Miliardieri njujorkez pranon kandidaturën, premton se do të vendosë rregull e ligj dhe se do ta bëjë botën që ta respektojë përsëri Amerikën si dikur
Nga Ruben Avxhiu
Donald Trump theu mbrëmë rekordin për nga gjatësia e fjalimeve në historinë e Kuvendeve Kombëtare të partive politike amerikane.
Një kritik tha me shpoti se gjithësesi fjalimi nuk ishte më i gjatë se fjalimet e Fidel Kastros, por nga portreti që i bëri Amerikës së sotme ishte më i errët se ai që zakonisht ofron diktatori komunist kuban.
Në fakt, Trump u ndal gjatë në shumë nga problemet që has sot Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga humbja e miliona vende të punës, te rreziku i terrorizmit, te problemi i miliona emigrantëve të paligjshëm që hyjnë nga një kufi që mbetet i pambrojtur, te vrasjet e shumë nga rrugët amerikane me sulmet kundër policisë dhe problemet e pakicave.
Ai ofro veten e tij si njeriu që do të bënte kthesën e madhe, duke e bërë edhe një herë Amerikën të madhe, siç thotë slogani i tij tashmë shumë i njohur.
Me një batutë të gjetur mirë, ai përmbysi sloganin e klintonistëve për Hillary Clinton: “Jam me atë” (I’m with her), Trump i drejtua amerikanëve nga salla e Kuvendit Republikane duke thënë se “unë s’jam me atë, unë jam me ju!”
Ishte mbyllja grandioze e katër ditë kuvendi, me fjalime frymëzuese, por edhe me skandale, përplasje e kontradikta.
Trump është si asnjë kandidat presidencial në kohën modern dhe partia që e ka zgjedhur është ende duke u përshtatur me udhëheqësin e saj të ri.
Pranimi i kandidaturës
Fjalimi në mbyllje të Kuvendeve Kombëtare në SHBA ka në thelbin e vet pranimin zyrtar të kandidaturës nga partia.
Donald Trump e bëri duke akuzuar rivalen e tij se gjatë viteve në krye të Departamentit të Shtetit i la Amerikës një trashëgimi vdekjesh, shkatërrimi, terrorizmi dhe dobësie.
Në 8 nëntor ai do të përballet me Hillary Clinton, nëse kjo e fundit do të emërohet, ashtu siç pritet javën e ardhshme nga Kuvendi i Demokratëve në Philadelphia.
Në 75 minutat e fjalimit më të rëndësishëm të jetës së tij, Trump e paraqiti veten si kandidati i ligjit dhe rregullit.
Një parti e përçarë, një komb në mëdyshje
Këto janë vite interesante të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga një anë ajo mbetet fuqia më e madhe ushtarake e botës, nga ana tjetër lloji i rreziqeve ka ndryshuar duke e bërë të vështirë për t’u mbrojtur nga dukuria e terrorizmit. Nga një anë ajo mbetet ekonomia më e fuqishme e botës, nga ana tjetër miliona vetë kanë humbur vendet e punës që kanë ekzistuar prej disa brezash e kanë përfunduar në Kinë, Indi e vende të tjera e mund të mos kthehen më kurrë. Nga një anë ka pasur presidentin e parë afrikano-amerikan në histori si dhe një përparim të paparë të pakicave racore në shkallën shoqërore, nga ana tjetër tensionet ndërracore janë ngritur si asnjëherë në 25 vitet e fundit.
Vendi është shumë i ndarë në dysh se si duhen interpretuar dhe le më pas se si duhen zgjidhur këto kontradikta e shumë të tjera si këto. Kaq kundërshtuese janë pikëpamjet për to sa kombi amerikan duket nganjëherë si i ndarë në dy pjesë që jetojnë në botë të ndryshme.
Donald Trump është ofruar si zgjidhësi i madh i këtyre problemeve dhe është mirëpritur me entuziazëm nga miliona njerëz, por jo vetëm që është larg nga bashkimi i kombit, por do t’i duhet punë dhe kohë për të bashkuar partinë e tij. Dhjetëra figura të shquara republikane munguan në Kuvendin Kombëtar. Senatori Amerikan Ted Cruz mori pjesë dhe mbajti fjalim, por nervozoi turmën e delegatëve kur refuzoi që ta mbështeste kandidatin e partisë.
