Dosja “Gërdeci”: GJKKO pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar të dosjes së Mediut

Tiranë, 7 prill 2023 – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO)në Tiranë vendosi sot të kalohet për gjykim dosja penale ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili akuzohet për dy vepra penale.
Mediu akuzohet për veprën penale “shpërdorim i detyrës” dhe “shpërdorim i detyrës kryer në bashkëpunim me kuadrin ushtarak komandues”.
Në seancën e sotme të GJKKO u vendos të pranohet kërkesa e SPAK-ut për të shqyrtuar dosjen penale ndaj Mediut, çka do të thotë që do të nisë gjykimi në themel.
Avokatët e zotit Mediu kërkuan pushimin e çështjes, por pasi u vunë përballë faktit të kryer për nisjen e gjykimit në themel, kërkuan gjykim të shkurtuar, kërkesë kjo që u pranua nga GJKKO.
Seanca e radhes është parashikuar të zhvillohet më 24 prill.
Pas seancës foli edhe avokati i familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Ai tha se jozyrtarisht mësoi se gjykata nuk e lejoi prezencën e familjarëve të viktimave dhe theksoi se pjesëmarrja e tyre është e pashmangshme.
Ndërkaq, Zamira Durda, familjare e një prej viktimave, tha se ajo do ta ankimojë këtë vendim në KLP dhe KLGJ.
(r.m.)