Donjeta Sadiku kualifikohet për Lojërat Olimpike “Paris 2024”

Prishtinë, 9 mars 2024 – Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, e ka arritur normën olimpike dhe e ka siguruar kualifikimin për Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Donjeta ka fituar edhe meçin e katërt në turneun kualifikues që u mbajt në Busto Arsizio të Italisë.

Në meçin e zhvilluar sot (e shtunë) në kategorinë deri në 60 kilogramë, ajo e ka mposhtur italianen  Alessia Mesiano, duke e siguruar kualifikimin për Lojërat Olimpike “Paris 2024’.

Kjo është hera e parë që një boksiere nga Kosova do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike me normë olimpike. Në Tokio, Donjeta Sadiku kishte marrë pjesë me ftesë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Trajnerja e saj, Marjola Sallauka, e ka cilësuar këtë si sukses të madh të Kosovës.

“Ditë e madhe për Kosovën, ditë e madhe për shqiptarinë. Një trimëreshë e vërtetë e luaneshë në ring, kjo është Donjeta Sadiku. E palodhshme e punëtore që asnjëher nuk u dorëzua drejt realizimit të ëndrrave të saj, e që sot arriti të siguroj kualifikimin për në Lojërat Olimpike – Paris 2024. Jam krenare që jam trajnerja e saj e krahë saj në realizimin e ëndrrës Olimpike. Një premtim të cilin e bëmë e realizuam, kualifikimin e arritëm. Rruga nuk përfundon këtu, shihemi në Paris. Falenderuse përjetësisht të gjithë atyre që na mbështetën e na qëndruan afër gjatë këtij rrugëtimi. Posaqërisht Federatën, kryetarin Enver Krasniqi dhe sekretarin Latif Demolli si dhe Komitetin Olimpik të Kosovës. Veçanërisht falenderoj trajnerën e mikeshën time Marigona Beadini. Selektorin e femrave Faton Xhakli si dhe selektorin e meshkujve Musli Zymberi për bashkëpunimin gjatë këtij turneu kualifikues”, ka shkruar Sallauka në Facebook.

(r.m.)