Tiranë, 1 prill 2022 – Në Shqipëri, ish deputeti socialist Alqi Bllako u dorëzua në polici gjatë natës, pasi Gjykata e Posaçme e kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar (SPAK) për arrestimin e tij.
Zoti Bllako dyshohet të jetë përfshirë në aferën e inceneratorëve, në kohën që e ushtronte detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit.
Të martën, zoti Bllako e dorëzoi mandatin e deputetit, duke deklaruar se vihej “në dispozicion të plotë të drejtësisë”. Por, momentet që e pasuan vendimin e gjykatës për arrestimin e tij u shoqëruan me dyshime të shumta për mundësinë e një largimi të zotit Bllako, duke qenë se për orë të tëra, policia nuk kishte mundur të ekzekutonte vendimin, ndonëse e kishte marrë urdhrin e prokurorit që prej orës 15.45 të ditës së djeshme. Dyshimet u shtuan në mbrëmje vonë kur avokati i tij, Sokol Hazizaj, postoi në rrjetet sociale një foto të realizuar nga dritarja e një avioni, me mbishkrimin “Mirupafshim”.
Sot në mëngjes, policia e Shtetit njoftoi se “përkundër disa lajmeve të rreme mbi arratisjen e shtetasit Alqi Bllako, ky shtetas ndodhet në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë që prej mbrëmjes së djeshme”.
Por, sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk ka ndodhur mbrëmjen e djeshme. Një deklaratë e SPAK-ut saktëson se “vendimi është ekzekutuar nga Policia e Shtetit në orën 03.30 të datës 01.04.2022”.
Mbetet e paqartë se përse policia njoftoi një kohë tjetër të vetëdorëzimit të ish deputetit.
Ndaj zotit Bllako Prokuroria ka ngritur akuza për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim dhe për “Korrupsion pasiv i fuknsionarëve të lartë shtetërorë”. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me ish ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe me një tjetër zyrtar të ministrisë, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar në lidhje me të dhënat e pronës së shpronësuar për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, duke ndryshuar cilësimin nga “arë” në “tokë truall”, për të rritur vlerën e shpronësimit.
Po ashtu, ai dyshohet se e ka favorizuar shoqërinë përfituese të koncensionit, në këmbim “të përfitimeve të parregullta” me një vlerë prej afro 150 mijë dollarësh, të cilat kanë shkuar në formë të pagave të larta mujore për babanë e tij, i punësuar formalisht në inceneratorin e Tiranës.
(Zëri i Amerikës)