“Partia te e cila kam bërë pjesë deri tani ka vdekur”, shkroi polemistja Megan McCain, vajza e senatorit të njohur veteran amerikan, John McCain.
Por shumë republikanë janë të vendosur të mos lejojnë një kthim të familjes Clinton në Shtpinë e Bardhë. “Ai mund të ketë shumë të këqia”, tha një prej delegatëve duke folur për median, “por ka një të mirë vendimtare, nuk është Hillary Clinton”.
A po braktisin republikanët pikëpamjet e tyre tradicionale për këtë kandidat presidencial?
70-vjeçari miliardier u përpoq gjatë fjalimit të djeshëm të pajtonte pikëpamjet e tij të skajshme kundër emigracionit të paligjshëm me nevojën e votuesve të pavarur për të dëgjuar zgjidhje konkrete pa zbukurime, por nuk ishte e lehtë. Trump është ai që është dhe po thotë gjëra që devijojnë shumë nga tradita republikane.
Për të puna është e thjeshte emigrantët po marrin vendet e punës nga amerikanët dhe po kryejnë krime. Vetëm një mur i madh në kufi mund t’i ndalojë. “Dhe ne do t’i ndalojmë”, tha ai.
Ka një lloj beteje mes tij dhe fushatës së tij. Fushata shpesh përpiqet të zbusë qendrimet e tij. Madje është thënë se “muri” është një koncept simbolik dhe jo se do të ndërtohet vërtet në kufi.
Po kishat amerikane, shumë prej të cilave prodhojnë miliona vota për republikanët kanë një traditë akomodimi të emigrantëve të paligjshëm.
Papa Francis nuk foli kot kur gjatë një vizite në Meksikë lëshoi batutën se të krishterët nuk ngrejnë mure por ndërtojnë ura”. Ai u kritikua nga shumë konservatorë e republikanë për ndërhyrje në garën presidenciale amerikane, por fjalët e tij bëjnë jehonë te vota e krishterë e republikanëve. Trump ishte veçanërisht i kujdesshëm me këtë gjatë fjalimit.
Një tjetër devijim nga partia është vendosmëria e tij për të ngritur mure në fushën e tregëtisë së jashtme. Republikanët kanë besuar tradicionalisht teorinë se hapja e kufijve për tregëtinë e lirë sjell përfitime për të gjithë. Po ndërsa nga një anë çmimet janë ulur e çdo gjë është bërë e lirë, industritë e vendeve të tjera kanë shkatërruar ato amerikane me prodhimet e tyre konkurruese.
Trump ka premtuar se do të rinegociojë marrëveshjet e SHBA-së me Kanadanë dhe Meksikën të njohura si NAFTA, por edhe me vende të tjera sidomos me Kinën.
“Nuk do të nënshkruajmë kurrë marrëveshje të këqia”, tha ai. “Amerikan e Para”.
Mirëpo ngritja e tarifave dhe doganave është një kërkesë që zakonisht ka ardhur nga e majta. Çdo kandidat tjetër veç biznesmenit njujorkez do të dëbuar nga skena e konservatorëve tregëti-dashës. Po Trump ka bërë si me magji shumicën dërrmuese republikane, që janë të dashuruar me mesazhin e tij patriotik.
Dhe aty duket se është magjia. Sepse Trump ka mburrur homoseksualët, ka premtuar kujdes shëndetësor për të gjithë, ka premtuar zgjidhje për borxhet e studentëve, fund të ndërhyrjeve ushtarake nëpër botë e shumë tema që janë shumë të dashura për të majtën por jo për republikanët.
Po fiksimi i tij me emigrantët e paligjshëm dhe rrezikun islamik duket se është më i rëndësishëm se ideologjia që përfaqësojnë republikanët. E gjitha e mbuluar me një flamur të madh amerikan dhe premtimi për ta bërë Amerikën përsëri të madhe.
Vetëm kjo mund të shpjegojë se si një qejfli njujorkez sallonesh e konkursesh bukurie, i martuar tre herë, që i ka bërë bisht me hile shërbimit ushtarak dhe nuk ka shkuar në kishë një ditë të jetës së tij, është kthyer në idhull të miliona konservatorëve amerikanë, nga zemra e Amerikës, aty ku vlerësohen fjalët e pakta, jetët e thjeshta dhe besnikëria ndaj pushkës, biblës dhe kombit amerikan.
