Ekziston mundësia reale që Lëvizja Vetëvendosje të arrijë të formojë Qeverinë e re, por ajo nuk do të jetë e qëndrueshme më shumë se deri në prillin e vitit të ardhshëm, kur zgjidhet presidenti i Kosovës, thotë në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit.
Të njëjtin fat, sipas saj, mund ta ketë edhe ekzekutivi që eventualisht do të mund të formohej nga partitë opozitare aktuale.
“Atëherë do të përcaktohet nëse kriza e re politike, me një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, do të thellohet dhe do të detyrojë thirrjen e zgjedhjeve të reja”, thotë Emini.
Megjithatë, ajo i sheh të mundshme zgjedhjet e parakohshme parlamentare edhe më herët.
Më 15 prill do të mblidhet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës, gjatë së cilës deputetët do të japin betimin. Në rendin e ditës, në seancën konstituive të legjislaturës së nëntë, është edhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës. Konstituimi i Kuvendit do të hapë rrugën për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, është e para që ka të drejtë të tentojë ta formojë ekzekutivin e ri. Megjithatë, Kurti ende nuk i ka siguruar 61 votat e nevojshme për formimin e Qeverisë.
Dy partitë e mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas Donikës Emini, kanë dhënë shenja se mund të bllokojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i cili duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje, që do t’i hapte rrugë konstituimit të plotë të këtij institucioni si dhe formimit të Qeverisë së re.
Emini thekson se situata aktuale paraqet “një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit”.
Kosovës, sipas saj i nevojitet një Qeveri legjitime, e cila duhet të zgjidhë izolimin e saj të vazhdueshëm nga BE-ja, të adresojë masat ndëshkuese nga BE-ja, të cilat janë më 2023 – pas rritjes së tensioneve në veri të vendit – si dhe të angazhohet për heqjen e tyre.
Në raport me dialogun dhe çështjen e procesit të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Emini vlerëson se më shumë mund të japë rezultate një Qeveri e formuar nga opozita sesa nga Lëvizja Vetëvendosje.
Qeveria e ardhshme deri në zgjedhjen e presidentit
Radio Evropa e Lirë: Zonja Emini, të martën pritet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Cilat janë pritjet e juaja nga kjo seancë, marrë parasysh që deri më tash, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë votat e 61 deputetëve, të domosdoshme për krijimin e përbërjeve të reja të Kuvendit dhe Qeverisë?
Donika Emini: Megjithëse është duke u përpjekur për të siguruar numrat dhe ka pasiguri të mëdha nëse do të arrijë të formojë Qeverinë, është shumë e mundshme që Vetëvendosje të jetë në gjendje të kalojë të paktën fazën e parë, zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe të hapë rrugën për fazën e dytë, që është propozimi i kandidatit për kryeministër. Edhe pse në kushte jo të qëndrueshme, ka pasur indikacione se individë apo koalicione brenda Kuvendit do të ishin të gatshëm t’i bashkoheshin Vetëvendosjes nëse ajo do të niste procesin e formimit të Qeverisë. E gjitha varet nga negociatat për ndarje të pushtetit ,që janë pazare të njohura politike në Kosovë.
Mundësitë e Kurtit për të siguruar një mandat të tretë varen nga aftësia e tij për të mbledhur vota nga përfaqësuesit e pakicave dhe deputetët që mund të ndryshojnë anë.
Historikisht, skena politike në Kosovë ka dëshmuar raste kur deputetët individualisht kanë ndryshuar qëndrim në këmbim të përfitimeve politike, duke e bërë këtë një strategji të mundshme, por të pasigurt. Megjithatë, një Qeveri e tillë do të ishte jostabile dhe e brishtë kundrejt manipulimeve të deputetëve individualë, duke e kushtëzuar Qeverinë për secilin proces politik përfshirë edhe stabilitetin/rrëzimin e Qeverisë.
Një skenar i tillë përfshin edhe Nismën (Socialdemokrate), ku sigurimi i disa deputetëve nga ky koalicion mund të bëjë diferencën për nga numrat. Po ashtu, është i mundshëm bashkëpunimi me deputetët joserbë, të komuniteteve pakicë në Kuvend.
Megjithatë, edhe pse ekziston mundësia reale që Vetëvendosje të arrijë të formojë Qeverinë, ajo do të jetë një Qeveri jo e qëndrueshme, një Qeveri që mund të qëndrojë në pushtet deri në zgjedhjen e presidentit, por që mund të mos e mbijetojë atë proces.
