Donald Trump shpallet personi i vitit nga revista ‘Time’

Uashington, 12 dhjetor 2024 – Revista ‘Time’ shpalli Presidentin e zgjedhur Donald Trump si personin e vitit.

Lajmi u njoftua nga kryeredaktori i revistës Sam Jacobs në televizionin NBC. Ai shtoi se zoti Trump ishte dikush që “për mirë ose për keq, kishte ndikimin më të madh në lajme në vitin 2024”.

“Ai është dikush që bëri një rikthim historik, i cili riformësoi presidencën amerikane dhe që po riorganizon politikën amerikane”, tha zoti Jacobs.

“Është e vështirë të argumentosh kundër faktit se personi që po zhvendoset në Zyrën Ovale është personi më me ndikim në lajme”, tha ai.

Zoti Jacobs shtoi se “ka gjithmonë një debat të nxehtë” në revistë se kush është personi që duhet nderuar, por sipas tij duhet të pranohet fakti se “vendimi i këtij vitit ishte më i lehtë se vitet e kaluara”.

Në një intervistë për revistën botuar të enjten, zoti Trump foli për fushatën e tij të fundit dhe fitoren në zgjedhje.

“Unë e quajta atë ‘72 ditët e vrullit të papërmbajtur”, tha zoti Trump.

“Ne goditëm në zemër të problemit, vendi ishte i zemëruar”, tha ai.

Zoti Trump pritet të shkojë në Wall Street për të shënuar fillimin e punës për tregtimin në bursë për sot.

Kopertina e revistës ‘Time’ me foton e tij ishte projektuar në një mur të bursës, rrethuar nga flamuj amerikanë.

Zoti Trump u shpall gjithashtu personi i vitit nga revista në vitin 2016, kur u zgjodh për herë të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Krahas emrit të tij mes njerëve që u shqyrtuan për të marrë titullin e personit të vitit ishin: Nënpresidetja Kamala Harris, miliarderi Elon Musk, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe Princesha e Uellsit, Kate.

Zoti Trump ka qenë prej kohësh një figurë intriguese për kopertinën e revistës ‘Time’, ku ai u shfaq për herë të parë në vitin 1989.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*