Hagë, 8 dhjetor 2024 – Sipas dosjes së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, veprat penale të paraqitura në aktakuza kanë lidhje me proceset zyrtare të Dhomave të Specializuara përfshirë këtu hetimet e zyrës së prokurorit të specializuar.
Udhëzimet që pretendohet në aktakuzë se janë dhënë kohë pas kohe nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë janë bërë shkas që të ngritet aktakuzë për Smakajn, Kilaj, Fazliun, Kuçin.
Aktakuza thotë se së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, Thaçi zbuloi informacion të fshehtë që i ishte bërë i njohur në gjykimin e tij, dhe së bashku me Fadil Fazliun, Bashkim Smakajn, Isni Kilajn e Hajredin Kuçin, bashkërenduan për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
ZPS ka vlerësuar se veprimet e të akuzuarve synonin pengimin e çështjes Thaçi dhe të tjerët. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.
Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.
Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë
‘Udhëzimet” e Thaçit për të ndikuar në dëshmitarë
Zyra e Prokurorit të Specializuar në aktakuzë ka përmendur disa takime në të cilat pretendojnë se janë dhënë udhëzime nga ish- presidenti Hashim Thaçi ndaj Kilajt, Fazliut, Kuçi e Smakajn.
Më 2 korrik 2023, ZPS thotë se Fadil Fazliu, vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit të DHSK-së.
Gjatë vizitës, Thaçi pretendohet se i dha informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzime të hollësishme që Fadil Fazliu duhej t’ia përcillte dëshmitarit të ZPS-së, se si duhej të dëshmonte dëshmitari 1.
Dosja tregon tutje edhe se Thaçi dhe Fazliu diskutuan edhe për mënyrën e dhënies së udhëzimeve të Thaçit dhe ranë në marrëveshje që djali i Fadil Fazliut, Fahri Fazliu, të kontaktonte dëshmitarin 1 për caktimin e një takimi. Fadil dhe Fahri Fazliu ishin takuar më parë me dëshmitarin 1 më 2 qershor 2023, pasi kishin shkëmbyer mesazhe në telefon më 26 qershor
Më 3 korrik 2023 dosja tregon se, Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin 1 për organizimin e një takimi midis Fahri, Fadil Fazliut dhe dëshmitarit 1 më vonë atë ditë, në përputhje me udhëzimet e Hashim Thaçit dhe Fadil Fazliut.
Sipas aktakuzës, në kohën e kryerjes së kësaj vizite në qendrën e paraburgimit dhe të shkëmbimit të mesazheve, dëshmitari 1 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e dëshmitarit 1 me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose në një mënyrë që nuk zbulonte statusin e tij si dëshmitar i ZPS-së, ose me kodin e tij të dëshmitarit në proces.
Tutje dosja përshkruan edhe takimin mes Hashim Thaçit dhe Hajredin Kuçit.
Aktakuza shkruan se më 3 shtator 2023, Hajredin Kuçi vizitoi Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Gjatë vizitës Hashim Thaçi i dha Hajredin Kuçit, udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë dëshmitarit të ZPS-së, ‘dëshmitari 5’, ose ‘dëshmitari 2’ ose ‘dëshmitari 6’) lidhur me si duhej të dëshmonte çdo dëshmitar.
Aktakuza përshkruan se Kuçi në mënyrë të përsëritur konfirmoi dhe/ose u pajtua me udhëzimet e Thaçit lidhur me ndikimin ndaj dëshmitarëve dhe dha sugjerime në lidhje me udhëzimet që duhej t’u jepeshin dëshmitarit 5 dhe dëshmitarit 6. Hajredin Kuçi sipas ZPS gjithashtu konfirmoi se kishte takuar më parë dëshmitarin 5 të paktën një herë për të diskutuar dëshminë e dëshmitarit 5.
Një tjetër takim është edhe ai më 9 shtator 2023, kur Bashkim Smakaj, Blerim Shala, Artan Behrami dhe të tjerë vizituan Thaçin në qendrën e paraburgimit.