“Unë kam hyrë në arenën politike që të fuqishmit të mos të shtypin më njerëzit që nuk mbrojnë dot veten”, tha ai në fjalimin e djeshëm, me një fjali që zakonisht mund të dëgjohet në Kuvendet e majta demokrate. Dhe për t’i dalë përpara akuzave për kohën që ishte mik familje me Hillary Clinton dhe demokratët: “Askush nuk e njeh më mirë se unë këtë system, prandaj vetëm unë mund ta ndreq atë”.
Barbarët e ISIS-it dhe heshtja për Rusinë
Rreziku nga terrorizmi është pikë e rëndësishme për Trump, sepse ashtu si në Europën Perëndimore, sulmet terroriste kanë shtuar frikën e njerëzve dhe besimin se një udhëheqës i fortë mund të sjellë shumë siguri.
Shumë amerikanë ashtu si shumë europianë dyshojnë se liberalët dhe socialistët janë shumë të butë e tolerantë ndaj krimit dhe terrorizmit se për ta më e rëndësishme është trajtimi i drejtë i emigrantëve dhe i njerëzve nga kultura e fe të ndryshme.
Trump dënoi pasojat e luftërave në Afganistan dhe Irak por pa e përmendur Presidentin Bush me emër, por u ndal gjatë te Hillary Clinton, të cilën e akuzoi për gjendjen në Irak, Siri, Libi dhe Egjipt. Sidomos për fuqizimin e ISIS-it dhe gatishmërinë e saj për të marrë më shumë refugjatë.
“Pas 15 vite luftrash në Lindjen e Mesme, triliona dollarësh të shpenzuar dhe mijëra jetësh të humbura”, gjendja është më e keqe sesa ndonjëherë më parë”, tha ai. “Kjo është trashëgimia e Hillary Clinton: vdekje, shkatërrim, terrorizëm dhe dobësi”, tha Trump.
Mposhtja “e barbarëve të ISIS-it” është në zemër të premtimeve të tij.
Por ai heshti në lidhje me Rusinë, një heshtje që nuk do ta ndihmojë, pas deklaratave të një dite më parë, kur i pyetur nëse do të mbronte vendet balltike, anëtare të NATO-s nga një sulm ushtarak i Rusisë, ai tha se do të mendohej nëse ndodhte.
Anëtarësimi në NATO nënkupton gatishmëri për të mbrojtur njëri-tjetrin në rast lufte. Edhe republikanët më të skajshëm në marrëdhënie ndërkombëtare, si Ambasadori John Bolton reagoi duke thënë se: Trump duhet t’i marrë mbrapsh ato fjalë.
Në 2012, Mitt Romney me saktësi parashikoi se Rusia do të ishte kërcënimi më i madhi sigurisë për botën e lirë. Dje, kandidati i të njëjtës parti heshti për vendin e Putinit, me të cilin duket se kanë vendosur një raport interesant personal.
Një tullumbace apo një ambicje reale
Kur Trump mbaroi fjalimin e tij, në skenë u ngjitën edhe bashkëshortja e tij Melania dhe fëmijët, nga tri martesat e jetës së tij. U ngjitën në skenë edhe Guvernatori Mike Spence dhe familja tij, sipas traditës së Kuvendeve amerikane.
Ishte momenti i triumfit për kandidatin nga jashtë politikës, të cilin pak më shumë se një vit më parë e nënvleftësuam të gjithë si një konkurrent joserioz. Përballë 16 kandidatëve, shumica e të cilëve emra të njohur në politikë, Trump triumfoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Tani përpara një prej dy partive më të fuqishme amerikane, po shihte i rrethuar nga familja se si po mbyllej me triumf njëra fushatë për t’u ngritur sipari i tjetrës.
Nën refrenin “S’mund të arrish gjithshka që dëshiron” të këngës së famshme nga Rolling Stones, filloi rënia e tullumbaceve nga tavani që entuziasmoi delegatët republikanë.
Pavarësisht nga fjalët e refrenit, Donald Trump ka arritur pothuajse gjithshka që ka dashur në jetë. Dhe nëse fati i ecën përsëri kundër të gjitha gjasave dhe parashikimeve, ai mund të arrijë edhe Shtëpinë e Bardhë, në zgjedhjet e 8 nëntorit 2016. (Ruben Avxhiu)