Prishtinë, 26 prill 2022 – Ambasada e SHBA-së në Kosovës e ka ripublikuar deklaratën e Ndihmës Sekretares për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për agresionin rus në Ukrainë, dhënë të hënën në Prishtinë, pas takimeve me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Donfried ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë urgjentisht dialogun, duke theksuar se status quo-ja është e paqëndrueshme.
“Status quo-ja është e paqëndrueshme. Ajo jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe të Serbisë, por është në dobi të Kremlinit. Rusia dëshiron të prishë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke siguruar që ju dhe fqinjët tuaj nuk mund dhe nuk do të integroheni në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Ai beson se një rajon ballkanik më i fortë, më i begatë dhe më demokratik është një kërcënim për ndikimin e tij”, ka thënë ajo.
Ndihmëssekretarja amerikane e shtetit ka thënë gjithashtu se marrëdhëniet e mira në mes Kosovës e Serbisë janë kërcënim ndaj Rusisë.
“Marrëdhëniet më të mira mes Kosovës dhe Serbisë kërcënojnë aftësinë e Rusisë për të përçarë, për të krijuar frikë dhe për të nxitur kaos. Mënyra më e mirë për të kundërshtuar përpjekjet flagrante të Kremlinit për të destabilizuar rajonin është e thjeshtë: Kosova dhe Serbia duhet të bashkohen dhe të riangazhohen urgjentisht në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mbështetjen e fuqishme të SHBA-së”, ka shtuar zonja Donfriend.
Ndërkaq, kryeminsitri Albin Kurti, gjatë konferencës me ndihmësesekretren Dofried ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) është domosdoshmëri.
Sipas tij, që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, është i nevojshëm integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Kosova duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës por edhe në NATO”, ka thënë ai.
Karen Donfried, e cila është e shoqëruar nga i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe nga zyrtarë tjerë amerikanë, do të qëndrojë për vizitë në Ballkanin Perëndimor deri më 29 prill.
Pas Kosovës, ajo do të vizitojë Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Javën e kaluar, Kosovën e ka vizituar edhe një delegacion senatorësh amerikanë: Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis.
Ata kanë thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe Bashkim Evropian.
(Sipas Telegrafit)