Donfried: Kosova dhe Serbia duhet të marrin vendime të vështira

Uashington, 27 janar 2023 – Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Karen Donfried, ka thënë se SHBA dhe Bashkimi Evropian nuk po përpiqen të imponojnë një zgjidhje për marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, por të ndihmojnë këto dy vende që të marrin vendime të cilat janë dhe të vështira.

“Serbia dhe Kosova janë vende sovrane. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk mund të imponojnë vendime apo zgjidhje. Ne po përpiqemi të jemi një forcë që sjell ndryshime të mira”, ka thënë Donfried për Zërin e Amerikës.

“Besoj thellësisht se qytetarët e Kosovës dhe qytetarët e Serbisë e shohin të ardhmen e tyre si anëtarë të plotë të komunitetit të Euro-Atlantik. Bashkimi Evropian prej vitesh ka ushqyer dhe po nxit një dialog. Shtetet e Bashkuara po e mbështesin këtë dialog, sepse ne besojmë se është rruga që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtare të plota të komunitetit Euro-Atlantik. A ka vendime të vështira që duhet të marrin Kosova dhe Serbia? Absolutisht. A do të jemi aty për t’i mbështetur ato ndërsa marrin këto vendime të vështira? Patjetër”, ka shtuar ajo.

“Po e përsëris, ne do të jemi përkrah tyre, por ne vetëm mund të ndihmojmë dhe të përpiqemi ta sigurojmë atë të ardhme. Kosova dhe Serbia janë ato që duhet të bëjnë punën e vështirë”, ka theksuar Donfried.

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë ka thënë se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ka efekte edhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo  ka thënë se bota ka mësuar shumë nga ky agresion.

(r.m.)