Tiranë, 18 mars 2024 – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit sot në Prokurorinë e Posaçme, ku iu komunikua akuza “shpërdorim detyre” në bashkëpunim, në kuadër të dosjes hetimore të koncesionit të “Sterilizimit”.
Ish-ministri Beqaj dhe tetë të pandehur të tjerë janë nën akuzë nga SPAK. Hetimet janë kryer nga prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi. SPAK ka ngritur akzua për 9 persona lidhur me procesin e ngritur për koncesionin e “Sterilizimit”, me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj.
Pas përfundimit të seancës në SPAK, Beqaj u shpreh se Prokuroria, për 50 muaj, nuk hetoi dot dy elementët kryesorë të një hetimi për “Sterilizimin”.
“Siç edhe është njoftuar prej disa ditësh, ku më komunikuan përfundimin e hetimeve dhe marrjen të pandehur për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim. Së pari, unë do të thoja që SPAK duhet ta kishte nisur vlerësimin e punës sime me përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe të ligjit të kujdesit shëndetësor, sepse garantimin e kujdesit shëndetësor të barabartë për të gjithë shqiptarët nga veriu në jug e kam patur dhe detyrim, dhe mision”, tha Beqaj.
“Të përdorësh me eficiencë fondet e shtetit është detyrë kryesore, por për një ministër shëndetësie është detyrë kryesore të pakësojë shpenzimet nga xhepi që bëjnë qytetarët për kujdesin shëndetësor”, tha Beqaj.
“Pikërisht, Prokuroria në 50 muaj nuk ia doli të hetojë dy elementë kryesorë që ka një proces sterilizimi, uljen e ditëqëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikëve të spitalit. Nëse do kishin bërë këtë vlerësim, të cilin ne do kërkojmë të bëhet, konvertimi i këtyre kursimeve në para, do ta nxjerrë me të vërtetë një proces me përfitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Të mos merresh në një proces të tillë, me infeksionet nozokiomiale, me rezistencën antimikrobike, do të thotë të mos kesh kuptuar se çfarë ke hetuar. Në 50 muaj Prokuroria nuk mori përsipër të hetojë se përse nga prilli 2010 deri në shtator 2013, centrali i sterilizimit i blerë u mbajt në qese, teksa ISHP kërkonte mbylljen e sallave të kirurgjisë”, tha Beqaj.
“Unë kisha detyrimit ta vendosja në punë, e vura në punë dhe për fat të mirë, nga fillimi i zbatimit të kontratës 445 000 shqiptarë janë operuar në kushte shumë të sigurta. Prokuroria në 50 muaj nuk qenë në gjendje të bëjnë dy vlerësime kryesore për Partneritet Publik Privat, vlera e parasë dhe si u materializua ndarja e riskut mes privatit dhe publikut mbas tetë vitesh zbatim konkrete. Unë të vërtetën time do ta përballojë në gjykatë, ku do të dali e vërteta e përfitimeve që kanë patur shqiptarët nga ky koncesion”, tha Beqaj.
“Unë të vërtetën time do ta përballojë në gjykatë, ku do të dali e vërteta e përfitimeve që kanë patur shqiptarët nga ky proces sterilizimi”, tha Beqaj.
Ish-ministri Ilir Beqaj, është hetuar dhe marrë si i pandehur nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”. Prej muajsh ai është paraqitur në SPAK çdo të premte.
Të akuzuarit dhe akuzat e ngritura për koncesionin e “Sterilizimit”:
Ilir Beqaj, “Shpërdorim detyre”;
Ilir Rrapaj, “Mashtrim”;
Klodjan Rjepaj, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Saimir Kadiu, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Marsela Serjana, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Arben Gjata, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Naile Ajazi, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Genc Byrazeri, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
Petri Mersini, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”;
(ATSH)