Kjo duke pasur parasysh se Vetëvendosje është sfiduar seriozisht edhe kur kishte 52 për qind të vendeve në Kuvend për të zgjedhur presidentin dhe për të siguruar kuorumin e nevojshëm. Në të gjithë këta skenarë të mundshëm, qoftë me një ekzekutiv të udhëhequr nga Kurti, qoftë nga opozita -të dyja jo të qëndrueshme – më e mundshme është që të kemi një Qeveri të udhëhequr nga Kurti, por që do të jetë fragjile dhe që do të udhëheqë me vendin deri vitin tjetër.
Atëherë do të përcaktohet nëse kriza e re politike, me një Kuvend që nuk arrin të zgjedhë presidentin, do të thellohet dhe do të detyrojë thirrjen e zgjedhjeve të reja, të cilat do të zgjedhin të gjithë krerët e institucioneve të shtetit dhe pozitat kyç politike në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë: A prisni pengesa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, si dhe nënkryetarëve, pa të cilën nuk hapet rruga më tej për konstituimin e legjislativit?
Donika Emini: Nëse opozita zgjedh të bojkotojë apo të mos e mbështesë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve, atëherë do të përballemi me një pengesë të panevojshme në procesin e konstituimit të legjislativit. Ky hap është esencial për të hapur rrugën drejt testimit se cila parti/koalicion ka shumicën parlamentare për krijimin e Qeverisë të re.
Edhe pse Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar më herët se do ta mbështesë këtë hap procedural, zërat e fundit nga brenda kësaj partie sugjerojnë një tërheqje të mundshme. Një qasje e ngjashme po shihet edhe te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Nëse kjo ndodh, opozita rrezikon të shihet si palë bllokuese, pra, duke bllokuar pa nevojë skenën politike dhe hapin tjetër kushtetues.
Megjithatë, kjo mund të jetë një taktikë e qëllimshme, e shtyrë nga mungesa e besimit brenda grupeve parlamentare. Votimi në bllok për kryetarin e Kuvendit nuk do të ekspozonte deputetët që mund të jenë në negociata me Vetëvendosjen dhe të gatshëm të mbështesin një mandat të tretë të Albin Kurtit. Ky lloj frike nga “tradhtia” ka prodhuar tërheqje taktike nga partitë politike në të kaluarën.
Pavarësisht dilemave, ky hap procedural nuk duhet të bllokohet. Dështimi për të zgjedhur kryeparlamentarin do të kishte pasoja të rënda politike dhe do të rriste rrezikun për zgjedhje të reja – një skenar që mund të mos sjellë ndryshim real në përbërjen politike, por do të prodhonte paqëndrueshmëri politike për vendin.
Nuk ka sinjale për marrëveshje ndërmjet partive politike
Radio Evropa e Lirë: A shihni ndonjë mundësi që Vetëvendosje të arrijë ndonjë pajtim me ndonjë prej partive të mëdha opozitare, PDK ose LDK, për formimin e Qeverisë së re?
Donika Emini: Edhe pse Vetëvendosje dhe partitë opozitare – PDK e LDK – kanë mjaftueshëm vota për të krijuar bllokime në Kuvend, asnjëra palë nuk i ka numrat për të formuar Qeverinë e vetme. Për kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, hyrja në një koalicion me një nga këto parti nuk përjashtohet si mundësi, edhe pse bie ndesh me ambicien e tij për të qeverisur i vetëm – një stil që ka ngjashmëri me qasjen autokratike të (kryeministrit hungarez) Viktor Orbanit, ku konsolidimi i shumicës shihet si mënyrë për të qeverisur “me duar të lira”.
Nga ana tjetër, për PDK-në dhe LDK-në një bashkëpunim me Vetëvendosjen është shumë më kompleks. Të dyja partitë ndodhen në faza të brishta të rikonsolidimit të brendshëm dhe janë të vetëdijshme se një hyrje në koalicion me një partner të vështirë si Vetëvendosja mund të kthehet në një bumerang politik. Edhe pse qasja në pushtet do të ishte joshëse pas një qëndrimi të gjatë në opozitë, kostot politike të një koalicioni të tillë mund të jenë më të mëdha sesa përfitimet.