Gjatë vizitës, gjithnjë sipas aktakuzës, Thaçi dha informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët dhe udhëzoi në mënyrë të përsëritur një ose më shumë prej vizitorëve që t’i jepnin udhëzime dëshmitarit 2 se si të dëshmonte në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Thaçi sipas ZPS-së, e cilësoi dëshminë e dëshmitarit 2 si vendimtare dhe dha udhëzime të hollësishme se çfarë duhej të thoshte dëshmitari 2 gjatë dëshmisë së tij.
Tutje dosja përshkruan se Thaçi u kërkoi vizitorëve që të vinin ta takonin sërish pas një muaji në qendrën e paraburgimit.
Tutje ZPS në aktakuzë thotë se Bashkim Smakaj dhe Artan Behrami u takuan sërish me Thaçin, më 7 tetor 2023, ku Thaçi dha udhëzime të mëtejshme se si duhej të dëshmonte dëshmitari.
ZPS thotë se gjatë kontrollimit të makinës së Smakaj më 30 tetor 2023, ZPS-ja gjeti një dokument ku trajtohej tema e dëshmisë që pritej të jepte dëshmitari 2, me një version të ngjarjeve që përputhej me udhëzimet e dhëna nga Thaçi gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit më 9 shtator dhe 7 tetor 2023.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se gjatë të gjithë këtyre ngjarjeve, dëshmitari 2 nuk ishte konfirmuar publikisht nga DHSK-ja apo ZPS-ja si dëshmitar në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Intervistat e tij me ZPS-në ishin klasifikuar si konfidenciale dhe DHSK-ja ose ZPS-ja i ishin referuar atij publikisht, ose me statusin e dëshmitarit apo kodin e tij të dëshmitarit në proces.
Në dosje përshkruhen edhe takimet e Thaçit me Kilajn.
Sipas ZPS-së, më 6 tetor 2023, Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu vizituan Hashim Thaçin në qendrën e paraburgimit. Ky takim ishte planifikuar një muaj më herët, në një thirrje telefonike në qendrën e paraburgimit midis Thaçit e Kilajt.
Sipas dosjes së aktakuzës së publikuar nga ZPS, gjatë vizitës, Thaçi u dha Kilajt e Kryeziut informacion konfidencial për dëshmitarë të ZPS-së në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Sipas ZPS, Thaçi dha udhëzime që duhej t’i përcilleshin dëshmitarit 4 se si duhej të dëshmonte.
Gjatë dhënies së udhëzimeve, sipas ZPS Thaçi dha referenca dhe pjesë të deklaratave konfidenciale të mëparshme të dëshmitarit
Tutje thuhet se Thaçi me Kilajn e Kryeziun diskutoi provat konfidenciale të dëshmitarit të ZPS-së i identifikuar si dëshmitari 3.
Gjatë një kontrollit të vendbanimit të Isni Kilajt më 2 nëntor 2023, sipas aktakuzës, ZPS-ja gjeti materiale që përmbanin informacion konfidencial për proceset e DHSK-së dhe të dhëna identifikuese të dëshmitarëve të mbrojtur, përfshirë edhe emrat e dëshmitarëve.
Aktakuza përshkruan se ZPS-ja gjeti mes mbeturinave të Kilajt faqe të grisura të deklaratave të mëparshme të dëshmitarit 4, ndër të cilat edhe një pjesë së cilës Thaçi iu referua gjatë vizitës së 6 tetorit 2023.
Tutje aktkauza pretendon se ZPS-ja gjeti gjithashtu edhe fletë fletoreje që përmbanin, ndër të tjera, përmbledhje të dëshmive të pritshme të dëshmitarëve aktualë dhe të mëparshëm të ZPS-së, bashkë me kodet e tyre të dëshmitarit. Shënimet e gjetura në vendbanimin e Kilajt përmbajnë informacion që përkon me informacionin në përmbledhjet konfidenciale që iu bënë të njohura Thaçi në kuadër të çështjes Thaçi dhe të tjerët.