, që unë të merresha me Nënën Tereze plot 51 vjet, dhe vazhdoj të hulumtoj, shkruaj, botoj, sepse ajo qysh nga takimi i parë për mua ishte “Shenjtëreshë e Gjallë”, pesonalitit i jashtëzakonshëm, Nënë e cila më tërhoqi dhe përfitoi në tërësi gjithnjë, tash, shpresoj edhe në amshim.
Me 17 libra kushtuar jetës dhe veprës së Nënës Tereze, jam munduar që ta lajë këtë “borxh” të shenjt në emër tim, por edhe të Popullit dhe Kishës tonë.

Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:
• Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht, 1983; italisht, 1983; 1985, 1988; frëngjisht, 1985; spanjoll, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
• Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
• Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
• Gonxhja jonë – Nëna e botës, 1998.
• Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjoll, 1993, 2010; polonisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.
• Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. Don Lush Gjergji, 1998; 2000.
• Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1998; polakisht, 1999; shqip, 2016.
• Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
• Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
• Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
• Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
• Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010.
• Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.
• Nëna Tereze, dashuria në veprim, 2010; anglisht, 2010; italisht, 2010; polonisht, 2010.
• Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polonisht, 2010; rumanisht, 2010.
• Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.
• E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.

Cila ëshë zanafilla e mirëfilltë e librit të librave, Biblës, Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, Autori dhe autorët?

Për ne të krishterët, Bibla, Besëlidhja e Vjetër dhe e Re, Shkrimi Shenjt, është Fjala dhe Porosia e Zotit për çdo njeri të çdo kohe dhe vendi, që ka për qëllim dhe synim këtë: udhëzimin dhe drejtimin kah amshimi i lunmtur, shëlbimin apo jetën e pasosur, që është edhe arsyja bazë e krijimit dhe jetës sonë tokësore. Autori kryesor i Biblës, është vetë Zoti, sa i përket porosisë, përmbajtjes, synimi, qëllimit, boshtit apo kurrizit të saj, kuptohet, nëpërmjet njerëzve të zgjedhur, të caktuar dhe të frymëzuar, pra, besnikë dhe bashkëpunëtorë të Zotit, në vende, kohra të ndryshe, që ta përçonin lajmin, porosinë, përmbajtjen, të vërtetën dhe dashurinë e Zotit mbarë njerëzimit.
Dhiata apo Besëlidhja e Vjetër është paralajmërim, profetizim, pregaitje për Dhiatën apo Besëlidhjen e Re, në të cilën figura qendrore është Jezu Krishti, Zoti i mishëruar, i bërë “Njeri”, për ta çliruar njerëzimin nga robëria e trefishtë: Djallit, vdekjes dhe mëkatit, dhe për t’ia siguruar një jetë të dinjitetshme dhe të lirë në tokë, me përkushtim dhe pëgjegjësi, dhe për t’ia siguruar pavdeksinë – amshimin e lumtur.
Kjo quhet dhe është vepra e shëlbimit, që Jezusi e kreu për ne dhe për shëlbimin tonë, me mundim, vdekje dhe ngjallje, si gurrë dhe garanci amshimi.

Ku janë lidhjet mes Biblës dhe Kurant?

Bibla dhe Kurani kanë shumë elemente të përbashkëta, por edhe shumë dallime. Studiusit e Biblës dhe Kurani pohojnë se diku 75% në Kuran gjenden motivet, ngjarjet, personalitetet biblike, kuptohet, aty-këtu në kontekste të ndryshme.
Për Biblën Jezu Krishti është jo vetëm zbulimi, por edhe dhurimi, komunikimi i përafërt i Zotit me njeriun dhe i njeriun me Zotin, si uëlidhës Zot dhe Njeri – Jezusi. Si i tillë Ai është Fjala e Mishëruar, Personi – Zoti që komunikon, bashkëpunon, jeton me njeriun në vazhdimësi, nëpërmjet Kishës, sakramenteve, në një besëlidhje dashurie dhe vëllazërie.
Për Kuranin, Muhameti është Profeti i dërguar prej Zotit, si i tillë, përfundimtar, ndërsa Kurani është i shkruar prej vetë Zotit.
Ne si Shqiptarë e kemi vëllazërinë e dyfishtë, kombëtare, jemi Shqiptarë, pa dallime dhe përjashtime të asnjë lloji, dhe fetar, jemi monoteistë, besojmë në një Zoti, që është i njëjti dhe i përbashkëti, me emërtime të ndryshme. Këtë s’duhet kurrë ta harrojmë, por ta kultivojmë dhe zhvillojmë gjithmonë në dy parime: të mbeshtetur në të Vërtetën dhe të frymëzuar në Dashurinë.

Ipeshkvit ndihmës i dioqezës Prizren-Shkup, Imzot Nikë Prela, më vonë ordinar “ad interim” pas shpëbërjes së Jugosllavisë, dha një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, shkruan Informatori i Vatikanit. Ipeshkvi Prela doli edhe haptas kundër Millosheviqit, ishte i burgosur pas luftës së dytë botërore. Sa njihet veprimtaria e tij fetare, por edhe atdhetare në trojet tona?

Shumë dhe pak. Shumë, për ata që e duan dhe e pranojnë të vërtetën historike, që Kisha Katolike në Kosovë, atëherë Ipeshkvia Shkup-Prizren, me seli në Shkup dhe në Ferizaj, gjatë viteve 1980 – 1989 ishte gati i vetmi zë kritik dhe profetik i Kishës për Kosovën tonë. Nëpërmjet Imzot Nikë Prelës (1918 – 1996), është njohur për gjendjen reale dhe dramatike Papa Gjon Pali II, Nëna Tereze, të gjitha institucionet e Jugosllavisë së atëhershme, si dhe Evropa, SHBA-ja dhe mbarë bota.

Pa këtë bashkëpunim dhe informim: Imzot Nikë Prela – Nëna Tereze – Papa Gjon Pali II, bota, sidoms SHBA-ja, nuk do ta kishim kurrë vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s për qëllime “humanitare”, pra lirinë, pavarësinë dhe demokracinë.
Kështu në vitin e madh dhe të bekuar 1990, pas heqjes së autonomies së Krahinës socialiste të Kosovës nga ana e Milosheviqit, ne u përgjigjëm në mënyrën më të dinjiteteshme:
Pajtimet e Gjaqeve;
Shoqata Humanitare – Bamirëse e Kosoves Nëna Tereze (SHHBK “N. T.”);
sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor.
Kjo dhe shumçka tjetër ka qenë e pamundshme pa ndihmën, pjesëmarrjen dhe përkrahjen e Imzot Nikë Prelës, Nënës Tereze, Papës Gjon Pali II.
Kush ka vullnet dhe dëshirë të njihet më së afërmi me këtë Figurë emblematike dhe profetike, ringjallësin e krishtnizmin ndër ne, mund të lexoi:
Frrok Kristaj, Imzot Nikë Prela, monografi, botoi Shoqata HEKAS, Nikë Prela, Ferzaj, 2006
Don Lush Gjergji, Don Valentino Salvoldi, Imzot Nikë Prela, Njeriu i Zotit, Kishës dhe Popullit, DRITA – VELAR, 2010.
Rivarrosja e Imzot Nikë Prelës në kriptën e Katedrales dhe Shenjtërores Nëna Tereze në Prishtinë është bërë sivjet, me 24 shkurt 2020, në 24 vjetorin e vdekjes së tij, si gjest nderimi, falënderimi dhe dashurie për jetën dhe veprën e tij për Kishën dhe Popullin tonë.