Deri tani nuk ka sinjale konkrete për një marrëveshje të mundshme. LDK-ja e ka refuzuar publikisht ftesën e Vetëvendosjes, ndërsa për PDK-në, një skenar bashkëpunimi mund të bëhet i mundur vetëm nëse në tryezë vihet edhe pozita e presidentit – një formulë që në të kaluarën është aktivizuar në momentet e fundit.
Megjithatë, mungesa e besimit mes palëve dhe frika nga humbjet politike mbeten pengesat kryesore për krijimin e një koalicioni të tillë.
Radio Evropa e Lirë: Në rast se Vetëvendosje nuk siguron 61 vota, a prisni se partitë aktualisht opozitare mund ta bëjnë këtë, për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë?
Donika Emini: Një skenar alternativ, një Qeveri e udhëhequr nga opozita, do të ishte edhe më e paqëndrueshme. Duke bashkuar parti me ideologji të ndryshme dhe agjenda politike në konflikt, pa një histori të bashkëpunimit efektiv, një koalicion i tillë do të përballej me disfunksion të brendshëm që në fillim.
Përpjekjet e mëparshme për ekzekutiv me koalicione të mëdha në Kosovë kanë rezultuar me paralizë të plotë, si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Një Qeveri e mbështetur nga partitë opozitare do të kishte vështirësi në zbatimin e agjendës legjislative, që ishte një sfidë edhe gjatë mandatit të mëparshëm të LVV-së, kur kishte një shumicë më të qëndrueshme. Për më tepër, jetëgjatësia e saj do të ishte e pasigurt, pasi zgjedhjet presidenciale mund të përcaktojnë fatin e Qeverisë. Më shqetësuese është se mbështetja te votat e lëkundshme parlamentare rrit rrezikun e shantazhit politik dhe korrupsionit, duke e destabilizuar më tej qeverisjen.
Krijimi i një qeverie nga opozita, po ashtu e dobët dhe e fragmentuar, do të kishte gjasa të rrëzohej para zgjedhjes së presidentit, duke sjellë një tjetër cikël zgjedhor të pasigurt.
Ndërsa, disa parti opozitare mund ta shohin këtë si një mundësi afatshkurtër për t’u rikthyer në pushtet, kostoja politike afatgjatë do të ishte e lartë. Shumë prej tyre kanë luftuar për të rikthyer bazën e tyre elektorale, dhe krijimi i një qeverie të paqëndrueshme tani mund të dëmtojë edhe më tej besueshmërinë e tyre në zgjedhjet e ardhshme.
Përveç sfidave në qeverisje, përjashtimi i fituesit të zgjedhjeve mund të shkaktojë jostabilitet politik dhe trazira sociale. Kushtetuta e Kosovës lejon që partia e dytë apo edhe e treta të formojë Qeverinë, por anashkalimi i Kurtit do të forconte narrativin e tij populist se establishmenti i vjetër politik është bashkuar kundër tij -një narrativ që e ndihmoi të fitonte zgjedhjet e vitit 2020.
Përveç të tjerash, opozita nuk është homogjene dhe nuk ka një ofertë të qartë ideologjike e programore për qeverisje. Në të kaluarën një koalicion i tillë ka qenë fragjil dhe ka pasur probleme serioze në funksionim. Andaj, kjo formulë mund të ofrojë një Qeveri të përkohshme, por jostabile e as funksionale.
Rreziku nga ngërçi politik
Radio Evropa e Lirë: Sa është real rreziku që Kosova të hyjë në një ngërç politik dhe institucional?
Donika Emini: Kosova e ka kaluar edhe më parë situata të ngjashme, përfshirë periudhën gjashtëmujore pa Qeveri – një nga krizat më të thella politike. Në këtë drejtim, ngërçet institucionale nuk janë të panjohura për vendin, por vijnë me kosto gjithnjë e më të lartë, veçanërisht në një kontekst gjeopolitik të tronditur dhe për një shtet që ende lufton për konsolidim të plotë ndërkombëtar.
Megjithëse zgjedhjet e fundit kanë sjellë një përbërje më të larmishme parlamentare, dështimi për të formuar një ekzekutiv efektiv tregon jo vetëm sfidat aritmetike të koalicioneve, por edhe një mungesë të theksuar pjekurie politike. Ky është një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit.
Në mungesë të një Qeverie funksionale, legjislatura rrezikon të paralizohet, ndërsa Kosova mund të përballet me një izolim diplomatik dhe një krizë të zgjatur politike, me pasoja të ndjeshme për zhvillimin demokratik, ekonomik dhe tërheqjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Radio Evropa e Lirë: Bazuar në zhvillimet aktuale në skenën politike të Kosovës, a ekzistojnë parakushtet për një Qeveri me mundësi reale për një mandat të plotë?
