Donfried: Dialogu me Serbinë duhet të jetë në funksion të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Prishtinë, 30 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar të enjten një bisedë telefonike me Ndihmës Sekretaren për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Karen Donfried.

Zonja Donfried e ka inkurajuar Kurtin të marrë pjesë në takimet e nivelit të lartë që organizohen në Bruksel në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kurtit, zonja Donfried ka thënë se takimi i liderëve të dy vendeve është i rëndësishëm për procesin e dialogut, duke theksuar se agjenda e takimit duhet të jetë në funksion të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Po sipas njoftimit, Kurti ka thënë se ai qenë çdoherë aktiv e konstruktiv në dialogun me Serbinë, nuk e ka refuzuar asnjë ftesë për takim dhe ka bërë edhe propozime konkrete për zgjidhje.

Ai ka thënë se është e rëndësishme që të ketë një agjendë të qartë të dialogut për vitin 2022 dhe ka theksuar se marrëveshja përfundimtare midis Kosovës e Serbisë duhet të ketë në qendër njohjen reciproke të dy vendeve.

Zyra e Kryeministrit Kurti njoftoi se zonja Donfried e ka falënderuar  Kosovën për strehimin e refugjatëve afganë. Ajo ka thënë se me këtë akt Kosova ka demonstruar se është partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërsa Kryeministri Kurti ka thënë se kjo ishte një çështje humanitare të cilën populli i Kosovës e njeh shumë mirë dhe ka theksuar se Kosova dhe populli i saj janë të gatshëm çdoherë t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Shteteve të  Bashkuara të Amerikës, ai aleat dhe partner strategjik.

Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Zonja Donfried ka premtuar mbështetjen e SHBA-ve për forcimin e demokracisë në Kosovë dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike të Kosovës.

Ndërsa Kurti ka thënë se është i inkurajuar që Presidenti amerikan, Joe Biden, e ka shpallur krimin e korrupsionin si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe për demokracinë në mbarë botën.

Ai ka thënë se sivjet Kosova ka shënuar një rritje ekonomike për 9,9 për qind, rritje të eksporteve për 60 për qind, shtim të të hyrave buxhetore për 30 për qind dhe rritje të investimeve të huaja për 53 për qind.

Në mbyllje të bisedës, zonja Donfried dhe zoti Kurti kanë shkëmbyer mesazhe urimi për Vitin e Ri 2022.

(r.m.)