Donika Emini: Fatkeqësisht, rezultatet aktuale të zgjedhjeve në Kosovë nuk lejojnë formimin e një qeverie që është e qëndrueshme, që mund të qeverisë me mandat të plotë dhe që do të mund të mbijetojë procesin e zgjedhjes së presidentit. Natyrisht, një opsion i tillë do të ishte i mundur nëse Vetëvendosje, si partia fituese, do të formonte një koalicion me partinë e dytë ose të tretë më të madhe në zgjedhje. Por, duke qenë se një gjë e tillë është shumë e pamundshme, skenari më i mundshëm është që Kosova të vazhdojë me një qeveri pakice ose një qeveri teknike, e cila do të funksionojë deri në mars të vitit 2026, kur pritet të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare dhe zgjedhja e presidentit do të jetë gjithashtu në rend dite.
Deri tani nuk ka pasur asnjë indikacion që një Qeveri e qëndrueshme do të mund të formohet. Prandaj, duhet të jemi të përgatitur të funksionojmë me një qeveri që është e brishtë, pakicë dhe që me shumë gjasë nuk do të jetë në gjendje të shtyjë përpara agjenda të mëdha për vendin.
Kurti nuk ndryshon qëndrim ndaj dialogut dhe Asociacionit
Radio Evropa e Lirë: Në rast se Kurti, në çfardo varianti arrin të ketë edhe një mandat për kryeministër, cilat janë sfidat kryesore që kërkojnë përgjigje urgjente nga ai?
Donika Emini: E ardhmja e Kosovës varet nga formimi i një ekzekutivi plotësisht legjitim dhe aktiv i cili mund të menaxhojë si reformat e brendshme, ashtu edhe presionet e jashtme.
Nga jashtë, Kosova duhet të zgjidhë izolimin e saj të vazhdueshëm nga BE-ja, të adresojë masat e BE-së ende të vendosura dhe të angazhohet aktivisht me BE-në për t’i hequr këto kufizime. Kjo është thelbësore jo vetëm për qasjen në fonde, por edhe për integrimin më të gjerë të Kosovës në BE.
Pa një Qeveri funksionale, kjo bëhet edhe më e vështirë, pasi Kosova rrezikon të izolohet më tej nga aleatët kyç në një kohë kur marrëdhëniet ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë. Izolimi i Kosovës nga BE-ja dhe përçarjet në politikën e jashtme gjatë periudhës së udhëheqjes së Kurti kanë thelluar më tej këto sfida.
Nga ana tjetër, brenda vendit, Kosova përballet me nevojën kritike për reforma, veçanërisht në sektorët e qeverisjes dhe efikasitetit të sektorit publik. Edhe pse gjatë katër viteve të kaluara, Qeveria e Kurti gëzonte një shumicë parlamentare, përparimi në reforma ishte i kufizuar, dhe sfidat e Kosovës janë bërë edhe më të komplikuara.
Mungesa e progresit në reforma ka lënë Kosovën të pafuqishme në shumë sektorë dhe pa një Qeveri stabile, situata mund të përkeqësohet më tej. Kjo e bën edhe më të rëndësishme të ketë një Qeveri funksionale që mund të zbatojë reformat sidomos kur integrimi në BE është në fjalë.
Radio Evropa e Lirë: Kurti deri më tash ka refuzuar të shkojë më tutje drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në rast se Serbia nuk nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit? A prisni që kjo këmbëngulje të vazhdojë përballë presionit ndërkombëtar, i cili nuk ka ndryshuar?
Donika Emini: Kryeministri (në detyrë, Albin) Kurti ka mbajtur një qëndrim të palëkundur lidhur me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke këmbëngulur që kjo të kushtëzohet me nënshkrim formal nga pala serbe. Ky qëndrim i pakompromis pritet të vazhdojë, sidomos nëse Kurti vazhdon të qeverisë me një Qeveri në pakicë, e cila nuk balancohet nga një partner koalicioni me peshë politike të barabartë ose të ngjashme.
Nga ana serbe, është shumë e pamundur që presidenti Vuçiq të pranojë të nënshkruajë një marrëveshje të tillë në rrethanat aktuale politike. Duke marrë parasysh situatën e brendshme politike në Serbi dhe qasjen e saj ndaj dialogut, është e vështirë të parashikohet një skenar në të cilin Beogradi ofron garancitë formale që kërkohen nga Kurti.
Ky ngërç paraqet sfida serioze për dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Megjithatë, ekziston edhe mundësia, bazuar në përvojat e kaluara, që dialogu të merret përsipër nga administrata amerikane. Nëse ndodh një zhvillim i tillë, ai do të sillte një dinamikë të re, për të cilën Kosova mund të mos jetë e përgatitur në mënyrë të mjaftueshme.
Ndryshimet gjeopolitike, veçanërisht lufta në vazhdim në Ukrainë, kanë rritur ndjeshmërinë ndaj cenueshmërisë së sigurisë në të gjithë Evropën. Shtrirja e pasojave edhe në Ballkanin Perëndimor nuk është e paimagjinueshme, sidomos nëse aktorë kyç brenda administratës amerikane vendosin të prioritizojnë rajonin.
Ndërkohë që në mandatin e kaluar Kurti kishte një shumicë më të fuqishme në Kuvend, që mund të kishte lejuar më shumë fleksibilitet, pozicioni i tij aktual politik është më i kufizuar. Në këtë kontekst, opozita ka gjasa të politizojë edhe më tej çështjen e Asociacionit, duke e kthyer atë në një pikë përplasjeje ndërmjet Qeverisë dhe opozitës. Kjo nuk do të ishte aspak e favorshme në rast të zgjedhjeve të reja në 2026.
Radio Evropa e Lirë: A prisni qasje të re të Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe cilat mund të jenë zhvillimet e mundshme lidhur me këtë çështje?
Donika Emini: Aktualisht nuk ekziston një klimë politike e favorshme që do t’i mundësonte Kurtit të ndryshojë qëndrim në lidhje me dialogun me Serbinë. Dritarja e mundësisë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje, thjesht nuk ekziston. Duke pasur parasysh mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në vitin 2026, veçanërisht nëse Kosova dështon të zgjedhë presidentin e ri, e bën mjedisin politik shumë të pafavorshëm për çdo lëvizje në këtë drejtim.
Duke marrë parasysh këto kufizime, është shumë e pamundur që të ketë zhvillime të rëndësishme gjatë këtij viti, veçanërisht duke pasur parasysh situatën politike në Serbi. Në mungesë të vullnetit të sinqertë politik nga të dyja palët, skenari më i mundshëm është që BE-ja do të vazhdojë me dialogun teknik, duke u përpjekur të menaxhojë dhe zgjidhë përkohësisht çështjet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo qasje në thelb fiton kohë, por me gjasë nuk do të sjellë ndonjë përparim të madh.
Kjo pasqyron atmosferën që mbizotëron në Bruksel dhe në disa kryeqytete të vendeve anëtare të BE-së, ku çështja Kosovë-Serbi është shtyrë në plan të dytë. Duke qenë se BE-ja dhe komuniteti më i gjerë transatlantik janë të angazhuar me kriza të vazhdueshme – siç janë: lufta në Ukrainë, sfidat e brendshme të sigurisë dhe tensionet gjeopolitike në rritje – është gjithnjë e më e pamundur që dialogu të marrë një përparësi të lartë në agjendën politike.
Në mungesë të presionit të jashtëm, pritshmëria më realiste është vazhdimi i status quo-së. Të paktën deri në mars 2026, përveç nëse ndodh ndonjë ndryshim i madh, veçanërisht nga SHBA, nuk pritet ndonjë përparim thelbësor.
Deri tani, nuk ka asnjë shenjë që BE-ja synon të prioritarizojë këtë çështje, dhe as ndonjë tregues vullneti nga pala serbe për angazhim në mënyrë kuptimplotë. Dhe duke marrë parasysh sfidat globale me të cilat përballet aktualisht administrata (e presidentit amerikan, Donald) Trump, është po ashtu e pamundur që SHBA-ja të investojnë kapital politik të konsiderueshëm në Ballkanin Perëndimor në një të ardhme të afërt.
Një ekzekutiv i opozitës mund të sjellë rezultate në dialogun me Serbinë
Radio Evropa e Lirë: Si do të trajtohen këto çështje, në rast se partitë që aktualisht janë në opozitë, fitojnë pushtetin?
Donika Emini: Partitë opozitare në Kosovë, historikisht, janë paraqitur si më konstruktive sesa konfrontuese, veçanërisht në krahasim me Vetëvendosjen, e cila është konsideruar jokonstruktive nga komuniteti ndërkombëtar, sidomos në kontekstin e dialogut Kosovë–Serbi.
Megjithatë, ky konstruktivitet shpeshherë ka ekzistuar vetëm deri në nënshkrimin e marrëveshjeve, por jo domosdo edhe në zbatimin e tyre. Në këtë fazë, duke marrë parasysh mundësinë e një krize politike dhe një Qeveri jostabile në numra, opozita mund të llogaritë ndryshe politikisht në krahasim me të kaluarën.
Është pak e mundshme që partitë opozitare do të jenë të gatshme të marrin përsipër barrën e kompromisit, duke qenë të vetëdijshme se kjo mund të ketë një kosto të konsiderueshme politike. Shumica prej tyre ende përballen me vështirësi për të konsoliduar përkrahjen në elektoratin e tyre. Edhe pse mund të paraqiten si më bashkëpunuese sesa Kurti në aspektin e komunikimit politik me partnerët strategjikë dhe aleatët ndërkombëtarë, është naive të pritet që udhëheqja e tyre të sjellë rezultate thelbësisht të ndryshme,sidomos në kontekstin aktual gjeopolitik.
Dritarja e mundësisë për komunitetin ndërkombëtar që ta mbështesë fuqishëm Kosovën është, për fat të keq, e mbyllur për momentin. Si pasojë, është e pamundur që një Qeveri e udhëhequr nga opozita të sjellë rezultate dukshëm më të mira në dialog me Serbinë.
Ndërkohë, ka pasur zëra nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë që kanë shprehur preferencë për një Qeveri të udhëhequr nga opozita, me shpresën se kjo mund të sjellë rezultate më të mira në procesin e dialogut. Megjithatë, një lëvizje e tillë do të ishte e rrezikshme dhe politikisht delikate. Çdo Qeveri e tillë do të vazhdonte të funksiononte si pakicë, si në ekzekutiv ashtu edhe në legjislativ. Asnjëra nga këto parti nuk ka dalë fituese në zgjedhje, dhe për këtë arsye mungon legjitimiteti për të shtyrë përpara procese që mund të kenë pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.
Për më tepër, edhe nëse do të arrihej ndonjë marrëveshje përmes dialogut, ajo me gjasë do të përballej me rezistencë të ashpër nga vetë opozita, në këtë rast e udhëhequr nga Vetëvendosje, e cila historikisht ka qenë mjaft kritike dhe e zëshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për procesin e dialogut Kosovë–Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Sa reale janë shanset për zgjedhje të parakohshme parlamentare?
Donika Emini: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë shumë të mundshme. Po aq e mundshme është edhe skenari ku vendi do të mbetet pa Qeveri funksionale, një skenar i ngjashëm me ai bullgar, ku për një periudhë të gjatë kohore nuk ka një ekzekutiv të qëndrueshëm. Është shumë e pamundur që Kosova të gëzojë stabilitet politik pa u zgjedhur presidenti i ri. Edhe nëse kalojmë përmes zgjedhjeve parlamentare, kjo nuk do të ishte një hap strategjikisht i mirë, duke pasur parasysh se zgjedhjet janë të kushtueshme. Kombinimi i zgjedhjeve lokale me ato nacionale paraqet sfidë, sidomos për partitë që kanë ricikluar të njëjtit kandidatë dhe që tashmë po përballen me vështirësi në gjetjen e kandidatëve për të dyja nivelet e qeverisjes.
Për më tepër, niveli i pjesëmarrjes së qytetarëve në votime mund të jetë më i ulët, dhe rezultatet ndoshta nuk do të ndryshojnë shumë nga ato që kemi aktualisht. Është e qartë se mesazhi i votuesit kosovar ishte se vendit i duhet një Qeveri koalicioni, që ka legjitimitetin për të shtyrë përpara proceset e rëndësishme. Është pak e besueshme që rezultatet do të jenë ndryshe apo që do të sjellin një ndryshim të madh në mënyrën se si do të konfigurohet situata paszgjedhore.
Si e tillë, mbajtja e zgjedhjeve është shumë e mundshme, edhe për shkak se në të kaluarën kemi pasur skenarë të zgjedhjeve të shpeshta. Megjithatë, është një vendim i pamatur dhe i kushtueshëm politikisht për Kosovën, e cila tashmë po përballet me sfida të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.